
Analisti Ben Andoni është shprehur se SPAK nuk do të tërhiqet nga hetimi i çështjes “Balluku”, duke theksuar se data 22 janar do të jetë një moment kyç për demokracinë dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Sipas Andonit, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, ndodhet ende në muajt e parë të detyrës, por pritet të jetë aktiv në çuarjen përpara të çështjeve të rëndësishme.
“Nuk besoj që SPAK do të tërhiqet. Braho është në muajt e parë të punës së tij si drejtues dhe besoj se do të jetë shumë aktiv për të çuar çështjet përpara”, u shpreh Andoni.
Analisti komentoi edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në dukje se shtyrja e shqyrtimit të çështjes së zv/kryeministres Belinda Balluku mund të sjellë interpretime të hapura dhe vendime të paqarta.
“Gjykata Kushtetuese, duke e shtyrë çështjen e zonjës Balluku për trajtim, mund të bëjë një interpretim që lë shumë shtigje të hapura. Në disa raste, vendimet e saj kanë qenë ekuivoke”, tha ai.
Sipas Andonit, 22 janari do të jetë një test i rëndësishëm për institucionet dhe demokracinë shqiptare.
“Do të jetë një ditë shumë e madhe për demokracinë shqiptare. Janë këto momentet që tregojnë se sa është pjekur një shtet”, theksoi analisti.
Ai shtoi se, nga këndvështrimi etik dhe institucional, zv/kryeministrja Belinda Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen më herët, duke u vënë vetë në dispozicion të drejtësisë.
“Logjika e thjeshtë është që zonja Balluku duhet ta jepte dorëheqjen me kohë dhe të vetëvendosej para sistemit të drejtësisë”, përfundoi Andoni.
and then