
Protestuesit e Minierës së Spaçit në Mirditë u paraqitën sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua situata e punonjësve dhe shkeljet e mundshme nga kompania private që operon në këtë minierë.
Gazment Bardhi, deputet i PD dhe anëtar i Komisionit, theksoi se problemi kryesor lidhet me shfrytëzimin e pasurisë së shtetit nga një kompani private, duke theksuar se kjo kompani duhet të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Kushtetuta garanton punonjësve të drejtën për t’u organizuar në sindikata. Të pushosh qytetarët nga puna për shkak të organizimit sindikal përbën shkelje të hapur të kontratës dhe të ligjit,” tha Bardhi. Ai shtoi se kompania nxjerr fitime të majme falë djersës së punonjësve, dhe se nuk mund të ketë as kompani shqiptare, as turke apo amerikane që të cenojë të drejtat e tyre.
Bardhi gjithashtu u shpreh i shqetësuar për raportimet se përfaqësues të ministrisë kanë intimiduar protestuesit, duke e cilësuar një veprim “të papranueshëm dhe kriminal”. Ai kërkoi që ministria të ishte e angazhuar 24 orë në ditë për të garantuar zbatimin e kërkesave të minatorëve.
Si përfundim, Bardhi propozoi që Komisioni për të Drejtat e Njeriut të organizojë seanca dëgjimore të tjera, duke ftuar në diskutim edhe Ministrinë përgjegjëse, për të monitoruar më afër zbatimin e të drejtave të punonjësve dhe kërkesat e tyre.
and then