
Tashmë pacientët që trajtohen me kimioterapi në Pavionin e Onkologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk do të përballen më me pritje të gjata dhe kushte të papërshtatshme gjatë mjekimit. Falë një ndërhyrjeje të realizuar nga Fondacioni Mane, kushtet e trajtimit janë përmirësuar ndjeshëm, duke iu përgjigjur nevojave të një shërbimi, ku çdo ditë trajtohen pacientë nga e gjithë Shqipëria.
Në kuadër të kësaj ndërhyrjeje, Fondacioni Mane ka dhuruar 30 poltronë të rinj me parametra modernë, ka riparuar 7 poltronë ekzistues dhe ka kontribuar në përmirësimin dhe zgjerimin e hapësirës së trajtimit. Për herë të parë është krijuar edhe një ambient i ri për marrjen e kimioterapisë ditore, i cili tashmë është plotësisht funksional dhe në dispozicion të pacientëve.
Falë këtyre përmirësimeve, është rritur ndjeshëm kapaciteti i trajtimit dhe është mundësuar një organizim më i mirë i shërbimit, duke shmangur grumbullimet dhe pritjet e gjata të pacientëve.
“Ju falenderoj për mbështetjen, pasi kjo nuk është vetëm një ndihmë në aspektin njerëzor, por në të gjitha dimensionet. Është krijuar një ndryshim cilësor, jo vetëm në aspektin viziv, por edhe në atë funksional të kësaj njësie. Fluksi që kemi, si në këtë dhomë ashtu edhe në dhomën tjetër, është afërsisht 90 deri në 110 pacientë në ditë. Tashmë mendojmë se jemi në kushte optimale për t’u ofruar pacientëve trajtimin, sidomos për sa i përket kohëzgjatjes dhe organizimit, në mënyrë që të mos vijnë të gjithë njëkohësisht dhe të presin, por të jenë të ndarë sipas orareve të tyre”, shprehet Helidon Nina, Shef i Pavionit të Onkologjisë në QSUNT
Pavioni i rinovuar u vizitua edhe nga Themeluesi i Fondacionit Mane, Samir Mane, i cili theksoi se kjo nismë nuk do të mbetet vetëm në Tiranë, por do të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit, për të ndihmuar sa më shumë pacientë.
“Nëse shkojmë edhe në rrethe, ndoshta është edhe më mirë, sepse shumë pacientë vijnë në Tiranë. Le ta mbajmë këtë si një iniciativë për vitin që vjen: të vizitojmë spitalet, t’i kontaktojmë, të shohim sa shtretër kanë dhe sa u duhen, të rregullojmë ambientet dhe ta bëjmë këtë një ndihmë konkrete, sado e vogël”, deklaron Samir Mane, Themelues i Fondacionit Mane
Kjo ndërhyrje është pjesë e misionit të Fondacionit Mane për të mbështetur shëndetin dhe mirëqenien në komunitet, përmes investimeve me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në jetën e njerëzve.
and then