
Qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë gdhirë nën ujë mëngjesin e sotëm në fshatin Murqinë të Krujës.
Shkak i kësaj situate është bërë dalja nga shtrati e lumit Ishëm si pasojë e reshjeve të dendura të rëna gjatë 24 orëve të fundit.
Lagja fundore e fshatit Murqinë që lidh lagjen me pjesën tjetër të vendit është e izoluar pasi rruga është mbuluar nga uji, niveli i të cilit në disa pika shkon rreth 40 cm duke e bërë rrugën të kalueshme vetëm me mjete të larta…
Fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për problematika të tjera, por gjithçka varet nga reshjet dhe prurjet e lumit nga Tirana. Nëse shirat do vijojnë me intensitet dhe prurjet e lumit do rriten, situata do agravojë.
Mjafton të kujtojmë në të shkuarën, ku për të evakuuar banorët nga disa lagje të këtij fshati është dashur ndërhyrja e polumbareve me gomone por edhe ndërhyrja me helikopter.
Është i frikshëm fakti se edhe pse kjo zonë përmbytet çdo vit, madje disa herë në vit, asnjë masë nuk është marrë për përmirësimin e kësaj gjendjeje e cila vijon prej dekadash.
and then