“Do mbështesim pozitën e Kosovës”, Spiropali liston prioritetet në Komisionin e Jashtëm: Fuqizojmë diplomacinë, Shqipëria faktor stabiliteti në rajon

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka paraqitur në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme prioritetet sektoriale të ministrisë që ajo drejton, në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2026.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se fokus kryesor i diplomacisë shqiptare në vitin e ardhshëm do të jetë forcimi i rolit të Shqipërisë në rajon dhe promovimi i saj si një vend i hapur, demokratik dhe me institucione të qëndrueshme.

“Do të fuqizojmë diplomacinë shqiptare dhe do të promovojmë vendin tonë si model i një shoqërie të hapur, të drejtë e demokratike. Shqipëria do të jetë faktori kyç i stabilitetit dhe bashkëjetesës në Ballkan”, u shpreh Spiropali.

Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të urave mes popujve të Ballkanit, duke nënvizuar se përpjekjet e Shqipërisë do të jenë të drejtuara drejt një Ballkani të paqes, mirëkuptimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e politikës së jashtme, sipas saj, do të mbetet angazhimi për shqiptarët në rajon dhe në diasporë.

“Mbarëshqiptarët janë forca që na bashkon dhe na frymëzon. Jemi të vetëdijshëm për rolin e shqiptarëve në diasporë dhe në rajon. Roli ynë është të forcojmë lidhjet mes tyre, për të krijuar një komunitet të bashkuar dhe të angazhuar”, deklaroi Spiropali.

Në fjalën e saj, ministrja nënvizoi se Kosova mbetet “prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm” i politikës së jashtme dhe kombëtare të Shqipërisë.

“Edhe një herë më shumë, në vitin 2026 do të mbështesim pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ashtu si kemi bërë që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Do të inkurajojmë dialogun për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, tha ministrja.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×