Moti i keq/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tregon situatën në terren: I dëmtuar aksi Breg Lumi-Theth, Fushë Arrëzi pa drita, Lezha…

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë një bilanc të situatës në terren sa i takon motit të keq që ka përfshirë vendin. Mësohet se situata paraqitet kryesisht e qetë. Si pasojë e reshjeve, në qarkun e Shkodrës u dëmtua aksi Breg Lumi-Theth.

NJOFTIMI
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.

Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.

Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.

Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore!



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×