
Fundjava që lamë pas u shoqërua me fluks të madh turistësh drejt destinacioneve malore më të preferuara të bashkisë së Librazhdit, për shkak të mbulimit të tyre me sasi të madhe dëbore.
Ndërsa qindra vizitorë kishin zgjedhur Parkun Kombëtar të Shebenikut si destinacion kryesor, rruga nga Shkalla e Lunikut drejt fshatit turistik të Fushë Studen u shndërrua në një “kurth” për shkak të shtresave të akullit, duke e bërë të pamundur udhëtimin.
Në këto kushte, shumë grupe të tjera të apasionuar pas aventurës zgjodhën të përshkonin një pjesë të rrugës antike Egnatia, e cila lidh fshatrat Spatharë, Dardhë dhe Xhyrë, duke shijuar pamjet panoramike dhe përrallore të natyrës së kësaj zone. Rruga Egnatia ka gjithçka ,histori, natyrë dhe aventurë.
Një grup të rinjsh shqiptarë, kryesisht nga Tirana, Elbasani dhe Librazhdi, së bashku me vizitorë të huaj nga Belgjika, guxuan ta përshkonin këtë rrugë në një ditë të ftohtë dimri, kur dëbora kishte mbuluar tokën me shtresa nga 30 deri në 50 cm.
Ata e nisën ecjen që në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë në qendrën e fshatit Spathar, rreth 650 metra mbi nivelin e detit, dhe vazhduan udhëtimin në këmbë përgjatë Rrugës Egnatia drejt fshatrave Dardhë dhe Xhyrë, duke përshkuar një distancë prej rreth 16 km.
Magjia e “Rrugës Egnatia” e mbuluar me dëborë ofron një dimension krejt tjetër të historisë dhe natyrës.
“Kënaqësia që të ofron një udhëtim përgjatë rrugës historike të njerëzimit dhe mbi tapetin e bardhë të dëborës nuk ka të paguar. Ky duhet të jetë patjetër një destinacion për turistët e aventurës, sepse përjetimi i rrugës më të famshme të historisë së njerëzimit, e mbuluar nga 30-50 cm dëborë, është unik dhe i rrallë,” treguan pjesëmarrësit.
Rruga Egnatia, që dikur lidhte në distancën më të shkurtër të mundshme Lindjen me Perëndimin, ofron gjithmonë përvoja të ndryshme në çdo stinë.
Për turistët dimërorë, ajo shfaqet e mbuluar me dëborë, duke zbuluar bukuri të veçanta në çdo hap. Përveç peizazheve të mrekullueshme, përgjatë rrugës ka monumente natyrore të jashtëzakonshme, që e bëjnë aventurën edhe më sfiduese dhe emocionuese.
Disa nga destinacionet më të vizituara përgjatë Rrugës Egnatia, në zonën ku shtrihen fshatrat Xhyrë, Dardhë e Spatharë përfshijnë: Shpellën e Plakës, majën e Gurit të Sukllit, Grykën e Shkallës, Gurin e Bletës, Gurin e Korbit, kanionet e vogla të Gurrës së Zezë dhe Përroit të Popes,Gurin e Skënderbeut etj.
Këto vende tërheqin turistët e aventurës, të cilët kërkojnë një nivel të madh vështirësie dhe eksperienca unike në natyrë.
Ky fluks turistik dimëror tregon potencialin e madh të zonave malore të Librazhdit si destinacione dimërore për aventurë, natyrë dhe histori, duke ofruar për turistët përvoja të paharrueshme dhe për komunitetin lokal mundësi zhvillimi ekonomik dhe promovimi të turizmit në këtë pjesë të vendit. Fatmirësisht shtimi i vizitorëve dhe turistëve vendas e të huaj ka nxitur hapjen e bujtinave dhe bizneseve të para agroturistike.
Gjithkush që tashmë dëshiron të vizitojë Malin e Xhyrës, një nga mini perlat natyrore të Librazhdit e di po aq sa vendasit që aty vitet e fundit është ngritur Agroturizmi “Hani Çepit” .
Ai mbetet një nga destinacionet më fantastike për tu frekuentuar në çdo stinë të vitit ,që si gjatë ditëve të nxehta të Verës edhe në Dimër është vendi ideal i Relaksit .
“Hani i Çepit” ndodhet mes Natyrës së magjishme ku mund të shijohen gatime tradicionale dhe ushqime Bio me shije të pa krahasueshme.
Vizitorët dhe turistët vendas e të huaj aty mund të përjetojnë momente unike që nuk mund ti harrojnë kurrë.
Ndërkohë që përgjatë Rrugës Egnatia po fitojnë famë edhe Bujtinat “Shpella e Plakës” dhe “House Grill Mattia” ku gatimet tradicionale dhe shërbimet cilësore që ofrohen po tërheqin krahas turistëve vendas edhe turistë jo vetëm nga Europa.
and then