INTERVISTA/ “Tirana do ringrihet, e ka brumin për të shpëtuar”, Bunjaku “zbërthen” bardheblutë: Ju flas për merkaton dhe planet

Tirana po kalon një periudhë të vështirë, teksa synon që të shpëtojë sezonin. Mes shumë hallesh dhe problemesh, bardheblutë kërkojnë që të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të rikthehen në “shina”. Nga e kaluara tek e ardhmja, nga dëshirat e merkatos te qëllimet, drejtori sportiv i Tiranës, Omer Bunjaku, i ftuar në Sport News në News 24, zbuloi pothuajse gjithçka.

Omer si të duket Tirana, kryeqyteti i shqiptarisë, si është të jetosh në Tiranë, je përshtatur?

Deri tani gjithçka është në rregull. Tirana është një qytet i bukur, është qytet që më përmbush

Nga Shkupi, te Tirana ku është më bukur, ku ndihesh më komod?

Shtëpia është shtëpi. Këtu e shikoj si një shtëpi të dytë, pasi kam shumë shokë dhe po kaloj shumë mirë.

Si je pritur nga ambienti, nga klubi, nga tifozët, a është e vështirë të jesh drejtues te Tirana?

Tirana është një klub i madh, është një presion ndoshta edhe më i madh nga çfarë e kam pritur. Tifozët duan edhe fitore, nuk pranojnë asnjë rezultat tjetër. Kam ardhur me ambicie të plotë, kam qenë edhe vet tifoz i Tiranës, besoj se do ia dalim.

 

Fakt është që e ke gjetur Tiranën në një moment shumë delikat, a e mendonit një fillimin të tillë?

E dija që do ketë vështirësi. Nuk e imagjinoja që do të ishte në atë pikë. Sa i takon pjesës tjetër, çdo gjë ka qenë korrekte. Ndoshta më mirë se në klubet tjera ku kam qenë. Kam pas çdo moment përkrahjen e drejtuesve dhe presidentit. Kishte probleme më përpara, e shoh shumë gabim mënyrën se si i kishin marrë të gjithë ato lojtarë. Ka qenë e vështirë, pasi disa lojtarë kishin edhe kontrata afatgjatë. Jemi përpjekur të mos dëmtojmë klubin.

Çfarë po ndodh realisht, pse kjo situatë, a keni bërë një analizë për këtë?

Deshe apo nuk deshe, çdo sukses apo mossukses i takon atyre. Pa anashkaluar pjesën drejtuese dhe stafit teknik që ka qenë. Unë mendoj se ka qenë një shqyrtim i gabuar i lojtarëve.

Çfarë mendon presidenti Halili, përveç se ka hapur sërish “thesin”? Keni folur më të, çfarë mendon ai për këtë situatë ku ndodhet klubi?

Halilin e kam njohur, por jo aq shumë sa tani. Unë e kam parë që është tifoz i çmendur i Tiranës. Po bën çdo gjë që klubi të kthehet aty ku i takon dhe në këto momente, përkrahja e tij nuk na ka munguar. Në fund të gjithë do të jenë të kënaqur.

Në fund të vitit 2025, në dhjetor, larguar në bllok afro 9 lojtarë mos gaboj, ju keni shumë eksperiencë në menaxhimin e klubeve, të duket normale?

Është e vërtetë. Futbollin e shikojmë çdokënd, në afatin kalimtar të janarit nuk mund të bëhen shumë afrime. Këtu në Shqipëri nuk ka as fazë përgatitore, e kemi patur të vështirë. Po shikoj këto kohë shumë gjëra pozitive. Kemi bërë tre ndeshje, kemi marrë 2 fitore. Ne do të futemi vetëm për fitore pasi situata është e tillë, na duhen vetëm fitore.

E keni nisur vrullshëm edhe këtë merkato dimri, ajo që bie në sy është fakti që keni afruar lojtarë të shtrenjtë në treg, i fundit Xhixha, cili është plani që keni?

Ne ekipin e kemi përfunduar, kemi marrë lojtarët që na takon. Gjatë rrugës nëse na del “boom”, nuk do falim. Presidenti është i gatshëm për çdo gjë.

Më shuaj një kuriozitet, si e binde Xhixhën?

Xhixha? Që në telefonatën e parë, e kam ditur që do vijë te Tirana. Në moment që e kam ftuar, ka qenë diku nga muaji tetor, më tha kështu, drejtor e kam vështirë t’i them jo Tiranës, por e kam edhe më të vështirë t’i them jo familjes Halili. I thashë që Xhixha do jetë lojtar i yni dhe ashtu ndodhi.

Trajneri Nuhiu u shpreh se do të vijojmë të përforcojmë ekipin, ku planifikoni të ndërhyni?

Trajneri e ka thënë në disa intervista se duhen dy ose tre lojtarë. Ne dy ia kemi sjellë, dy qendërmbrojtës që i ka kërkuar, njëri është Diari nga Prishtina dhe tjetri është Ante nga Kluzh, i falënderoj edhe drejtuesit atje pasi kemi raport shumë të mirë pasi na e kanë dhënë për 6 muaj në huazim. Besoj që do ta na ndihmojnë shumë këtë periudhë.

Është thuajse e pamundur që në janar të gjesh lojtarë cilësore, flas 2-3 e jo me ndryshosh thuajse gjysmën e ekipit, beson realisht se mund të ndryshoni fatin e sezonit?

Po mos ta besoja, nuk do isha këtu. E thashë që është e vështirë në janar që lojtarët të largohen nga klubet. Mendoj se kemi sjellë lojtarë me cilësi, edhe pse është ende shumë herët të flitet për këtë. E di që do na bëjnë shumë punë.

E keni nisur vitin me dy fitore dhe një barazim, përfshi këtu edhe Kupën, pyetja që shtrojnë të gjithë tifozët bardheblu, a do të shpëtojë Tirana këtë sezon, ose më saktë, çfarë objektivi keni këtë sezon, se e di që do më thuash që nuk e diskutojmë mbijetesën…

Këtë sezon duam të shpëtojmë. Ambiciet e tona janë ato, duam të shpëtojmë. Të shohim më pas se çfarë do të sjell rruga. Besoj që do t’ia dalim. E shikoj te grupi një atmosferë shumë të mirë, e shikoj që ka mentalitet fitues aty.

Po Kupa, a kthehet në këto kushte në objektivin kryesor, a do i përqendroni aty bateritë për të shpëtuar këtë sezon?

Kemi punë në kampionat, në kupë thjeshtë duke parë duke bërë. Nuk do e doja që të Tirana të bie nga Kategoria dhe të fitonte Kupën, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Bëri jo pak bujë pak kohë më parë një foto e juaja me Orges Shehin, trajneri i fundit qe solli titullin te Tirana, ke folur më me të, çfarë mendimi ka ai për situatën ku ndodhet Tirana?

Ndoshta është ekskluzive, në momentin që kisha ofertë nga Tirana ose nga ekipe të tjera, me Shehin kemi punuar te Ballkani, atë periudhë që kemi punuar mendoj që e vlerësoj si një nga më të mirët. Për të ardhur te Tirana, marr Gesin në telefon, pak a shumë edhe ai e dinte. Sido që të jetë, është Tirana. Gesi e do Tiranën, është ende me kontratë te Ballkani, ka problemet e tij me klubin. Mendimi im për të është se është shumë i madh.

Tirana dhe Shkupi kanë qenë shumë të lidhura me njëra-tjetrën.

E ke patur një lloj dashurie për Tiranën, nuk të është dashur shumë kohë për të vendosur
Për këtë vendim, kisha ofertë nga klubet e tjera. Gruaja ime duke ditur marrëdhënien time me Fanaticsat, duke ditur sa miq kemi, duke ditur edhe sa e përcjellim Tiranën, më tha që ti do ikësh. Ka qenë shumë e lehtë të vij këtu. Pas Shkupit është gjithnjë Tirana

Nëse të vjen një ofertë nga Partizani…

Përgjigja ime është shumë e thjeshtë, nuk mund t’i them djalit tim që do shkoj te Partizani. E paimagjinueshme. Ai e di që në dy klube nuk do kisha punuar kurrë, te Partizani dhe te Vardari.

Një tjetër ish i famshëm i Tiranës, Rezart Dabulla, u shpreh se Tirana është e rënë, nuk ka shpëtim etj, ka shumë zëra kritik, a ke ti një përgjigje për të gjithë?

Dabullën e mbaj mend si lojtar të Tiranës, çdo ish-lojtar ose ish-drejtor është i shenjtë. I respektoj dhe i kuptoj, pasi asnjë nuk do ta shoh Tiranën këtu. Duhet të jemi më pozitiv dhe të gjithë së bashku, të dërgojmë Tiranën aty ku e ka vendin.

Cila është dëshira, objektivi juaj personal, ku dëshiron të arrijë Bunjaku në Shqipëri?

Nuk e fsheh. Kam marrë trofe në Maqedoni dhe Kosovë, më mungon në Shqipëri. Do isha i lumtur nëse do e kisha edhe me Tiranën.

Si do e vlerësonit futbollin në Shqipëri, çfarë note do i vendosnit?

Nuk diskutohet që është kampionat shumë i fortë, të gjitha janë aty-aty. Ky është kampionat shumë i fortë për momentin.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×