Përplasje dhe akuza në gjyq/ Ramazan Rraja tregon njohjen me Plarent Dervishin: Në burg më sollët ju, s’erdha me dëshirë (Dëshmia për ‘Benz’-in e vjedhur)

Në seancën e radhës të gjyqit ndaj Plarent Dervishit dhe Julian Meçes, u dëgjuan dëshmitë e disa personave, ndërsa pati edhe përplasje procedurale mes palëve.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për dëshminë e të pranishmëve në sallë. Dëshmitari Erigen Toska deklaroi se në vitin 2019 kishte në pronësi një automjet ‘Mercedes Benz’ ngjyrë gri, për të cilin dispononte edhe një kopje çelësash. Sipas tij, në shtator 2019 e kishte parkuar makinën në mbrëmje poshtë banesës, ndërsa të nesërmen mjeti nuk ndodhej më aty.

Ai shtoi se ka bërë kallëzim në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe se çelësin e automjetit e kishte dorëzuar te policia në momentin e kallëzimit.
Toska tha gjithashtu se 2–3 muaj më pas është kontaktuar nga policia në telefon dhe është pyetur për makinën e vjedhur. I pyetur nga Plarent Dervishi nëse ishte thirrur nga i njëjti prokuror edhe në ndonjë proces tjetër gjyqësor, ai u përgjigj se nuk ishte thirrur. “Kam pasur një makinë në pronësi, Mercedes Benz ngjyrë gri, në vitin 2019. Kam pasur një kopje çelësash për këtë automjet. Në shtator të vitit 2019 e kam parkuar në mbrëmje poshtë banesës. Të nesërmen shkova në vendin ku e kisha parkuar mjetin dhe nuk e gjeta aty. Më pas kam bërë kallëzim në Komisariatin nr. 6 në Tiranë. Pas 2–3 muajsh, policia më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur për makinën. Çelësin e automjetit e kam dorëzuar te policia në momentin kur është bërë kallëzimi.”, tha ai.

Në sallë u ngritën pikëpyetje se përse ky dëshmitar, i konsideruar i rëndësishëm, nuk ishte thirrur në procesin e Ariol Halilajt dhe Redian Rrajës. Pas diskutimeve me gjykatën, dëshmitarit iu tha se ishte i lirë të largohej.

Dëshmia e Ramazan Rrajës
Në vijim dëshmoi Ramazan Rraja, i cili deklaroi se në vitin 2019 ka qenë si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, por nuk i mban mend saktësisht periudhat. Ai tha se nuk ka qenë i punësuar para arrestimit dhe se nuk ka pasur konflikte në Durrës apo gjetkë. Rraja pohoi se e njeh Plarent Dervishin, ndërsa Redianin e ka kushëri. Sipas tij, të tjerët i ka njohur në burg. Ai shtoi se ka pasur të njëjtin numër telefoni nga viti 2017 deri në momentin e arrestimit dhe se numri ka qenë në emrin e tij.

Lidhur me lokalin “Sodiak”, deklaroi se e di ku ndodhet, njeh pronarin dhe ka qenë aty vetëm një herë. Ai mohoi njohjen me persona të tjerë të përmendur në proces, duke thënë se i ka parë vetëm në televizor. Po ashtu, deklaroi se nuk ka përdorur aplikacione të enkriptuara, nuk e njeh Ervin Matën dhe nuk e di se ku ndodhet hoteli “Viktoria”. Rraja u shpreh se ndodhet në burg jo me dëshirë dhe se nuk e di për çfarë akuzohet, duke mohuar çdo komunikim apo përfshirje në ngjarje. I pyetur nëse kishte dijeni që familjarë të Genci Malokut kishin shkuar te familja e tij, ai tha se kishte parë në televizor se ata kishin tentuar të vrisnin familjarët e tij, por sipas tij “Zoti ka dashur që ata të flenë rehat”.

Nga SPAK, Rraja u pyet nëse kishte ndonjë detyrim monetar ndaj Plarent Dervishit. Ai u përgjigj se nuk i ka askujt borxh, duke shtuar se vetëm kanë pirë kafe së bashku dhe se Dervishi e ka paguar kafen. I pyetur nga Dervishi se ku ndodhej më 1 nëntor, ditën e atentatit, Rraja deklaroi se ka qenë jashtë Shqipërisë para dhe pas ngjarjes.
“Në vitin 2019 kam qenë si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit, por nuk i mbaj mend saktë periudhat. Nuk kam qenë i punësuar para se të arrestohesha. Nuk kam pasur konflikt në Durrës dhe as diku tjetër. Plarentin e njoh, Redianin e kam kushëri, ndërsa të tjerët nuk i kam njohur më parë, i kam njohur të gjithë në burg. Kam pasur të njëjtin numër telefoni nga viti 2017 deri në momentin e arrestimit, nëse nuk gaboj, dhe ka qenë në emrin tim. Për lokalin “Sodiak” e di ku ndodhet, e njoh pronarin, por kam qenë vetëm një herë. Nuk e njoh Arjan Ndojnën, Aleksandër Lahon dhe as Andi Malokun, i kam parë vetëm në televizor. Nuk kam pasur aplikacione të enkriptuara. Nuk e njoh Ervin Matën dhe nuk e di se ku ndodhet hoteli “Viktoria”. Në burg ndodhem sepse më keni futur ju, nuk kam ardhur me dëshirë të madhe. I nderuar zoti prokuror, me gjithë respektin për drejtësinë dhe për ju, unë nuk kam asnjë ide për çfarë kam siguruar kushte, për kënd dhe për asgjë. Nuk kam komunikuar me askënd dhe Genci Malokut nuk i ka ndodhur asgjë; nuk e di pse më akuzoni.”, tha Rraja.

Qëndrimet e bashkëpandehurve
Të bashkëpandehurit Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani deklaruan se nuk dëshirojnë të japin dëshmi. Sakaq, mësohet se Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe do të pyeten në një seancë tjetër, nëse japin pëlqimin. Plarent Dervishaj deklaroi se ka bërë aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti, duke theksuar se pa këto dokumente nuk mund të zgjedhë avokat. Ai shtoi se avokati i tij është shumë i lodhur nga pyetjet e zhvilluara në seancë. “Plaurent Dervishaj: Kam bërë aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti dhe pa këto dokumente nuk mund të zgjedh avokat. Sot avokati im është shumë i lodhur, është ngritur tepër i lodhur nga pyetjet që ka bërë.”, tha ai.
Nga ana tjetër, Julian Meçe u shpreh se do të donte t’i përgjigjej prokurorit, por sipas tij nuk i është dhënë mundësia dhe e cilësoi situatën si mungesë vullneti për të zbuluar të vërtetën. Ai deklaroi se nuk jep pëlqim për t’iu përgjigjur pyetjeve të organit të akuzës. “Unë do të doja t’i përgjigjesha prokurorit, por kur kam ardhur nuk më kanë marrë në pyetje. Do të doja të përgjigjesha, por nuk di çfarë të them kur ata nuk duan të bashkëpunojnë. Më duket si mungesë vullneti për të zbuluar të vërtetën. Nuk jap pëlqimin që t’i përgjigjem pyetjeve të organit të akuzës.”, tha Meçe.

Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës, derisa Plarent Dervishaj të zgjedhë një avokat tjetër. Avokati kryesisht paraqiti dorëheqjen nga mbrojtja, duke argumentuar se është paragjykuar në këtë proces. Seanca e radhës do të zhvillohet në një datë tjetër.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×