
Suksesi në derbi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për Milan, me Allegrin dhe “djajtë” e tij që morën jo vetëm një 3 pikësh të artë, por dhe një dozë të lartë psikologjike, por tani, në këtë pikë të sezonit, kërkohet vazhdimësia, diçka që Milanit i ka munguar në disa momente kyçe të sezonit. Kalendari i rezervon kuqezinjve këtë fundjave një rival jo të lehtë, Lazio, por ky është një shans i artë që Milan të zgjohet qoftë dhe për një ditë në krye, ose më saktë të kalojë presion te Roma, me ekipin e Gasperinit që duhet të bëjë llogaritë me Napolin.
Nëse realisht Milan dhe Allegri synojnë titullin në Serie A, kjo është fundjava e duhur për ta vërtetuar. Në dyshim të fortë për këtë sfidë mbetet Pulisic, me amerikanin që nuk është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit, shanset që të jetë në fushë janë thuajse zero, pasi stafi mjekësor nuk dëshiron të rrezikojë.
Allegri ka një dilemë të madhe se kush do të jetë partneri i Leaos në sulm, ku Nkunku dhe Loftus-Cheek janë në balotazh për një fanellë titullari. Nuk do të jenë të disponueshëm për këtë takim Gimenez dhe Athekame. Ndërkohë, lajm pozitiv është rikuperimi i plotë i Saelemaekers.
Një sfidë brenda sfidës do të luhet edhe në pankinë, Allegri kundër Sarrit, dy filozofi të kundërta, dy trajnerë që vijojnë prej vitesh rivalitetin në distancë.
and then