
“Saga” Asllani nuk ka fund, në një kohë kur emri i tij qarkullon në çdo faqe, media apo portal. Përjashto vetëm ekipet “big” të Serie A, emri i tij lakohet në çdo skuadër tjetër që kërkon një mesfushor të ri në këtë merkato dimri. Pas Fiorentinës, Parmës, Sassuolo-s dhe Genoa-s, ekipi i radhës që shfaq interes për Asllanin është Bologna.

Në fakt, Bologna edhe më herët ka kërkuar informacion për Asllanin, por në verë mesfushori kuqezi e shpërfilli duke vendosur të transferohej te Torino. Situata tani është ndryshe, pasi Asllani e ka të qartë që në Torino nuk e duan më, por për të nuk ka vend as në Milano, tek Inter. Eksperti i merkaton në Itali, Gianluca Di Marzio, shkruan se Bologna ka përfshirë edhe një herë Asllanin në listën e dëshirave, kjo pasi së fundmi lanë të lirë Sulemana-n të rikthej te Cagliari.

Në kushte të tilla, stafi drejtues është i detyruar të futet në merkato për të gjetur një mesfushor të ri. Bologna është një skuadër ideale për Asllanin, një skuadër që luan edhe në Europa League, por ashtu si në verë, edhe tani, Asllani kërkon garanci sportive, kërkon një vend në formacion. Bologna, sipas mediave italiane, pritet të trokas në derën e Inter për të gjetur një akord për transferimin e Asllanit.
and then