“Më mirë naiv se djall!”/ SPAK kërkon arrestimin e saj, Açka: Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen, për nderin e saj

Në një realitet ku skandalet nuk sjellin më dorëheqje, por arrogancë pushteti, Flutura Açka flet për atë që ajo e quan “kusari politike”. Duke marrë shkas nga rasti i ministres Belinda Balluku, ajo godet paturpësinë e pushtetit, mpirjen e opozitës dhe rrezikun e një shteti me njerëz të paprekshëm.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ish-deputetja e PD-së vë gishtin mbi plagët e hapura të pushtetit, pyet nëse Shqipëria po shkon drejt një shteti me njerëz të paprekshëm dhe paralajmëron se pa ndëshkim real, ligji mbetet dekor dhe demokracia një fjalë bosh.

Zj. Açka, në kushtet kur ndaj ministres Belinda Balluku rëndojnë akuza publike për abuzime me tendera dhe përgjegjësi politike në disa skandale madhore, a do të ishte dorëheqja e saj një akt normal në një shtet demokratik?

Do të ishte, padyshim, por të ishim në një politikë normale. Por, ne jemi në parapolitikë. Ne jemi në kusari. Ne na drejton një politikë bandash dhe me ç’po del, madje banda të rrezikshme. Ju kujtohet, besoj, ish-ministrja e Jashtme, zj. Xhaçka, e cila u bë objekt tre vjet me radhë në Parlament. Iu latyris emri, u tallën kolegët, e qesëndisën, i qesëndisi ndonjëherë edhe ajo. Nuk di pse në ato ditë të Parlamentit, kur emri i saj lakohej pa të keq, ndieja keqardhje për të, si njeri, si grua.

Ajo, asnjë keqardhje për veten, dukej se kishte mbrojtjen e Babës. Kam vënë re shpesh se vajzat kanakare politike, gjithnjë e kanë nga një baba që i mbron, nga një vëlla, nga një dashnor, në mos e paçin, e shpikin. Ajo dhe një shpurë mes atyre të rinjve që erdhën në pushtet, në krye dukej si shpresë, por sollën gjëmë. Mbase, ashtu e heshtur dhe si e tërhequr në ulësen e saj në Parlament, ajo priste të kalonte furtuna parlamentare, mediatike dhe publike, pasi ajo çfarë do të fitonte pas baticës, do të ishte shumë më e madhe. Dhe, në fakt, ashtu rezultoi. Por, jo çdokush pranon të veshë atë lloj lëkure, kur ka zgjidhje të ikësh me dinjitet, siç shpresoj unë, së paku, nga gratë politike, meqenëse jam një e thekur pas barazisë vjellëndjellëse gjinore!

Besoj, në të njëjtat ujëra është edhe zonja Balluku, por sigurisht ujëra shumë më të thella, me pamje ligatineash, nga zor se dilet me pritje për të rënë dikur furtunat. Megjithatë, ajo del, shfaqet edhe në publik, kur duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Të jepte dorëheqjen, mbi të gjitha, për nderin e vet. Unë do të kisha turp dhe do ta kisha këshilluar edhe atë të kishte turp. Por ne jemi qenie të ndryshme, nuk jemi enë komunikuese, që të zbrazet njëra e mbushet tjetra. Unë e di edhe kufirin e “arës” që kam trashëguar nga tim atë dhe kjo është normë politike, morale, etike, njerëzore. Mund të dukem naive në këtë lëminë politike, por më mirë një naiv i palatuar, se një djall i strukturuar politik.

Në vende të tjera europiane, ministrat kanë dhënë dorëheqjen edhe për dyshime apo hetime paraprake. Pse në Shqipëri dorëheqja shihet si dobësi dhe jo si akt përgjegjësie?

Sepse, siç ju thashë, ne jemi në parapolitikë, madje në primitivizëm politik. Në paturpësi politike. Dhe të mendosh, se më galanti mes tyre ishte Fatos Nano, i ndjeri, i cili tani kushedi si i qesëndis nga atje ku është, duke parë përkeqësimin e racës së tij socialiste deri aty sa e kanë çuar partinë e tyre 80-vjeçare në kapërcyellin me të turpshëm historik. Fjala turp që po e përdor non stop në këto radhë, është e qëllimtë, sepse e tillë është tani përdorimi i saj.

Të japësh dorëheqjen është meritë, është kulturë politike, që duhet kthyer në normë. Nga kjo thjerrëz, ne jemi vite dritë larg kulturës politike europiane, as kemi shkollë për këtë dhe as duam ta ndërtojmë këtë shkollë, sepse edhe një kolegj europian që mëtuam të ngremë, e kthyem qysh në themele në çerdhe të korruptuarish dhe korruptimi elitash politike.

Çfarë roli duhet të luajë opozita për të ekspozuar abuzimet me tenderat, denoncime parlamentare, hetime ndërkombëtare, presion qytetar, apo bashkëpunim më të fortë me SPAK-un?

Opozita ka denoncuar mjaft afera në mënyrë sistematike. Por, opozita ka probleme me moralin politik, me raportin me principet me të cilat ngrihet një forcë politike në demokraci. Opozita nuk duhet të jetë qyrku i ngrohtë i askujt. U përpoqa t’ua shpjegoj më lart dhe jo si target personal të aksh politikani a të aksh grupi. Kjo do të thotë që opozita nuk e ka nxjerrë ende një shtetar, sepse, siç thotë Truman “shtetari është politikani që ka vdekur vite më parë”. Figurativisht e thënë kjo. PD-ja ka ende në krye liderin e vitit 1990! Sa breza kanë qenë ndërmes kohësh? Pa gjykuar moshë aspak, totemi se vetëm zoti Berisha e mban PD-në bashkë, është një manipulim i hapur, i prodhuar nga media e blerë e viteve të fundit dhe e një shpure të paaftësh dhe inferiorësh, të cilët drejtojnë aksionin opozitar. A ka gjë më hipokrite të flasësh nëpër tavolina, të mendosh çdo ditë se zoti Berisha duhet të ikë dhe të mos kesh kurajën t’ia thuash në sy, në forume, në debate, jo si një akt kundër tij, por si detyrimin për një PD fituese? A ka gjë më çnjerëzore se të presësh dikë të vdesë që t’i zësh vendin? Për të tillët, jam e bindur se as zoti Berisha nuk ka pikë respekti, ndaj edhe i përdor lehtësisht.

Pse opozita nuk ka arritur ta kthejë çështjen “Balluku” në një kauzë të gjerë qytetare, gjë e cila nxori në pah lëvizjen “Salianji”?

Në të vërtetë, shqiptarët janë në vlim e sipër dhe çështja “Balluku” e ka pjekur malcimin e zemëratës qytetare. Por, ata janë në gjendje të ngrirë, kanë drojë që u vjen nga pasiguria se ç’do të ndodhë pas kësaj shkundjeje të domosdoshme. Mantra “ata janë njëlloj!”, e ka dëmtuar shumë aksionin opozitar. Mjafton sjellja në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, e cila me gjithë retushimet, ndjesat dhe justifikimet e mëpastajme, ishte një marrëveshje e pastër, por që e diskretitoi Grupin Parlamentar të PD-së. Të shkatërrosh partitë e reja me aq vendosmëri dhe t’iu kërkosh pastaj bashkëpunim në protestën kundër pushtetit nuk tregon as moralitet, as pjekuri politike, as koherencë me shqiptarët. PD-ja është ngulfatur, ka hequr garën, ka hequr komunikimin dhe transparencën. Tani PD është thjeshtësisht e lexueshme, një institucion pa ngjarje, pa analizë. I vetmi që punon, madje habitshëm shumë fort dhe ka meritën personale për këtë është zoti Berisha, por edhe ai për veten. Askush nuk mendon aty për nesër, i vetmi kusht i karrierës tënde është besnikëria ndaj liderit. Në PD të dhembin veshët nga heshtja, jo nga zhurma. Si mund të vijmë në pushtet kështu? Kjo është arsyeja përse rreth lëvizjes “Salianji” ka mjaft sentiment. Nëse lidershipi i PD-së do të vazhdojë me politikën e tij të akuzave ndaj Salianjit, rreth të cilit janë mbledhur më së shumti të rinj demokratë, do të nxisë një konflikt të ri në PD. Ta quash Salianjin bashkëpunëtor të Suel Çelës në takimin e tij me demokratët elbasanas është e pamoralshme dhe vetëpaditëse, sepse jo më larg se para fushatës zgjedhore, Salianji ishte caktuar nga PD si drejtues politik në Elbasan. Ishte përfshirë bashkëpunimi me krimin në këtë projekt në Elbasan? Cilën të vërtetë, pra, të besojnë shqiptarët? Jam e bindur se me këto aksione të Salianjit dhe të rinjve demokratë po iu çojnë mesazh shqiptarëve se para se t’u kërkojnë atyre që t’iu dhurojnë çelësat e pushtetit të ri, po bëjnë detyrat, po e sigurojnë shtëpinë e tyre demokratike, po i ndërrojnë më parë bravat e vjetra. Dhe kjo nuk është një betejë personale ndaj askujt, qoftë ky edhe lideri historik, por një detyrim për të freskuar demokracinë e tyre dhe për të europianizuar politikën e tyre.

Nëse këto skandale nuk ndëshkohen, çfarë mesazhi i jepet shoqërisë shqiptare për shtetin ligjor dhe barazinë para ligjit?

Duket sikur shqiptarëve viti 2026 do t’iu nisë ndryshe botës, më 22 janar, kur do të merret edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj çështjes “Balluku”. Nga CVja e Gjykatës Kushtetuese, personalisht jam skeptike për vendimin e saj. Për një arsye fare të thjeshtë: ndryshe nga çdo gjykatë, ajo Kushtetuese ka një trupë, sepse qasja ndaj Kushtetutës është vetëm një. Ndarja e saj herë-herë në vendime të caktuara, e zbulon atë si një gjykatë me ndikime politike, shenja këto jo të mira. Çështja është a do t’i nënshtrohet shoqëria shqiptare krimit me pushtet pas 22 janarit? Si do të mund t’i bëjë detyrat drejtësia kur një pjesë e zullumqarëve, e banditëve, e kriminelëve, e antikombëtarëve, fshihen pas imunitetit? A do të ketë njerëz të paarritshëm në këtë vend? A do të ketë njerëz me imunitet absolut dhe të paprekshëm nga sot e tutje? Paramendoni një çast nëse nuk do të kishim SPAK-un dhe ky çiban kriminal do të vazhdonte të grinte shtetin dhe ardhmërinë e shqiptarëve! Ai ende pa u hapur bie erë të rëndë. A thua Gjykata Kushtetuese do të na pengojë ta pastrojmë? Nëse jo, për çfarë dreqin e duam? Demokracia është rendi i njerëzve të barabartë para ligjit dhe kjo gdhendet në Kushtetutë, dhe Kushtetutën e mbron Gjykata Kushtetuese. A po ndin?!

/Gazeta Panorama



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×