Reshjet e dendura të shiut, si është situata në qarkun e Elbasanit/ Breshër dhe dëbor në zonat malore, lumi Devoll ka dalë nga shtrati dhe…

Qarku i Elbasanit është përfshirë gjatë orëve të fundit  nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, të shoqëruara me reshje shiu me intensitet mesatar dhe të dendur  dhe breshër.

Në zonat malore, në lartësi mbi 700 metra mbi nivelin e detit, kanë nisur reshjet e dëborës, duke krijuar nevojë për monitorim të vazhdueshëm të situatës rrugore.

Akset rrugore nacionale në të gjithë qarkun raportohen të hapura për qarkullimin e mjeteve.

Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, konkretisht në zonën e Qafë Thanës, reshjet e dëborës kanë kërkuar menaxhim të trafikut nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po sigurojnë lëvizjen e automjeteve pa probleme madhore.

Në aksin rrugor Gramsh–Moglicë është konstatuar prezencë gurësh në disa segmente, si pasojë e reshjeve, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së menjëhershme të firmës kontraktuese, e cila ka kryer pastrimin e rrugës.

Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës nuk paraqesin problematika deri në këto momente.

Ndërkohë, nga HEC Moglicë vijojnë shkarkimet në nivelin 390 m³/sekondë, paralelisht me prodhimin e energjisë elektrike.

Këto prurje nuk kanë shkaktuar probleme në Bashkinë Cërrik, përjashtuar daljen e lumit Devoll në disa pika, duke sjellë përmbytjen e disa sipërfaqeve toke bujqësore.

Në Bashkinë Belsh, konkretisht në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan, situata mbetet e pandryshuar. Si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Devoll, vijojnë përmbytjet e tokave djerrë dhe atyre bujqësore, pa raportime për rrezik për banesat.

Furnizimi me energji elektrike në qark paraqitet përgjithësisht i qëndrueshëm dhe pa probleme serioze.

Megjithatë, ndërprerje të energjisë janë raportuar në Njësitë Administrative Klos dhe Mollas, si pasojë e rënies së disa shtyllave elektrike të dëmtuara nga prurjet e lumit Devoll.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×