
Analisti Artur Zheji tha se nuk pati asnjë surprizë nga votimi në Kuvend për Presidentin e ri, ku u zgjodh me 78 vota pro Bajram Begaj.
Në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Zheji u shpreh se surpriza e gjithë këtyre zhvillimeve ishte sulmi publik që Sali Berisha i bëri Presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit dekretoi lirimin nga detyra të Bajram Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Për analistin Zheji, “Është e rëndë të akuzosh Presidentin se ka shkelur Kushtetutën. Është diçka e rëndë që ka ndodhur në komunikimin mes tyre. Berisha mund ta çojë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese qëndron, mund të kemi çudira, mund të kemi zhbërje të këtij procesi. Varet nëse do të këmbëngulë Berisha nga ana institucionale”.
Zheji: Nuk kemi asnjë surprizë, parashikohej. Pamë shkëmbimet e Ramës me presidentin e zgjedhur. Ishte një vështrim kuptimplotë, e pamë kryeministrin që admiroi me qetësi korrektesën e deputetëve të tij dhe aleatëve për të votuar Begajn. Ishte pikant komenti i Berishës për Metën, që ka bërë shkelje, duke dekretuar lirimin e Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Balla replikoi. Kemi të bëjmë me një çarje mes Berishës dhe Metës. Fakti që Meta nuk ka qenë në konflikt me karrierën e Begajt dhe fakti që ka një dakordësi mes tij dhe Ramës për figurën e tij ka krijuar një irritim te Berisha. Berisha m’u duk shumë i shqetësuar. Nëse do ishte i informuar, nuk do të kishte bërë komente. Ai është politikani më i sprovuar i Shqipërisë dhe e di kur duhet heshtur e kur jo. Ai donte të lëshonte një mesazh të prerë dhe pa ekuivok. Si do të reflektohet kjo te Meta, nuk dihet.
Fitorja e Ramës sot duket e dyfishtë. Zgjodhi Begajn, grupi i tij parlamentar votoi pa asnjë rrjedhje, pra nuk ka asnjë çarje, asnjë shpresë për mendim ndryshe nga grupi i PS. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Berisha sulmoi Metën. Është e rëndë të akuzosh presidnetin se ka shkelur Kushtetutën. Është diçka e rëndë që ka ndodhur në komunikimin mes tyre. Berisha mund ta çojë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese qëndron, mund të kemi çudira, mund të kemi zhbërje të këtij procesi. Varet nëse do të këmbëngulë Berisha nga ana institucionale.
Arena e Lajmit