
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përmbyllur fazën kryesore të hetimeve për dy procedime penale që lidhen me një grup të strukturuar ndërkombëtar, i dyshuar për trafikimin e narkotikëve, pastrimin e parave, korrupsion dhe veprime të tjera penale.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Antimafia të Breshias në Itali dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme autorizoi kryerjen e kontrolleve për 21 persona nën hetim. Kontrollet u ekzekutuan sot, më 27 nëntor 2025, nga shërbimet e Policisë së Shtetit, ndërsa vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
Sipas hetimeve të përbashkëta me autoritetet italiane, grupi ishte i strukturuar me bazë në Shqipëri dhe degëzime në Itali. Dyshohet se ai trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës Veriore, përmes rrugëve detare, ndërsa më pas e transportonte drejt Italisë me mjete të tonazhit të rëndë.
Prokuroria italiane ka sekuestruar mbi 1.3 ton kokainë, e ndarë në gjashtë baza logjistike në të gjithë Italinë, ku dyshohet se droga ruhej, magazinohej dhe shpërndahej. Paratë e përfituara nga shitja, sipas hetimeve, transferoheshin tek drejtuesit e grupit përmes të ashtuquajturve “money mules”, mes tyre edhe disa shoferë autobusi që lëviznin në linjën Itali–Shqipëri.
Gjatë operacioneve të kryera në Itali janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar:
-550 mijë euro cash
-10 automjete
-1 pistoletë gjysmëautomatike
-130 kg drogë (kokainë dhe heroinë), me vlerë tregu rreth 12 milionë euro
Nga 24 persona për të cilët janë vendosur masa sigurie nga autoritetet italiane, 6 ndodhen në Shqipëri, prej të cilëve 3 janë arrestuar.
SPAK ka siguruar prova që tregojnë se shtetasi I.H., oficer i Policisë Gjyqësore në Forcën e Posaçme Operacionale, ka zbuluar të dhëna sekrete të procedimeve hetimore për persona të dyshuar, duke komprometuar hetimin. I njëjti dyshohet se ka kërkuar përfitime monetare të paligjshme në këmbim të informacionit dhe ka kryer shkelje të tjera të rënda të detyrës.
Njoftimi i SPAK:
SPAK finalizon hetimet për grupin ndërkombëtar të trafikut të narkotikëve; arrestime, sekuestrime dhe masë sigurie për një oficer të policisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar fazën kryesore të hetimeve për procedimet penale nr. 49/3 (viti 2023, ish nr.49 viti 2019) dhe nr. 29 viti 2024, që lidhen me veprimtari të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimit të parave, korrupsionit dhe veprave penale* të parashikuara nga disa nene të Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lejimin e kontrolleve dhe të vëndeve për 21 persona nën hetim, kontrolle të cilat janë kryer, sot më datë 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Procedimet penale të mësipërme janë hetuar në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili ka pasur qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky grup i strukturuar kriminal, i nisur nga territori shqiptar me degëzime organike në territorin italian, dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në Europë (pjesën veriore të saj), përmes rrugëve detare, duke e eksportuar, përmes rrugëve tokësore në automjete të tonazhit të rëndë, drejt Italisë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, në një vlerë mbi 1.300 kg. Kjo sasi pasi ka hyrë në territorin italian, dyshohet se është ruajtur dhe magazinuar, për t’u shpërndarë në 6 baza logjistike operative, të krijuara nga grupi kriminal, në të gjithë territorin italian.
Në brendësi të këtyre bazave që përdoreshin për për ruajtjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike, personat përgjegjës, dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e sasive të lëndëve narkotike dhe me mbledhjen e parave ‘cash’, të përfituar nga shitja. Shuma e konsiderueshme e parave të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike dyshohet se është transferuar tek drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’ (korrierë /transportues financiarë), të cilët bëjnë pjesë në grupin kriminal, ku bënin pjesë edhe disa shoferëve të autobuzëve, që vepronin në linjën Itali- Shqipëri.
Përveç masave të sigurisë, të caktuara sot, më 27.11.2025, gjatë veprimtarisë hetimore të kryer nga autoritetet italiane janë arrestuar në flagrancë 10 subjekte, pjesë e grupit kriminal dhe janë sekuestruar mbi 550.000 euro ‘cash’, 10 autovetura, 1 pistoletë gjysmëautomatike dhe 130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë) e cila, në rast se do të hidhej në treg mund të arrinte vlerën e rreth 12 milionë eurove.
Nga 24 persona, për të cilët është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane – është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri, 3 prej të cilëve janë arrestuar.
Gjithashtu, gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat provojnë se shtetasi I.H, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale për procedimin penal në fjalë u ka zbuluar personave të dyshuar, të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor”. Shtetasi I.H ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.
Veprat penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2, 334/1, 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç të Kodit Penal.
and then