
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
“Vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Gjithashtu, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 19 janar 2026, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit. Në rendin e ditës përfshihet shqyrtimi dhe miratimi i projektprogramit dhe projektkalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe i projektkalendarit të ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores.
Njoftimi i Kuvendit
Ju njoftojmë se në mbështetje të nenit 74, pika 1, të Kushtetutës , dhe nenit 42, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, sesioni i ri parlamentar do të nisë më 19 janar 2026.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë urdhrat përkatës për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, e më konkretisht:
•Me Urdhrin nr. 1, datë 12.01.2026, Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 19 janar 2026, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit. Në rendin e ditës përfshihet shqyrtimi dhe miratimi i projektprogramit dhe projektkalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe i projektkalendarit të ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores.
•Me Urdhrin nr. 2, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Kuvendit në seancë plenare, në datën 19 janar 2026, ora 17:00.
Seanca plenare do të shënojë hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI dhe do të zhvillohet me rend dite procedurial, i cili përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme si dhe njoftime, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
•Me Urdhrin nr. 3, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.
Gjithashtu, në mbështetje të nenit 11, pika 5, të Rregullores së Kuvendit, është thirrur mbledhja e Byrosë së Kuvendit në datën 20 janar 2026, ora 11:00, me rend dite që përfshin shqyrtimin e çështjeve me natyrë procedurale dhe organizative, përfshirë:
• ankesa të paraqitura nga deputetë,
• propozime për ndryshime në strukturën e administratës së Kuvendit,
• hapjen e procedurave për plotësimin e vendeve të lira,
• si dhe informimin mbi detajimin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2026.
and then