Referencat e ndërtesave për banim në fshat, ja në cilat zona çmimet do barazohen me qytetin

Sipas ndarjes së re të propozuar nga qeveria për çmimet e reja të referencës sipas rretheve, qyteti i Durrësit aktualisht ka një çmim të vetëm reference prej 67,500 lekësh për metër katror. Me hartën e re të çmimeve kadastrale, qyteti i Durrësit parashikohet të ndahet në 12 zona.

Zona nr. 12 do të përfshijë të gjitha fshatrat e qytetit, për të cilat është propozuar një çmim reference prej 67,500 lekësh për metër katror, i njëjtë me çmimin aktual të qytetit. Ndërkohë, çmimet e referencës për 11 zonat e tjera kadastrale, në të cilat do të ndahet qyteti i Durrësit, do të variojnë nga 68,000 lekë deri në 200,000 lekë për metër katror.

Skema e re e propozuar nga qeveria, ku për herë të parë përcaktohen çmime reference edhe për fshatrat, ndjek në përgjithësi të njëjtin parim. Çmimet e referencës për zonat rurale janë propozuar në nivele të barabarta me çmimet aktuale që aplikohen për rrethet.

Monitor publikon zonat kadastrale të fshatrave ku çmimet fiskale do të barazohen me çmimet aktuale në rrethe.

Përveç përfshirjes për herë të parë të fshatrave në skemën e çmimeve të referencës, qeveria propozon edhe një risi tjetër në vlerat e reja. Për shumë zona rurale bregdetare, si ato në bashkitë Durrës, Himarë, Vlorë, Sarandë, Lezhë, Shkodër etj., nuk do të aplikohen çmime të njëjta me vlerat aktuale të rretheve.

Konkretisht, për fshatin Dhërmi, në bashkinë Himarë, qeveria ka propozuar çmime reference më të larta krahasuar me fshatrat e tjera. Për vijën bregdetare në Dhërmi, çmimi i propozuar është 140,000 lekë për metër katror. Ndërsa për zonat e tjera të fshatit Dhërmi, pra pas bregdetit propozohet të ketë çmim reference 58,000 lekë, sa çmimi actual për Himarën. Ndërsa Himara ndahet në 5 zona kadastrale ku çmimi më I lartë do të jetë 140 mijë lekë (ku përfshihet vija e parë bregdetare e fshatrave Dhërmi dhe Palasë).

Po ashtu, vija e parë bregdetare e Gjirit të Lalzit dhe Hamallajt do të ketë një çmim reference prej 190,000 lekësh për metër katror, ndërsa zonat e tjera të këtyre fshatrave do të kenë çmim reference të barabartë me çmimin aktual të qytetit të Durrësit, prej 67,500 lekësh për metër katror.

Fshatrat më të shtrenjtë, sa do jenë çmimet fiskale nga Gjiri i Lalëzit, Dhërmi, Ksamil në Velipojë

Nëse me ndarjen e re brenda qyteti i Pogradecit është i ndarë në dy zona kadastrale me çmime për zonën nr.1 (përfshihet zona e banuar buzë vijës liqenore) 60 mijë lekë për metër katror dhe për zonën nr.2 ( zona e banuar pas vijës së liqenit) çmimi reference 50 mijë lekë. Pas rishikimit të projektvendimit të parë, qytetit të Pogradecit i shtohet edhe një zonë e tretë kadastrale që përfshin të gjithë fshatrat, nga fshatrat afër liqenit deri në fshatrat e Mokrës për të cilat është propozuar çmimi i referencës 49,900 lekë i njëjtë me çmimin e referencës që aplikohet sot për qytetin.

Mbi çmimet e referencës bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Nëse aktualisht për llogaritjen e bazës së taksueshme të këtyre taksave që është vlera e pronës përdoren çmimet e referencës, për zonat rurale në mungesë të tyre, përdorej çmimi i qytetit por i reduktuar 35%. Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja që qeveria propozon.

Me ndarjen e re në total vendi është i ndarë në 176 zona kadastrale (pa përfshirë 31 zonat kadastrale të Tiranës). Numri i zonave rurale arrin ne 60.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×