
Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi atentatin e mbrëmjes së dielës në Elbasan, ku u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni 43-vjeçar Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka.
Burime policore konfirmojnë se, përveç “Audi”-t të djegur të gjetur në Mirakë, policia ka identifikuar edhe një tjetër automjet të dyshuar si të përfshirë në ngjarje. Ky automjet është lokalizuar në qytetin e Durrësit dhe është sekuestruar për ekspertizë të thelluar, pasi dyshohet se mund të jetë përdorur në fazat përgatitore ose pas ekzekutimit.
Të dy automjetet po analizohen nga ekspertët e kriminalistikës për gjurmë biologjike, daktiloskopike dhe provë materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Siguria dhe rendi publik në qytetin e Elbasani u trondit rreth orës 20:35 të së dielës, kur Mehalla u gjet i vrarë brenda automjetit të tij të parkuar pranë biznesit të tij në Unazën Jugore. Sipas ekspertëve, ai është qëlluar me tre plumba, dy në kokë, çka tregon një ekzekutim të mirëorganizuar.
Biznesmeni, sipas të dhënave paraprake, sapo kishte dalë nga zyra e tij dhe ishte futur në mjet në momentin e sulmit. Përplasja që pati disa ditë më parë për shkaqe ende të paqarta po merret seriozisht si një nga pistat kryesore të hetimit.
Ditën e sotme, në vijim të veprimeve hetimore, u gjet në fshatin Mirakë një automjet tip “Audi”, i djegur plotësisht, i dyshuar si mjeti me të cilin autorët u larguan nga vendngjarja. Ky zbulim, së bashku me automjetin e dytë të identifikuar në Durrës, po konsiderohen si prova kyçe për zbardhjen e skemës së atentatit.
Ndërkohë, policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe vijon kontrollet në terren, në banesa dhe rrugë dytësore.
Të paktën 15 persona janë shoqëruar deri tani dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e vrasjes. Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, po punon për mbledhjen e çdo prove, përfshirë këqyrjen e pamjeve filmike të zonës, që mund të ndihmojnë në identifikimin e atentatorëve.
Burime zyrtare konfirmojnë se Mehalla kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Po ashtu, konflikti i ndodhur pak ditë para ekzekutimit po konsiderohet një pistë e mundshme e lidhur me motivin e ngjarjes.
Hetimet po vijojnë në disa drejtime paralelisht, ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar pasi edhe dëshmitë e siguruara nga pyetjet e deritanishme të shtetasve të shoqëruar nuk japin indicie të qartë për pistën e hetimit. Në pyetje janë marrë edhe të afërm të tij të cilët mund të hedhin dritë mbi identifikimim e incidenteve apo problemeve me të cilat 43-vjeçari mund të jetë përballur kohët e fundit.
and then