“A do t’i japë Kushtetuesja të drejtë qeverisë për Ballukun?”/ Lubonja: Presioni i Ramës mesazh se po e mbron, por janë amerikanët…

Analisti Fatos Lubonja në një intervistë në “News 24” foli për aferat e tunelit të Llogarasë, pezullimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke u ndalur edhe te drejtësia e re.

Gjatë intervistës, Lubonja tha se në rast se Gjykata Kushtetuese do t’i jepte të drejtë qeverisë, atëherë kjo do të ishte tërësisht flagrante, pasi korrupsioni është i qartë për të gjithë.

“Mendimi është që Gjykatë Kushtetuese ka marrë vendime herë pas herë në favor të pushtetit, qeverisë. Nga ana tjetër kam mendimin se kjo është një gjë flagrante, nëse do i japin të drejtë qeverisë. Këtu luhet me pjesën se sa kanë personalitet gjyqtarët. Kjo gjykatë, gjithsesi ata gjyqtarë e kanë të vështirë të marrin vendim pro qeverisë, sepse skandali është dukshëm. Pra e kanë shumë vështirë t’i dalin kundër kolegëve të tyre në drejtësi. Është një test i drejtësisë tonë. Padyshim që ka një presion të shtuar. Dhe në këtë vendin tonë janë intrigat dhe mund të mendohet që Rama i bën presion sinqerisht drejtësisë. Por edhe për t’i dhënë mesazhin Ballukut se unë i bëra të gjitha të të mbroj, por nuk kam çfarë të bëjë sepse janë edhe disa amerikanët nga pas. Dhe mendimi është se të gjithë këto gjëra nuk bëheshin dot pa Ramën. Minimalisht duhet të merreshin në pyetje”, tha ai.

Më tej Lubonja tha se nuk mund të ketë drejtësi të plotë nëse nuk shkohet te kryetari i bandës, që sipas tij është kryeministri Edi Rama. Gjatë intervistës Lubonja shtroi disa hipoteza mes të cilave se “goditja ndaj Ballukut mund të ketë të bëjë edhe me grupime brenda PS që po ndeshen mes tyre”.

“Por çështja është a kemi një SPAK me regji? A kemi një drejtësi me prokurorë që kanë personalitetin e vet? Unë ngre si pyetje se a janë marrë vesh…Por është edhe varianti që guximi që ju vjen këtyre është guximi individual i njeriut. Një tjetër hipotezë, mund të them se kjo goditje ndaj Ballukut ka të bëjë me dy grupime brenda PS që po ndeshen aty. Janë të gjitha hipotezat”, u shpreh Lubonja, duke shtuar: “Të kesh mbështetje amerikane dhe kurajën e disa njerëzve, patjetër, që bëhet më shumë. Sot nga gjithë këto ngjarje njerëzit duhet të ishin në rrugë. Kur ndodhu 700 mijë eurosh-i I Ilir Metës a ju kujtohet se çfarë u bë? Por sot ka një lodhje dhe zhgënjim të madh të popullit me politikën. Ndikon edhe fakti që PS ka punuar për të rritur klientelën dhe për të korruptuar çdo qelizë të familjeve shqiptare”.

Sa i përket “Foltores 2”, Lubonja nuk u shpreh shumë optimist, pasi sipas tij, qytetarët kanë humbur besimin tek klasa politike. Megjithatë “Foltorja2”, -tha Lubonja është një përpjekje që duhet bërë, por sipas tij opozita duhet të mendojë për një tjetër qasje që të ketë një reagim më masiv, pasi “narkoshteti” që është krijuar duhet çmontuar.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×