
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur sot vendimin për çështjen penale ndaj të pandehurve Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Procesi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, çka solli edhe uljen e dënimeve me një të tretën.
Gjykata shpalli fajtor Florian Habilajn për dy episode të veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, njëri i mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Fillimisht, për të tre akuzat, gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 15 vitesh burg, i cili u ul në 10 vite në zbatim të gjykimit të shkurtuar. Habilaj do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Edhe i pandehuri Armando Sulaj u shpall fajtor për “Trafikim narkotikësh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Pas aplikimit të nenit 55, dënimi i tij i bashkuar ishte 9 vite burg, i cili u reduktua në 6 vite përfundimtare. Edhe Sulaj do ta vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë.
Për Sabaudin Çelajn, gjykata përcaktoi fillimisht një dënim të bashkuar prej 15 vitesh burg për “Trafikim narkotikësh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Me uljen për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite burg në një burg të sigurisë së lartë.
Tigrens Mëzuraj u dënua me një dënim të vetëm prej 9 vitesh burg, i reduktuar në 6 vite pas uljes ligjore për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe ai do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
and then