
Sot në Voskopojë, nën kujdesin e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë dhe Presidentit të Shqipërisë, u përurua pllaka përkujtimore e Simon Sina – filantropit dhe personalitetit me rrënjë voskopojare, në nder të 200-vjetorit të themelimit të Akademisë Hungareze të Shkencave.
Dinastia Sina, me origjinë nga Voskopoja, është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Evropë. Rruga e tyre, nga qendra e lulëzuar tregtare e Voskopojës drejt Bitolës, Nishit, Vjenës e Budapestit, është dëshmi e fuqisë së dijes, punës, vizionit dhe lidhjeve të thella ndërkulturore që shqiptarët e Voskopojës krijuan në gjithë hapësirën e Europës Qendrore.
Simon Sina njihet në Hungari si një nga mbështetësit historikë të Akademisë së Shkencave, por rrënjët e filantropisë së familjes nisin shumë më herët, me të atin, Gjergj Sina—një nga bankierët dhe filantropët më të spikatur të Perandorisë Austro-Hungareze. Ai financoi ndërtimin e Urës së Luanëve (Széchenyi Lánchíd), ndër monumentet më emblematike të Budapestit, simbol i modernizimit të qytetit dhe një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të shekullit XIX. Emri i tij është i skalitur ende sot në bazamentin jugperëndimor të urës dhe lidhet ngushtë me kontributin e njerëzve me prejardhje shqiptare në kulturën dhe historinë hungareze.
Si personalitet i kohës, Gjergj Sina u dallua jo vetëm për biznesin dhe filantropinë, por edhe për rolin e tij diplomatik. Në vitin 1833, mbreti Otto i Greqisë e emëroi Konsull të Mbretërisë së Greqisë në Vjenë, një pozicion që ai e mbajti deri në fund të jetës. Ky fakt është një dëshmi e rëndësishme e rolit që shqiptarët – arvanitasit dhe voskopojarët – patën në krijimin e shtetit të parë modern grek, duke kontribuar në administratë, diplomaci dhe financë në një periudhë kur lidhjet kulturore me Europën ishin jetike për mbijetesën e shtetit të ri.
Historia e dinastisë vazhdoi me të birin, Simon Sina, i lindur në Vjenë në 1810, i cili trashëgoi dhe rriti edhe më shumë ndikimin e familjes. Edhe pse figura e tij është pretenduar nga disa kultura të rajonit, origjina voskopojare e familjes është e dokumentuar qartë. Familja Sina kishte ardhur nga Bithkuqi i Korçës dhe ishte vendosur në Voskopoja, prej nga nisi rruga e tyre drejt Vienës. Simon u rrit në një familje kozmopolite, të lidhur me qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe ekonomisë europiane, dhe u shqua si bankier, diplomat dhe filantrop i madh. Ai shërbeu si konsull i Greqisë në Vjenë dhe më pas si ministër i saj në Austri, Bavari dhe Gjermani. Në një gjest të paharruar kulturor, ai i kërkoi Johann Strauss II kompozimin e “Hellenen-Polka” për festimet e komunitetit grek në Perandorinë Austro-Hungareze, duke krijuar një urë të re muzikore mes kulturave.
Kontributet e tij filantropike ishin të jashtëzakonshme: ai ishte donator themelues i Akademisë Hungareze të Shkencave; mbështeti ndërtimin e Musikverein-it në Vjenë, një prej institucioneve më të rëndësishme të muzikës klasike europiane; financoi katedrale, institucione arsimore dhe kulturore në Austri, Hungari, Rumani dhe Greqi; përkrahu astronominë – aq sa një krater në sipërfaqen e Hënës mban sot emrin “Sinas”; dhe u bë anëtar i Dhomës së Lartë të Austrisë në vitin 1874. Gjatë luftës gjermano-daneze, ai financoi transportin e trupave austriake nga Schleswig-Holstein, duke dëshmuar edhe një herë rol të gjerë në jetën shtetërore të kohës.
Kontributi i Simon Sinës për Greqinë kulmoi me dhurimin e ndërtesës së Akademisë së Athinës – një ndër veprat më madhështore neoklasike të qytetit. Në vitin 1856, ai vendosi të dhuronte për shtetin grek ndërtesën që sot përbën zemrën e shkencës dhe mendimit akademik të vendit. Ndërtimi nisi në vitin 1859 dhe u përfundua nga bashkëshortja e tij Ifigjenia Sina në vitin 1885, sipas testamentit të tij. Por vetëm në vitin 1926, përmes vendimit të Ministrit të Arsimit të Greqisë, Dhimitër Egjiniti – një arvanit nga Egjina – u dekretua misioni dhe struktura moderne e Akademisë së Athinës. Kjo vepër është një dëshmi tjetër e pashlyeshme e rolit të shqiptarëve dhe arvanitasve në formimin e institucioneve më të larta të shtetit grek. Ndër akademikët e parë të kësaj akademie gjendeshin emra si Dhimitër Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda, Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksandër Diomidhi, Maksim Miçopoulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu dhe Teofil Vorea – të gjithë me prejardhje arvanite.
Sina-t nuk e harruan kurrë vendin e tyre të origjinës. Ata dërguan shumë të rinj shqiptarë me bursa në universitetet europiane dhe mbështetën komunitetin shqiptar në mënyra konkrete dhe të qëndrueshme.
Në Hungari, marrëdhëniet e Simonit me rrethet aristokratike u shënjuan nga nuanca të veçanta të epokës. Disa prej nismave të tij për të krijuar lidhje më të ngushta shoqërore u pritën me rezervë, një reflektim i zakonshëm i protokolleve të mbyllura të kohës. Me kalimin e viteve, ai e orientoi filantropinë e tij drejt institucioneve greke dhe qendrave të tjera të mëdha shkencore e kulturore të Europës, duke vijuar misionin e tij për të ndërtuar ura mes kombeve dhe vizioneve.
Gjurmët që familja Sina la në Hungari janë të pashlyeshme: Akademia Hungareze e Shkencave, institucionet që mbështeti dhe Ura e Luanëve mbeten vepra që nuk mund të përfytyrohen pa emrin e tyre. Rruga e kësaj dinastie, nga një qytet shqiptar si Voskopoja drejt Vienës dhe Budapestit, është një rrëfim frymëzues për ndikimin që shqiptarët kanë pasur në historinë europiane.
Në ceremoninë e sotme mori pjesë edhe Shoqata e Miqësisë Shqipëri–Hungari, forum i rëndësishëm kulturor e shoqëror, praninë e së cilës kam kënaqësinë ta përfaqësoj si bashkëkryetare, së bashku me Perparim Kabon, Edvin Libohovën, Roland Tashon dhe partnerë të tjerë të përkushtuar. Prania jonë ishte një dëshmi e miqësisë së qëndrueshme mes dy popujve dhe e vullnetit të përbashkët për të vazhduar të ndërtojmë ura bashkëpunimi.
Filantropia e familjes Sina mbetet një shembull i fuqishëm që frymëzon: investimi në dije, në kulturë dhe në të mirën publike është forma më fisnike e trashëgimisë—ajo që ndërton ura mes kombeve, ashtu si Ura e Luanëve që qëndron sot mbi Danub si testament i vizionit të tyre.
Mira Hoxha
Ps. Ky inaugurim mbyll sot edhe një punë të pambaruar nga mandati im si Ambasadore në Hungari dhjetë vite më parë, kur një nga objektivat e mia kryesorë ishte afrimi i bashkëpunimit mes dy Akademive të Shkencave, me familjen Sina si gur themeli të kësaj marrëdhënieje historike.
and then