
Edhe pse reshjet mesatare vjetore kanë rënë lehtë që nga vitet 1950, përmbytjet janë kthyer në rrezikun klimatik më të shpeshtë në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit. Studimet shkencore dhe ekspertët tregojnë se dëmet nuk lidhen vetëm me klimën, por me keqmenaxhimin e kanaleve, kolektorëve dhe hidrovoreve. Investimet janë fragmentare dhe mirëmbajtja mbetet e dobët, ndërsa rreziku po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt zonave urbane. Pa ndërhyrje të koordinuara dhe planifikim afatgjatë, përmbytjet do të vazhdojnë të prodhojnë dëme të përsëritura dhe të kushtueshme për ekonominë.
Blerina Hoxha
Që prej viteve 1950 deri në ditët e sotme është regjistruar një rënie e lehtë e reshjeve mesatare vjetore, por nga ana tjetër, përmbytjet janë shtuar dhe janë shndërruar në rrezikun më të shpeshtë klimatik në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit.
Dokumentet shkencore të Ministrisë së Mjedisit tregojnë se nga mesi i shekullit të kaluar deri në fillim të kësaj dekade, reshjet vjetore kanë rënë me rreth 2–5%, por nga ana tjetër, nga vitet 1990 Shqipëria ka përjetuar dhjetëra ngjarje përmbytjeje me ndikim të konsiderueshëm, me të paktën 1–2 përmbytje të mëdha në vit në nivel kombëtar, teksa dëmet nga ky fenomen natyror vlerësohen në 2.3 miliardë dollarë.
Ndryshimet klimaterike mund të kenë ulur sasinë e reshjeve, por kanë rritur intensitetin e tyre në njësinë e kohës, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve.
Përmbytjet e këtyre ditëve gjithashtu kanë krijuar dëme të mëdha në ekonomitë e familjeve, bujqësi në zona urbane si Durrësi, Lezha, Vlora dhe Gjirokastra dhe, bashkë me dëmet, kanë nxjerrë në pah defektet dhe mungesën e profesionalizmit, së paku në minimizimin e rrezikut.
Alket Kumaraku, inxhinier hidroteknik, profesor në Universitetin Politeknik, tha se nevojitet një angazhim rutinë i vazhdueshëm për uljen e rrezikut në zonat urbane, që nga planifikimi urban në qytetet e mëdha, mirëmbajtja e rrjeteve të kullimit dhe kolektorëve, deri tek investimet dhe ndërhyrjet në menaxhimin e rrjedhave të mëdha që vijnë nga lumenjtë.
Një ish-anëtar i Komitetit të Digave, që zgjodhi të komentonte në kushtet e anonimatit, tha se përmbytjet janë fenomene natyrore, të cilat edhe në Europë po menaxhohen me vështirësi, për shkak të ndryshimeve klimatike, por sipas tij, më shumë se rreth 30% e dëmeve mund të minimizohen nëse do të bëhej mirëmbajtja rutinë e veprave kulluese, kolektorëve dhe hidrovoreve nga strukturat përgjegjëse.
Më tej, ish-zyrtari i lartë tha se ndërtimi i hidrocentraleve të Skavicës, Bushatit dhe thellimi i Bunës do të lehtësonte gati tërësisht dëmet në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.
Në Durrës, nevojitet hapja e një kanali të ri në mes të qytetit që të rrisë shkarkimet në det. Inxhinieri, i cili punoi për shumë vite në strukturat qeverisëse të vendit, tha se bordet e kullimit, punonjësit në bashkitë e vendit dhe ata të ujësjellësve kanë mungesë të lartë profesionalizmi.
Pasi, sipas tij, mirëmbajtja rutinë e sistemeve kulluese, kolektorëve, heqja e mbeturinave, mbajtja në punë e hidrovoreve dhe dragave në grykëderdhjet e lumenjve do të reduktonin rrezikun nga përmbytjet së paku me 30%. Kjo përqindje, sipas tij, do të ishte e mjaftueshme për të kursyer miliona euro dëme.
Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria trashëgon studime shkencore shumë cilësore nga koha e komunizmit, të cilat vetëm sa duhen zbatuar me korrektësi, tha ai.
Reshjet e ditëve të fundit duket se kanë ndryshuar profilin e dëmeve, duke ekspozuar zona të tilla si Durrësi me rrethina që nuk ishin kaq problematike sa në ngjarjet e shkuara.
Ardian Zhamo, inxhinier në sistemet hidrike në Durrës, ka analizuar se përmbytjet e fundit në qytet janë në pjesën më të madhe gabime njerëzore. “Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim.
Kanalet sekondare nuk përcjellin ujë, sepse janë të bllokuara nga gëlqere, dhera dhe tombino të ndërtuara nga persona të paautorizuar ose nuk ekzistojnë më. Kanali tek Ura e Dajlanit, nga me dy tuba me diametër 800 mm, tani është një ‘hinkë’.
Kanali pas shkollës ‘Beqir Çela’ është i bllokuar totalisht. Kanali që kalon përpara Ofiçinës së Marmitave ka zvogëluar me rreth 70% tërheqjen e ujit dhe, si pasojë, kjo zonë përmbytet edhe me shiun më të vogël”, u shpreh për mediat inxhinieri Zhamo, i cili fajësoi njerëzit dhe jo natyrën për dëmet e fundit.
U shmangën investimet e mëdha kundër përmbytjes
Ish-anëtari i komitetit të digave tha se HEC-et e Bushatit dhe Skavicës, projekte që në kohën e komunizmit, përveç sigurisë energjetike, kishin qëllim mbrojtjen e Shkodrës dhe Lezhës nga përmbytjet.
Ai tha se Skavica do të shërbente si rezervuar i madh në rrjedhën e sipërme të Drinit dhe do të shërbente si një “tampon” hidrologjik gjatë reshjeve të forta. Rezervuari mund të mbajë një pjesë të prurjeve dhe t’i lëshojë më vonë, duke ulur presionin mbi prurjet kumulative për t’i çliruar më vonë. Ky hidrocentral ulte presionin e ujit në zonat e ulëta që lidhen me sistemin Drin–Bunë.
Ndërsa zgjidhja që do të shmangte tërësisht përmbytjet ishte ndërtimi i Hidrocentralit të Bushatit poshtë kaskadës së Drinit, më pranë fushës së Nënshkodrës, i cili mund të ndihmonte duke rregulluar shkarkimet në momente kritike dhe duke e shkarkuar ujin në toka larg qytetit të Shkodrës. Inxhinieri tha se efekti i HEC Bushat ishte më shumë menaxherial sesa “magazinues”.
Ai tha se këto dy investime ishin të rekomanduara nga inxhinierët e talentuar shqiptarë, si Farudin Hoxha, me rëndësi të dyfishtë, si në prodhimin e energjisë ashtu edhe në minimizimin e përmbytjeve.
Ka pasur përpjekje për ndërtimin e këtyre dy objekteve, por kanë dështuar. Në tetor të vitit 2020, qeveria nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me kompaninë amerikane Bechtel për hidrocentralin e Skavicës.
Marrëveshja, ndër të tjera, parashikonte që Bechtel të gjente financimin e një linje kredie që do të shlyhej më pas nga KESH. Kostoja e projektit llogaritet rreth 1 miliard euro, por projekti ka ngecur në procedura, mungesë financimi etj.
HEC-i i Bushatit, që kishte zanafillën që në kohën e komunizmit, ridoli si projekt në vitet 2004, i cili do të ndërtohej nga kinezët për 140 milionë euro.
Ky projekt ka qenë i diskutueshëm për dëmet që mund të krijonte baseni në tokat bujqësore, por ekspertët pohojnë se ka pasur vend për rishikime që mund ta kthenin atë në një rregullator që të kishte më shumë përfitime sesa dëme.
Thellimi i Bunës dhe dragat e lumenjve
Profesor Kumaraku thotë se rimodelimi në grykëderdhjet e lumenjve do të lehtësonte ndjeshëm dëmet në rast prurjesh të mëdha. Ish-anëtari i komitetit të digave tha se thellimi dhe mirëmbajtja e lumit Buna do të minimizonte dëmin në zonën e Shkodrës.
Buna ndikohet shumë nga rrjedhja e ujit mbrapsht, nga rritja e nivelit të Liqenit të Shkodrës, nivelit të detit dhe valët e stuhive, si dhe nga sedimentimi; këto ditë uji në Bunë nisi rrjedhën mbrapsht.
Inxhinieri tha se thellimi i Bunës është ndër ndërhyrjet më të vështira në inxhinierinë e lumenjve, sepse Buna është lumë me sedimentim të lartë dhe me nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, pra nuk bëhet një herë dhe mbaron.
Ai tha se duhet një modelim hidrologjik, hidraulik për të ditur se ku realisht ulet niveli i ujit. Sedimentimi rikthehet edhe nëse e thellon dhe kërkon cikle mirëmbajtjeje me logjistikë të rëndë.
Në grykëderdhjet e lumenjve në vendin tonë, edhe gjatë periudhës së komunizmit dhe pas, janë përdorur dragat, mjete për të hequr sedimentet që grumbullohen aty ku rrjedha e ujit ngadalësohet dhe përplaset me ndikimin e detit.
Dragat funksiononin si makineri thithëse nënujore. Ato instaloheshin në fundin e lumit ose të grykëderdhjes dhe, përmes një tubi të madh, thithnin sedimentin e përzier me ujë.
Ky material më pas pompohet drejt bregut ose në një zonë të caktuar depozitimi në det. Inxhinieri tha se në grykëderdhje si ajo e Bunës, ku sedimenti është kryesisht i imët, kjo metodë është më efikase, sepse lejon pastrim të shpejtë dhe të vazhdueshëm të shtratit pa ndërhyrje të rënda strukturore.
Për lumenjtë e tjerë më të vegjël, inxhinierët rekomandojnë argjinatura, kanale dhe riparime lokale, dhe dredhja si operacion i madh nuk është dokumentuar si praktikë standarde në burimet publike.
U prishën dhe u dëmtuan kanalet kulluese
Një kanal i madh kullues në Lezhë u ndërtua në kohën e komunizmit, mblidhte ujërat dhe rrjedhat nga malet dhe i nxirrte jashtë qytetit.
Edhe kur kishte reshje të mëdha, uji nuk e përmbyste kurrë zonën urbane, por tokat bujqësore përreth, duke minimizuar dëmet e mëdha, shpjeguan inxhinierët. Kanale të tilla të mëdha funksiononin në qytetet me rrezik përmbytjesh për të mbrojtur qytetet.
Por tani të gjitha këto kanale janë shkatërruar nga ndërtimet e jashtëligjshme, ndërtimet pa kriter në zonat urbane dhe nga investimet e gabuara. Shumë nga këto kanale janë mbuluar tërësisht ose janë vendosur tombino me çerekun e kapacitetit të përcjelljes.
Këto vite është ndërtuar pa menduar infrastrukturën e furnizimit me ujë, përmbytjeve, tërmeteve etj., ndaj pasojat dhe dëmet vetëm do të rriten, lajmërojnë inxhinierët.
Ish-anëtari i Komitetit të Digave tha se tani ka zgjidhje, të tilla si stacione të mëdha pompash që të nxjerrin ujin nga qendrat e mëdha urbane, por këto kanë kosto të lartë dhe shmangen.
Në fund të zinxhirit hidrologjik, përrenjtë dhe lumenjtë urbanë luajnë rol vendimtar në përballimin e prurjeve të larta. Inxhinieri tha se grumbullimi i inerteve, mbetjeve dhe ndërtimeve të pakontrolluara në shtratin ose brigjet e tyre e ka ulur ndjeshëm kapacitetin e rrjedhjes dhe rrit rrezikun e daljes së ujit nga shtrati.
Pastrimi sistematik dhe rikthimi i seksioneve natyrore të rrjedhës rrisin aftësinë e tyre për të përballuar prurje ekstreme. Teknikisht, kjo masë redukton rrezikun nga përmbytjet, sidomos në zonat ku rrjetet urbane përfundojnë pikërisht në këto trupa ujorë.
Inxhinieri tha se shumë grykëderdhje janë ngushtuar nga ndërtime pa kriter, mbrojtje të forta betoni ose struktura infrastrukturore që kanë prishur dinamikën natyrore të lumit.
Ai tha se duhen rimodeluar derdhjet e lumenjve, duke rikthyer hapësirat për rrjedhën, duke rikonfiguruar brigjet ose duke krijuar zona tampon që e lejojnë lumin të shtrihet gjatë prurjeve të larta pa shkaktuar dëme.
Nuk janë menaxhuar kanalet, kolektorët dhe hidrovoret
Në Shqipëri, përmbytjet nuk lidhen vetëm me reshjet intensive, por kryesisht me mënyrën se si menaxhohet infrastruktura ekzistuese e kullimit dhe e mbrojtjes nga uji.
Kanalet parësore, dytësore, kolektorët dhe hidrovoret formojnë një sistem të ndërlidhur, ku mosfunksionimi i një elementi bën të pavlefshme edhe investimet në pjesët e tjera, tha zoti Kumaraku.
Edhe inxhinierët e tjerë bien dakord se puna për mirëmbajtjen duhet të nisë nga kanalet parësore, të cilat janë arteriet kryesore që transportojnë ujin nga zonat e gjera drejt lumenjve ose detit.
Këto kanale duhet të mirëmbahen periodikisht, duke i pastruar, duke larguar sedimentet dhe inertet. Në shumë raste në Shqipëri, kanalet parësore kanë humbur gjerësinë dhe thellësinë funksionale për shkak të mungesës së pastrimit dhe ndërhyrjeve informale në brigje.
Kanalet dytësore janë po aq kritike, sepse ato mbledhin ujin nga tokat bujqësore dhe zonat e banuara dhe e dërgojnë drejt kanaleve parësore.
Përmbytjet shpesh nisin pikërisht këtu, sepse këto kanale bllokohen më shpejt nga mbeturinat, sedimentet dhe mungesa e mirëmbajtjes. Menaxhimi efektiv kërkon pastrim më të shpeshtë, por edhe kontroll të vazhdueshëm për ndërtime apo mbushje të paligjshme.
Në rastin e Durrësit, si kanalet parësore ashtu edhe ato dytësore nuk po funksionojnë, duke bërë që uji të mbetet në parcela dhe lagje, duke shkaktuar dëme të drejtpërdrejta ekonomike.
Inxhinierët thanë se kolektorët urbanë në qytetet e mëdha përbëjnë hallkën më të rëndësishme, por janë projektuar shpesh për reshje me intensitet më të ulët sesa realiteti aktual klimatik dhe humbin shpejt kapacitetin për shkak të sedimentimit dhe mbetjeve urbane.
Sipas ekspertëve, hidrovoret janë pika kyçe në zonat e ulëta, veçanërisht në fushat bregdetare dhe ato pranë lagunave e deltave. Ato janë linja e fundit e mbrojtjes nga përmbytjet, sepse sigurojnë shkarkimin e ujit kur rrjedha natyrore nuk është e mundur.
Në Shqipëri, shumë hidrovore janë të amortizuara, funksionojnë me kapacitet të reduktuar ose aktivizohen vetëm gjatë emergjencave.
Këto objekte kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme mekanike dhe elektrike. Nëse një hidrovore nuk funksionon në momentin kritik, e bën të pavlefshëm gjithë sistemin e kanaleve përreth, thanë inxhinierët.
Minimizimi i dëmeve nga përmbytjet kërkon përgjegjësi më të qarta dhe koordinim mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Aktualisht, fragmentimi i kompetencave shpesh çon në situata ku askush nuk mban përgjegjësi të plotë për mirëmbajtjen e sistemit.
Decentralizimi i pushtetit vendor ka bërë lëmsh kompetencat edhe në rastin e mirëmbajtjes së sistemeve ujore.
Inxhinierët thanë se rreziku i përmbytjeve ulet ndjeshëm nëse bëhet funksionale infrastruktura aktuale.
Si mund të reduktohen përmbytjet në qytete
Një nga faktorët kryesorë që përkeqëson përmbytjet urbane është mbulimi i qyteteve me beton dhe asfalt, të cilat nuk lejojnë infiltrimin e ujit në tokë.
Inxhinieri Alket Kumaraku tha se ulja e sipërfaqes së papërshkueshme, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra dhe përdorimit të materialeve të përshkueshme në trotuare, sheshe apo zona parkimi, ndikon drejtpërdrejt në uljen e sasisë së ujit që përfundon menjëherë në rrjetin e kanalizimeve.
Sipërfaqet e përshkueshme funksionojnë si një rezervuar i përkohshëm, duke lejuar infiltrimin ose mbajtjen e ujit në shtresat nën to dhe duke ulur presionin mbi tubacionet ekzistuese, të cilat shpesh janë projektuar për reshje më të ulëta se ato që po përjetohen sot, tha ai.
Vendosja e depozitave ose grumbulluesve nëntokësorë për ujërat e shiut
Depozitat apo grumbulluesit nëntokësorë janë zgjidhje teknike që synojnë të mbajnë ujin e reshjeve në pika strategjike të qytetit, përpara se ai të hyjë në rrjetin e kanalizimeve.
Z. Kumaraku tha se gjatë reshjeve intensive, një pjesë e ujit devijohet dhe ruhet përkohësisht në këto struktura, duke parandaluar tejkalimin e kapacitetit të tubacioneve.
Uji më pas shkarkohet gradualisht, kur rrjeti ka kapacitet të lirë, ose përdoret për qëllime të tjera teknike. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në zona të dendura urbane, ku zgjerimi i rrjetit ekzistues është i vështirë ose shumë i kushtueshëm.
Këto depozita veprojnë si amortizatorë hidraulikë që reduktojnë rrezikun e daljes së ujit mbi sipërfaqe dhe përmbytjes së rrugëve apo ndërtesave.
Pastrimi dhe mirëmbajtja e kolektorëve në qendrat e banuara
Pastrimi i kolektorëve mbetet një element thelbësor në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, tha z. Kumaraku.
Me kalimin e kohës, tubacionet dhe kolektorët mbushen me sedimente, mbetje urbane dhe inerte, duke ulur ndjeshëm kapacitetin e tyre hidraulik, duke bërë që edhe në reshje të zakonshme uji të rrjedhë mbi sipërfaqe.
Pastrimi periodik dhe mirëmbajtja sistematike rrisin kapacitetin efektiv të rrjetit ekzistues pa pasur nevojë për investime të mëdha infrastrukturore.
Në kushtet e ndryshimeve klimatike, ku intensiteti i reshjeve po rritet, mirëmbajtja e rrjetit është një masë minimale, por e domosdoshme për të shmangur përmbytjet urbane, tha ai.
Ndërgjegjësimi dhe integrimi i mbledhjes së ujërave të çative në projektim
Një masë shpesh e nënvlerësuar është krijimi i kulturës së mbledhjes së ujërave të çative, si në ndërtesat ekzistuese ashtu edhe në projektet e reja.
Uji i reshjeve nuk shkarkohet automatikisht në rrjet, por grumbullohet në depozita individuale ose kolektive për përdorim të mëvonshëm, ose për shkarkim të kontrolluar.
Sipas z. Kumaraku, integrimi i kësaj qasjeje që në fazën e projektimit të ndërtesave ul ndjeshëm prurjet që përfundojnë në sistemin publik gjatë reshjeve intensive.
Në shumë vende europiane, lejet e ndërtimit kushtëzohen nga parashikimi i masave të tilla, duke e bërë menaxhimin e ujit pjesë të projektimit urban dhe jo një problem që trajtohet vetëm pas përmbytjeve.
Tarracat e gjelbra dhe blu, si pjesë e infrastrukturës blu-gjelbër
Tarracat e gjelbra dhe ato blu janë një element kyç i infrastrukturës blu – të gjelbër, të promovuara edhe nga politikat dhe direktivat europiane për menaxhimin e ujërave atmosferike.
Inxhinieri Kumaraku tha se, në aspektin teknik, këto zgjidhje mbajnë një pjesë të reshjeve në nivelin e çatisë, duke vonuar shkarkimin e tyre drejt rrjetit.
Tarracat e gjelbra kombinojnë ruajtjen e ujit me avullimin dhe thithjen nga vegjetacioni, ndërsa tarracat blu synojnë kryesisht magazinimin e përkohshëm të ujit dhe lirimin e tij të kontrolluar.
Kjo ul ndjeshëm ngarkesën e menjëhershme mbi kolektorët gjatë reshjeve të forta. Përveç ndikimit në reduktimin e përmbytjeve, këto sisteme kontribuojnë edhe në uljen e temperaturave urbane dhe përmirësimin e mikroklimës, por nga pikëpamja hidraulike, vlera kryesore qëndron te vonesa dhe kontrolli i prurjeve.
Masat kundër përmbytjes, Shqipëria e vonuar
Pas vitit 1990, Shqipëria është përmbytur thuajse çdo vit, por ndërkohë planet dhe strategjitë kundër reduktimit të rrezikut kanë mbetur në letër. Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria hodhi për konsultim Planin Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP 2026–2036).
Dokumenti thekson se rreziku nga përmbytjet nuk mund të ulet vetëm me argjinatura ose punime në lumenj, por kërkon ndërhyrje të koordinuar në nivel baseni ujëmbledhës, territori dhe institucionesh.
Plani parashikon masa që synojnë fillimisht parandalimin dhe menaxhimin e rrezikut, përmes hartëzimit të detajuar të zonave që përmbyten, modelimit hidrologjik dhe përfshirjes së rrezikut klimatik në planifikimin urban dhe territorial.
Këto masa kanë për qëllim që përmbytjet të mos trajtohen më si ngjarje të papritura, por si rrezik i parashikueshëm, për të cilin vendimmarrja publike dhe investimet duhet të përshtaten që në fazën e planifikimit.
Paralelisht, dokumenti kërkon forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe rritjen e kapaciteteve institucionale në nivel qendror dhe vendor, pasi mungesa e koordinimit është identifikuar si një nga dobësitë kryesore në përballimin e përmbytjeve.
Një shtyllë tjetër qendrore e planit janë masat e bazuara te natyra, të cilat synojnë të ulin kulmet e prurjeve dhe të rrisin aftësinë thithëse të territorit. Këtu përfshihen restaurimi i brigjeve të lumenjve, rikthimi i fushave aluvionale që janë zaptuar nga ndërtimet, mbrojtja e ligatinave dhe pyllëzimi i baseneve ujëmbledhëse.
Logjika është që uji të ketë më shumë hapësirë për t’u shpërndarë në mënyrë të kontrolluar, në vend që të përqendrohet me forcë në shtratin e ngushtuar të lumenjve dhe të shkaktojë përmbytje të menjëhershme në zonat e banuara.
Vetëm një pjesë më e vogël e masave lidhet me ndërhyrjet infrastrukturore klasike, si ndërtimi ose forcimi i argjinaturave, stabilizimi i shtratit dhe brigjeve të lumenjve, përmirësimi i sistemeve të kullimit dhe mbrojtja e zonave urbane më të ekspozuara.
Plani e bën të qartë se këto ndërhyrje janë të domosdoshme, por nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me planifikim dhe masa parandaluese, pasi përndryshe rreziku thjesht zhvendoset nga një zonë në tjetrën.
Në lidhje me investimet, dokumenti vlerëson se zbatimi i plotë i masave të përshtatjes kërkon rreth 9.8 miliardë dollarë amerikanë, ose afërsisht 8.4 miliardë euro, deri në vitin 2042.
Pjesa më e madhe e kësaj kostoje lidhet me masat e bazuara te natyra dhe me ndërhyrjet planifikuese e institucionale, ndërsa investimet infrastrukturore zënë një pjesë më të vogël të totalit, por me kosto të larta.
Kjo shpërndarje tregon se ulja e rrezikut nga përmbytjet nuk mbështetet kryesisht te ndërtimi i veprave të reja, por te transformimi i mënyrës se si menaxhohet territori dhe uji.
Plani thekson gjithashtu se financimi aktual mbulon vetëm një pjesë shumë të vogël të këtyre nevojave, rreth 7%, duke krijuar një hendek financiar prej afro 93%.
Plani i ri sugjeron se zbutja reale e rrezikut nga përmbytjet kërkon masa të thella dhe të koordinuara, si dhe investime shumë më të mëdha sesa ato që po realizohen aktualisht. Pa këtë shkallë ndërhyrjeje dhe financimi, përmbytjet do të vazhdojnë të jenë një problem i përsëritur dhe gjithnjë e më i kushtueshëm për Shqipërinë.
Investimet në 2025, të ulëta dhe të fragmentuara
Sipas të dhënave nga thesari në Ministrinë e Financave, janë investuar në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit rreth 6 miliardë lekë gjatë periudhës 2023 – tetor 2025.
Tabela e projekteve të financuara nga janari në tetor 2025 tregon për 860 milionë lekë investime nga 1.2 miliardë lekë për të gjithë vitin. Fondet e vitit 2025 ishin më të ulëta se ato të dy viteve të shkuara, ku u alokuan nga 2.4 miliardë lekë për secilin vit.
Të dhënat nga tabela e investimeve të këtij viti në programin “Menaxhimi i ujitjes dhe kullimit”, të zbatuara nga bordet rajonale të kullimit në Durrës, Fier, Korçë dhe Lezhë, tregojnë një portofol investimesh që varion nga disa milionë deri në mbi 100 milionë lekë për projekte të veçanta.
Ndërhyrjet ndahen qartë në dy grupe kryesore, projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e rrezikut nga përmbytjet dhe projekte me fokus kryesisht bujqësor, me ndikim të kufizuar ose indirekt.
Projektet me peshën më të madhe për përmbytjet janë ato të mbrojtjes nga gërryerjet dhe përmbytjet e lumenjve.
Në këtë kategori hyn, ndër të tjera, mbrojtja e lumit Buna, me vlerë rreth 100 milionë lekë, si dhe ndërhyrje në lumenjtë Vjosë, Shushicë, Mat, Drin, Osum dhe Shkumbin, me projekte që zakonisht variojnë nga 7–30 milionë lekë dhe, në disa raste, arrijnë deri në 50 milionë lekë.
Këto investime që u kryen në vitin 2025 synuan stabilizimin e brigjeve, ndërtimin ose riparimin e argjinaturave dhe mbrojtjen e zonave të banuara dhe bujqësore nga dalja e lumenjve nga shtrati.
Një peshë të konsiderueshme zënë edhe projektet për rikonstruksionin e hidrovoreve dhe veprave të marrjes, si në Grethë, Synej, Orikum apo zona të tjera në Fier dhe Durrës, me vlera që shkojnë nga rreth 20 milionë deri në mbi 135 milionë lekë për projekt.
Në vitin 2025, pjesa më e madhe e projekteve dhe fondeve shkoi për rehabilitimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, përfshirë kanale kryesore dhe dytësore në Lezhë, Fier, Korçë dhe Durrës, me vlera nga 4–15 milionë lekë, deri në 30–50 milionë lekë në raste të veçanta.
Këto investime janë të rëndësishme për funksionimin e përditshëm të sistemit të ujitjes dhe për zbutjen e problemeve lokale. Megjithatë, në raport me shkallën e rrezikut nga përmbytjet, ato nuk mund të konsiderohen të mjaftueshme.
Shuma të shpërndara në shumë projekte të vogla, shpesh nën 20–30 milionë lekë, nuk janë të afta të ulin ndjeshëm rrezikun në basene të mëdha ujore si Buna, Drini, Vjosa apo Shkumbini, ku dëmet potenciale maten në qindra milionë euro.
Kronologji e përmbytjeve madhore në Shqipëri
1962–1963
Konsiderohet përmbytja më e madhe historike në Shqipëri. Reshje shumë të forta dhe të zgjatura gjatë dimrit sollën rritje ekstreme të prurjeve në Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. U përmbytën dhjetëra mijë hektarë tokë bujqësore në Ultësirën Perëndimore, ndërsa qytete si Shkodra dhe Lezha u prekën drejtpërdrejt. Kjo ngjarje shërben ende si pikë reference hidrologjike.
1970–1971
Përmbytje të mëdha, por më të lokalizuara, kryesisht në ultësirën bregdetare dhe zonat bujqësore. U evidentua për herë të parë nevoja për menaxhim më të koordinuar të baseneve ujore, por ndërhyrjet mbetën kryesisht mbrojtëse dhe lokale.
1983
Episode reshjesh intensive çuan në përmbytje në disa zona të Shqipërisë qendrore dhe veriore. Dëmet ishin më të kufizuara krahasuar me vitin 1963, por ngjarja konsiderohet si një paralajmërim i hershëm për rritjen e variabilitetit klimatik.
1996–1997
Një seri përmbytjesh në fund të viteve ’90, që shënojnë fillimin e periudhës moderne të përmbytjeve të shpeshta. Urbanizimi i pakontrolluar dhe degradimi i sistemeve kulluese e rritën ndjeshëm ekspozimin ndaj rrezikut.
2002–2004
Përmbytje të përsëritura, veçanërisht në Shkodër, Lezhë, Fier dhe Berat. Kjo periudhë shënon kalimin nga përmbytje episodike në fenomen pothuajse vjetor, me dëme të përsëritura në bujqësi dhe infrastrukturë.
2009–2010
Një nga episodet më të rënda pas viteve 2000. Përmbytjet në Shkodër dhe zonat përreth Drinit dhe Bunës ishin të gjera dhe afatgjata. U vu në qendër të debatit roli i menaxhimit të kaskadës së Drinit, argjinaturat dhe kapacitetet e shkarkimit.
2015–2018
Përmbytje të shpeshta, por më të fragmentuara, të lidhura me reshje shumë intensive në periudha të shkurtra.
2020–2023
Ngjarje më të lokalizuara, por me intensitet të lartë dhe ndikim urban (përmbytje të shpejta, rrugë dhe lagje nën ujë). Pothuajse çdo vit shënon të paktën një episod me dëme ekonomike./Monitor
and then