
Emisioni investigativ Vetting, News24
Më 24 maj 2023, mbi tavolinën e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku do të vendosej kontrata për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MW në zonën e Semanit, në fshatin Povelçë, në njësinë Administrative Topojë, nga kompania “Orher” shpk. Brenda ditës kontrata do të nënshkruhej me aq nxitim sa askush nuk do të vërente se kishte gabime me vendndodhjen e impiantit, gjë e cila ngre dyshime për vlefshmërinë e kësaj kontrate dhe dyshime për afera.
Në fakt, nga informacionet e grumbulluara rezulton se pas kompanisë që ka përfituar centralin fotovoltaik qendrojnë njerëz të lidhur me Genti Klosin, vëllain e Ceno Klosit, deputetin e Partisë Socialiste që është nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh. Klosi është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish zv.kryeministres Belinda Balluku, si ish-Drejtor i ish-Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, si edhe ish zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga të gjithë bashkëpunëtorët e ish-ministres Balluku, Ceno Klosi është i vetmi që endet i lirë, i pashqetësuar nga Prokuroria e Posaçme edhe pse “Vetting” ka denoncuar me fakte fshehjen e pasurisë si kompania “First Bar Limited” dhe hotelin, të dyja në Londër të Britanisë së Madhe.
Njerëzit e Klosit pas impiantit fotovoltaik në Fier
Informacionet e reja që kanë dalë së fundmi zbulojnë se personat që kanë menaxhuar pasuritë e vëllait të Ceno Klosit, Genti Klosi janë po të njëjtit që kanë përfituar licenca dhe leje ndërtimi për impiant prodhimi fotovoltaik në qytetin e Fierit, pranë bregdetit.
Historia për impiantin fotovoltaik ka nisur më herët me krijimin e shoqërisë “Orher“ sh.p.k në dhjetor 2020, por zhvillimet që do të sillnin dyshime se pas kësaj kompanie fshihet Ceno Klosi do të ndodhnin në 19 janar 2023. Nga administrimi i kompanisë do të largohej Mirel Mjekra për t’u vendosur Maria Mino dhe si zotërues i kompanisë është kompania SEAN sh.p.k, me pronare fundore Aulona Gaxhenji, e cila në fillim të vitit 2024 do t’ia shiste pronësinë kompanisë “FINVEST“ me aksioner Julian Dhimën.
Administratorja Maria Mino ka qenë menaxhere e restorantit luksoz të vëllait të Klosit, Genti Klosi që zotëron kompaninë “T.O.V 2019“. Menjëherë sapo Mino të bëhej administratore, pas disa muajsh në maj 2023 ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku do të lidhte kontratën “Për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MW, në zonën e Semanit, në fshatin Povelçë, Njësia Administrative Topojë në Bashkinë Fier me shoqërinë ‘Orher’ sh.p.k.
Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se Enti Rregullator i Energjisë deklaron se zona është në fshatin Grykë të njësisë administrative Topojë, ndërkohë që kontrata e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë për një ndërtim në fshatin Povelçë po në njësinë administrative Topojë.
Në këtë rast, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë një gabim, që tregon një problem serioz.
Kjo pasi edhe në lejen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit specifikohet zona dhe vendi, e cila është në fshatin Grykë në njësinë administrative Topojë të Bashkisë Fier. Faktikisht fshati Povelçë ndodhet në njësinë administrative Dërmenas të Bashkisë Fier, kurse fshati Grykë në njësinë administrative Topojë.
Gabimi lidhet me faktin se fshati Povelçë dhe fshati Grykë janë vendndodhje të ndryshme në njësi të ndryshme administrative në Bashkinë Fier. “Vetting” ishte në terren për të verifikuar vendndodhjen e centralit fotovoltaik dhe zbuloi se ky impiant gjendej në fshatin Grykë dhe jo në fshatin Povelçë.
Në këtë rast, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë por edhe Enti Rregullator i Energjisë kanë bërë një gabim, i cili mund t’i bëj të pavlefshme veprimet e kryera deri tani. Gabimi i parë ka ardhur nga
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por si është e mundur që Enti Rregullator ka miratuar këtë licencë pa verifikuar vendndodhjen?
A ka marrë porosi Enti Rregullator për të dhënë këtë licencë pavarësisht gabimeve dhe e ka miratuar?
Si mund të kalojë një licencë me fshatra të ndryshme pa u korrigjuar? Si mund t’i japësh licencën pa verifikuar vendndodhjen e fshatit?
Më 16 shtator 2025, Partia Demokratike do të bënte një kallëzim për dosjen që lidhet me kontratën e kompanisë ORHER shpk dhe vetëm para disa ditësh nëntor 2025, SPAK do të deklaronte se është regjistruar procedimi penal me nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme do të deklaronte se materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar në shtator 2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal nr.95, viti 2025 dhe se ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.
“Vetting” kontaktoi Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në lidhje me gabimin për vendndodhjen e centralit fotovoltaik, por derin në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë deklaratë nga institucionet.
Por kontrata e fotovoltaikut nuk është e vetmja gjë që rëndon mbi Ceno Klosin pasi edhe si kryetatimor te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na rezultojnë shkelje të panumërta nga deputeti i Partisë Socialiste.
Klosi la në hije OJF që paraqesin rrezik për pastrim parash dhe terrorizëm
Një nga problemet e heshtura ndaj të cilit askush nuk e ka hedhur një gurë deri më sot, as Prokuroria dhe as Tatimet janë organizatat jofitimprurëse me aktivitet të dyshimtë financiar. Sinjalizimi për mungesën e auditit tek këto organizata ka ardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe lidhet vetëm me OJF-të, të cilat kanë probleme me financimin, kush qendron mbrapa tyre dhe cili është qellimi.
Mesa duket një nga njollat që do ti ngelet Klosit si kryetatimor është edhe fakti se Drejtoria e Tatimeve gjatë kohës së tij nuk ka realizuar asnjë program kontrolli pranë organizatave jofitimprurëse. Në fakt, OJF-të kanë qenë në qendër të vëmendjes sepse jo rrallëherë ka patur dyshime se përdoren për pastrim parash.
Nga auditi rezulton se Tatimet nën drejtimin e Ceno Klosit nuk ka filluar asnjë program kontrolli përgjatë vitit 2023 pranë organizatave jo fitimprurëse që operojnë në vendin tonë. Sipas informacionit nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut te Tatimet, rezulton se në 5 vitet e fundit nuk është kryer për asnjë rast propozime kontrolle pranë këtyre OJF-ve.
“Nga databaza e aktivitetit për 5 vitet e fundit, ekzistojnë OJF me qarkullim deri në 728,808,724 lekë, por gjithashtu edhe për risqet e tjera që këto biznese mbartin të tilla si diferenca mes të ardhurave/shpenzimeve të deklaruara në pasqyrat financiare të dorëzuara në C@ts, krahasuar me situatën që është raportuar në FDP, pagave të ulëta të deklaruara në listëpagesa, tatimit në burim, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit etj. por gjithashtu edhe për riskut që këto biznese mbartin të tilla si diferenca mes të ardhurave/shpenzimeve të deklaruara në pasqyrat financiare të dorëzuara në C@ts, krahasuar me situatën që është raportuar në FDP, pagave të ulëta të deklaruara në listëpagesa, tatimit në burim, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit“ , shkruhet në raportin e auditit për vitin 2023.
Auditi ngarkon me përgjegjësi në mënyrë specifike Ceno Klosin, i cili ishte larguar gjatë kohës që është publikuar raporti. Madje nga informacioni i marrë te Sektori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, për vitin 2023 nuk ka raste për hetime të filluara me iniciativën e vet Tatimeve.
Këtë problem nuk e ka ngritur vetëm auditi, por edhe Prokuroria e Posaçme, ku drejtuesi i saj Altin Dumani ka vendosur theksin edhe te Tatimet që nuk bëjnë denoncime për raste korrupsioni apo pastrim parash.
Megjithatë OJF-të janë vetëm një sektor që ish kryetatimori ka bërë shkelje pasi një tjetër fakt i rëndë lidhet edhe me procesin e punës së tatimeve me masat ndaj punonjësve. Klosi në vend që të merrte masa për vërejtje dhe largim nga puna për inspektorë dhe drejtora tatimesh që zbatojnë urdhrat e tij në shkelje të ligjit, ka zgjedhur ti kundërvihet Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Madje një nga mangësitë më të mëdha është fakti i ekzistencës së detyrimeve tatimore jashtë sistemit aktual. Pra, në një institucion shtetëror si Tatimet Klosi ka vendosur të mos shënojë detyrimet tatimore sipas ligjit, por me skema që ngrenë dyshime për mënyrën se si është drejtuar ky institucion.
Hoteli i fshehtë i Ceno Klosit në Londër, kur do sekuestrohet?
Më 7 Qershor 2024, Klosi do të emërohej zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë duke qenë në konflikt interesi me detyrën pasi edhe sot e kësaj dite që Klosi është deputet vazhdon të jetë në konflikt interesi. Kjo pasi ai rezulton aksioner aktiv te kompania “First Bar Limited” dhe pronar i një hoteli luksoz në Londër të Britanisë së Madhe.
Nëpërmje burimeve konfidenciale “Vetting” ka siguruar informacione, të cilat zbulojnë se Klosi është njëri nga tre pronarët e një hoteli prestigjioz në Londër.
“Biznesi në Mbretërinë e Bashkuar në të cilin Klosi zotëron 33% të aksioneve, First Bar Limited, ka në zotërim të drejtën e leasehold për një pub në Surrei- Foresters Arms në Hampton Uick, të cilën e bleu më 31 maj 2019 për 108 mijë paund”- tha një burim për Vetting.
Liz’hold (Leasehold) është një formë e marrjes me qira të tokës ose pronës, ku njëra palë blen të drejtën për të zënë tokë ose një ndërtesë për një kohë të caktuar.
Nga të dhënat në faqen zyrtare të kësaj prone të paluajtshme zbulohet se ky hotel me restorant dhe pub-i është krijuar në vitin 1861. Madje pas ndryshimit të menaxhimit te “The Foresters Arms” është ndryshuar pjesërisht dekorimi, ku kompania ka bërë investime të reja.
Nga dokumentet zyrtare zbulohen detaje të tjera për transaksionet e këtij hoteli, të cilat “Vetting” i ka siguruar nga Regjistri i Tokës ose “HM Land Registry”, i cili është pjesë e Departamentit për Nivelimin, Strehimin dhe Komunitetet, që varet nga Sekretari i Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Në dokumentin e datës 20 mars 2022, kompania “First Bar Limited” konfirmohet si zotëruese e këtij hotel-pubi, me adresën fillestare të kompanisë. Aty evidentohet edhe shuma e blerjes së kontratës, e cila konfirmon transaksionin me vlerë 108 mijë paund.
Mosdeklarimi i këtij aseti në mënyrë specifike, e ka bërë Ceno Klosin subjekt të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive”, ku zyrtarët e lartë duhet të deklarojnë në çdo rast pasuritë që ata zotërojnë sipas nenit 4, pika a të po këtij ligji.
Në asnjë moment nuk zbulohet ky aset nga Ceno Klosi në deklaratën fillestare në ILDKPKI-së, duke shtuar numrin e shkeljeve që ka bërë kreu i Tatimeve. Madje Ceno Klosi përsëri vit pas vit deklaratën e pasurisë, duke përsëritur edhe fshehjen e pasurisë, si ish Drejtor i Përgjithshëm te Tatimet, si ish zv.ministër te Infrastruktura dhe si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Por si nisën problemet e Klosit me kompanitë në offshoret e Londrës?
Në Janar 2019, Ceno Klosi do të bëhej një nga ortakët e kompanisë “First Bar Limited” me seli në Londër, së bashku me Redin Dokaj dhe Ritvan Dhamo. Klosi zotëronte 33% të aksioneve, siç i ka edhe aktualisht sot që flasim, por problemet e tij me këtë kompani do të fillonin kur do të kalonte në krye të ish Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta.
Në formularin e dorëzuar te Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Klosi nuk do të deklaronte se kishte përfituar kredi në 5 maj 2020 nëpërmjet kompanisë “First Bar Limited” nga bankat britanike.
Nga dokumentet zyrtare, ai nuk ka deklaruar Fondin e Përbashkët të kompanisë me vlerë 33 mijë paund për vitin 2020 dhe me vlerë 121 mijë paund për vitin 2021. Gjithashtu kompania ka patur llogari bankare me vlerë 18 mijë paund në vitin 2020, të cilat janë 4-fishuar në 72 mijë paund në vitin 2021.
Por ky është problemi më i vogël sepse gjërat u komplikuan kur bankieri nga Fieri vendosi të kalonte në krye të Administratës Tatimore. Ngelet mister se si Klosi ka pranuar të marrë një post, i cili me fshehjen e kompanisë do ta vendoste përballë shkeljeve të Kodit Penal.
“Vetting” ka zbuluar se Klosi nuk ka hequr dorë nga aksionet e kompanisë dhe të vetëdeklarimi i formularit të pasurisë.
Akoma më i paqartë ngelet fakti se pse Ceno Klosi nuk dha dorëheqjen nga aksionet e kompanisë në Londër, ku edhe sot e kësaj dite rezulton aksioner në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike. Sipas nenit 22, të këtij ligji, Ceno Klosit i ndalohet që të zotërojë aksione ose pjesë në kapital, si dhe çdo lloj përfitimi tjetër, që nuk buron nga zotërimi pasiv, nga shoqëritë tregtare.
Së fundmi, Prokuroria e Posaçme ka marrë çështjen e Bankers Petroleum dhe ka vendosur nën hetim edhe institucionin e Tatimeve, ku duhet theksuar se për rreth 4 vite, ky institucion është drejtuar nga deputeti Ceno Klosi, ndaj të cilit sa vijnë e shtohen dosjet në Prokurori, por deri më sot nuk ka asnjë masë pezullimi apo ndalimi nga SPAK.
and then