
Të bashkuar si kurrë më parë, Shqipëria dhe Kosova shkruan historinë duke shkuar së bashku në fazën “play-off” të një Botërori. Dardania dhuroi spektakël në fazën kualifikuese duke lënë pas ekipe “big” si Suedia. Të enjten, Kosova mësoi rivalët në fazën “play-off” ku në gjysmëfinale do të përballen me Sllovakinë, ndërsa në fazën finale me fituesin e çiftit Turqi-Rumani. Për të folur për Kosovën, zemrën e Shqipërisë, në “Sport News” i ftuar special ishte presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, zoti Agim Ademi.
President, e besoje se brenda kaq pak kohe Kosova mund të shkonte në “play-off” të një Botërori? Çfarë do të thotë për Kosovën kjo arritje?
Vërtet ëndrra ka ekzistuar gjithmonë por duhen pjekur disa kushte. Ja erdhi momenti, ekipi në ditët e veta më të mira dhe realizuam atë që është ëndrra e çdo ekipi kombëtar, për të arritur majat. Do të thotë shumë për Kosovën se kemi vetëm 9 vite pranim në UEFA e FIFA. Futbolli ka filluar shumë më herët, por në këto 9 vite, të arrish këtu, konsiderohet si një sukses që nuk duhet mohuar. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme deri në fund të kësaj gare dhe kësaj ëndrre.
Ademi, besoj tani është më e lehtë të bindësh lojtarë si Ylli Gashi, apo talente të tjera të shpërndarë kudo në botë për të patur zgjedhje të parë Kosovën. I keni bindur me suksesin tuaj që Kosova po bën shumë mirë, është në kulmin e saj, besoj tani nuk është me zgjedhje e parë qoftë Shqipëria apo Zvicra. Ishte ky një sukses i dyfishtë edhe për ju?
Për të bindur futbollistët, duhen të jenë dakord edhe baballarët dhe mëmat e tyre të cilët janë me prejardhje nga Kosova. Diasporës tonë i duket që i kanë mbetur borxh Kosovës dhe janë të lumtur që fëmijët e tyre të prezantojnë Kosovën dhe ta ngrenë pikërisht me dhuntinë e futbollit që kanë. Unë realisht dëshiroj që secili futbollist me të cilin flas të ndjejë Kosovën me zemër dhe pastaj të vendosë për të. Është e vërtetë që shumica prej tyre janë të lindur në shtetet përkatëse si Gjermania, Zvicra e kudo në Europë. Shtetin do ta kenë ku kanë lindur, por Kosova është diçka më e madhe për ta se kanë familjarët dhe është familja ajo që i frymëzon për të përfaqësuar Kosovën. Por besoj se fillimisht zemra, e pastaj projekti që kemi, janë bashkuar dhe secili nga futbollistët që ka gjetur veten dhe e ka parë veten aty në projekt dhe nëse ia ka thënë zemra, e kanë pasur më të lehtë. Tanimë është më e lehtë dhe është normale për faktin se është krijuar ekip, rezultate. Kanë edhe shokët e tyre që janë po ashtu të mirë dhe me potencial për ekipin kombëtar. Sigurisht nëpërmjet tyre do ta ketë edhe më të lehtë që Kosova të afrojë këta futbollistë.
Përpara se të shkojmë dhe diskutojmë për shortin, dua të sqarojmë së bashku disa çështje. Dua ta nis fillimisht me çështjen e mesfushorit Granit Xhaka, i cili u vërshëllye në “Fadil Vokrri”. Pikësëpari, dua një opinion nga ju mbi këtë çështje sepse dua të di si ishte gjithë situata, a diskutuat me vetë lojtarin apo familjarë të tij pas ndeshjes? Çfarë ju thanë?
Në fakt nuk është gjë e mirë, por ndodh, sidomos te Granit Xhaka që është lojtari më i mirë shqiptar në vitet e fundit. Sigurisht që në publik ndodh gjithçka, nuk ka ndodhur vetëm këtë rast. Por mendoj se publiku bën më të mirën dhe do të fitojë ekipi dhe zgjedh formë e mënyra si të shpërqendrojnë ekipin kundërshtar se ai është me Zvicrën. Por ishte një numër i kufizuar, jo i gjithë stadiumi dhe u bënë ato vërshëllima. Por e kam thënë mendimin tim dhe e kam deklaruar se Graniti është një prej më të mirëve shqiptarë dhe është aset kombëtar, është edhe i familjes së nderuar. Njihemi prej kohësh me familjen e tyre, ai vjen, ka familjarët e vet këtu në Kosovë e Prishtinë. Nuk është se është vërshëllyer për veprime të këqija të tij apo familjes, por për të shpërqendruar ekipin, si lloj ndihme…
Ndoshta edhe për shkak të deklaratave që ai dha përpara ndeshjes me Kosovën, shkak i largimit të disa lojtarëve që preferuar të bashkohen me Kosovën e jo me Zvicrën. Ndoshta edhe kjo, sepse u duk sikur kishte një qasje të tifozëve këtë radhë ndaj Granitit. Një “luftë e ftohtë” në distancë…
Mendoj se është vërshëllyer për ndeshjen pasi ata mund të dilnin me deklarata për ta kundërshtuar, por nuk e kundërshtoi askush në këtë drejtim, se është mendimi i secilit. Ashtu e mendon Graniti se është me Zvicrën. Por gjithsesi, është Granit Xhaka, djali i Ragip Xhakës, shqiptar nga Prishtina.
Një deklaratë që do të doja të ndaleshim, për të diskutuar më pas shortin është ajo e Edon Zhegrovës, i cili ka reaguar duke u shprehur “jam në formë dhe mund të luaj 90 minuta”. A ka një çështje Zhegrova, se më bën gjithmonë përshtypje që përmendet shumë emri i tij në të tilla raste, nuk kemi dëgjuar emra të tjerë si Muriqi apo Asllani. Pse pikërisht Zhegrova?
Mediat mund ta interpretojnë si të duan, por ai e ka thënë me kuptimin më të mirë të mundshëm që tani është i gatshëm për të luajtur 90 minuta. E tha qartësisht që kurdo të më jepet rasti, do të jem i gatshëm për 90 minuta për kombëtaren tonë. Nuk ka asgjë të keqe, asgjë tjetër, përveç formatit të tij, sigurisht që është një prej talenteve më të mëdhenj që kanë pasur shqiptarët, sidomos po them Kosova. Edon Zhegrova është futbollisti që mund të bëjë çudira dhe është një prej talenteve më të mira. Ai është anëtar i ekipit tonë që nga vitet më të hershme të tij, është ndër të parët që i është bashkuar Kosovës. Eshtë karakteri i çdo futbollisti por është fatkeqësi që mediat mezi po presin ta marrin e kanalizojnë siç duan ato. Jo të nxirret nga konteksti, por të thuhet ajo që ka thënë, nuk është çështje, është korrektësia e tij ndaj trajnerit dhe njerëzve që i dhanë mundësinë e rastin për të luajtur.
Ndaj pyeta edhe për të sqaruar opinionin publik nëse ka një çështje Zhegrova…
Nuk ka asnjë çështje. Le ta nxjerrin nëse ka një çështje, jo vetëm një fjalë që thuhet sa për të thënë. Por është më mirë të merren me suksesin e Kosovës, jo ta minimizojnë me gjëra periferike. Zhegrova është gjallë dhe është te Juventusi, mund ta pyesni atë dhe sigurisht nuk ka të bëjë me këtë punë, por me mediat që për klikime apo interesa personale e axhenda mund të flasin gjëra të tilla. Ai është aset i kombëtares, jashtëzakonisht i mirë, talent. Se e tregon të jesh te Juventusi dhe ta trajtojë Juventusi si të tillë, edhe nga fjalët e trajnerit Spaleti. Ju e patë që u fut, luajti, ndaj jem të lumtur që e kemi Zhegrovën në ekip.
Ademi, a jeni i kënaqur me shortin. Në gjysmëfinale keni Sllovakinë, mendohet një rival i lehtë në letër, sa shanse mendoni që ka për të vazhduar më tej?
Këto ekipe, apo këta rivalë që kanë qenë në këtë grup, janë pothuajse të njëjtë afërsisht dhe asnjë ndeshje nuk është më e lehtë apo e rëndë. Por secila është finale. Varet si do jetë ajo ditë dhe si të përshtatet me kundërshtarin. Shpresojmë e besojmë të jemi mirë, të mos kemi të lënduar, të mos kemi të ndëshkuar me kartonë. Nuk është pjesa e frikës te kundërshtari, po të japim 100% si ndeshjet e fundit sigurisht besoj se do të kalojmë këtë pengesë, edhe pse është kundërshtar i fortë. E ka treguar, është ekip për t’u respektuar. Ne kemi rrugën tonë, do ecim në rrugën tonë, do vijë marsi shpejt e do shohim gladiatorët “Dardanë” që na kanë bërë të lumtur. Shpresojmë e besojmë që këto dy hapa që i kemi do t’i tejkalojmë e të jemi në Kupën e Botës.
Interesant është fakti që Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovën, mund të keni mundësinë t’i bëni gol në fushë, atë që nuk e bën politika…
Futbolli është apolitik, por gjithsesi nëse do ta shfrytëzojë politika, ta shfrytëzojë. Ne do luajmë futboll e kemi rezultate. Duam që Kosovën ta çojmë sa më lart dhe të ngremë flamurin e Kosovës.
Nëse kualifikoheni për në finale, kë do të preferojë në çiftin Turqi-Rumani? Cilin kundërshtar do të dojë të kishe përballë në finale?
Tani ne i njohim të dy ekipet, i kemi pasur kundërshtarë, kemi pasur ndeshje bashkë. Me Turqinë kemi pasur miqësore dhe ndeshje të tjera. Ndërsa me Rumaninë kemi qene thuajse gjithmonë çdo herë bashkë në kualifikuese europiane e në gara të tjera, ndaj njihemi shumë mirë. Cilado të vijë, do të ishte ekip i fortë për ne, do ishte jashtëzakonisht e fortë. Por gjithsesi, shoh më lehtësim me Rumaninë.
Nëse do kualifikoheni, ndeshjen do ta luani në Prishtinë. A do këtë ndonjë premio për ekipin apo ndoshta politika a ju ka qëndruar pranë qoftë edhe me një shpërblim sado të vogël për ekipin?
Këto janë të rregulluar nga ana e Federatës dhe tani kemi ardhur në fazën e fundit. Besoj se pas Vitit të Ri, në fillimin e 2026, ata që kanë ndër mend të shpërblejnë kombëtaren për rezultatet e arritura dhe ngritjen e shtetit në këtë nivel në kuadër të futbollit, besoj do reflektojnë. Presim që vitin e ardhshëm të sqarohet në këtë çështje dhe në pjesën e federatës gjithçka është ne rregull.
Do më thoni të drejtën, beson realisht që mund të Kosova do të shkojë në Botëror, apo mjafton vetëm prezenca në “play-off” si herë e parë, ku në kaq pak vite ka bërë një gjë shumë të madhe?
Të them të drejtën duke pasur parasysh formën e tashme dhe rezultatet që ka bërë dhe lojën e zhvilluar dhe taktikën që është përdorur me kombëtaren në ndeshjet e fundit, besoj shumë që të vështirë e ka dikush të na mundë e mposhtë. Besoj te grupi e këta djem dhe shpresa ime është që të jenë shëndosh e mitë të gjithë ekipi, të mos kemi të dëmtuar, si në raste të tjera që në ndeshje kryesore na ka munguar 4-5 futbollistë. Ne nuk jemi kombëtare që mund ta përballojmë me 4-5 mungesa por besoj te grupi dhe shpresoj se do të shkojmë në Botëror.
Në “play-off”, përveç Kosovës do të shkojë edhe Shqipëria, për më tepër duke likuiduar Serbinë. I mori 4 pikë në kualifikuese, u festua pa fund në Shqipëri, Kosovë, në vende të tjera ku ka shqiptarë. U cilësua si nëntori i shqiptarisë. Si e keni parë Shqipërinë në këto kualifikuese, e dëshironit në short?
Gjithsesi ajo ka qenë festa e kualifikueseve, se aty ka qenë hapi që besoja shumë se do kalonte këto dy pengesa të tjera Shqipëria shumë më lehtë se Kosova dhe do jetë në Botëror. Sigurisht nuk e doja në short se doja të shkonim të dyja, që të mos eliminonim njëra-tjetrën. Po të ndodhi kjo, kualifikimi i të dyjave, do të ishte një mrekulli e veçantë.
()
and then