
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama, të cilat janë cilësuar nga kritikët si një “flirt” me Kinën, duke paralajmëruar se një qasje e tillë përbën rrezik për një vend të vogël si Shqipëria dhe për pozicionimin e saj ndërkombëtar.
I ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, Preçi u shpreh se vendet e vogla nuk mund të vendosen mes interesave të fuqive të mëdha. “Është e panatyrshme dhe e pazakontë të mbajmë pozicione të tilla. Mund të jetë përpjekje për t’u afirmuar, por nuk e përjashtoj që ‘flirti’ me Kinën të përdoret edhe si presion politik,” tha ai, duke shtuar se realiteti në Shqipëri nuk është aq pozitiv sa paraqitet.
Analisti theksoi se ndërhyrjet e elitës politike në drejtësi, si dhe prania e krimit të organizuar dhe trafikut, kanë krijuar shqetësim ndërkombëtar, veçanërisht për SHBA-në, e cila sipas tij është shumë e ndjeshme ndaj këtyre zhvillimeve.
Preçi u shpreh skeptik për rolin që mund të luajë Shqipëria apo kryeministri Rama në raportet mes fuqive të mëdha. “Nuk shoh ndonjë rol real që mund të luajë vendi ynë në këtë përballje globale,” tha ai.
Duke krahasuar orientimin drejt Lindjes me atë drejt Perëndimit, Preçi kujtoi se kjo çështje është mbyllur prej dekadash. “Ideja se Kina mund të jetë aleat më i mirë se Perëndimi është kapërcyer para 35 vitesh. Drejtimi drejt Lindjes na ka sjellë prapambetje. Edhe investimet kineze dikur përbënin rreth 18% të ekonomisë, por zhvillimi nuk u mbështet kurrë në forcat tona,” u shpreh ai.
Preçi shprehu shqetësimin se Shqipëria nuk ka ende një aset konkurrues për rajonin apo për Bashkimin Evropian. “Integrimi në BE nuk ndryshon shumë, përveçse paguajmë më shumë taksa dhe kemi zgjedhje më pak të kontestuara, nëse nuk ndërtojmë më parë një ekonomi reale dhe konkurruese,” përfundoi analisti.
and then