Dominim anglez në Champions, 5 ekipe në “Top8”, shkëlqen Arsenal

Pa diskutim, Premier League është kampionati më i fortë në botë, ky fakt u vërtetua edhe një herë në këtë edicion të fazës së Ligës në Champions ku 5 nga 8 ekipet e kualifikuar direkt vijnë nga Anglia. Jo vetëm 5 ekipet prezente në “Top8”, por këtij rrugëtimi iu bashkuar edhe Newcastle, me “qymyrxhinjtë” që mbyllën këtë fazë në vendin e 13-të duke siguruar një vend për në “play-off”, shifra këto që tregojnë qartë supermacinë e futbollit britanik.

Me 8 fitore në 8 ndeshje, 24 pikë në total, 23 gola të shënuar vetëm 4 të pësuar, Arsenal mbylli këtë fazë me shifra rekord, si kurrë më parë në historinë e klubit. Edhe pse të kualifikuar një xhiro përpara fundit, Arsenal nuk e uli ritmin as përballë Kairat me ekipin e Artetas që triumfoi me rezultatin 3-2. “Topçinjve” i mjaftoi vetëm një pjesë loje për të mbyllur llogaritë ku Gyokeres, Havertz dhe Martinelli gjetën rrugën e rrjetës.

Ndryshe nga Premier League, në Champions, Liverpool kaloi pa shumë probleme në fazën me eliminim direkt. Të kuqtë “shpërthyen” ndaj Qarabag duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-0. Mac Allister dhe Wirtz realizuan në fraksionin e parë. Në pjesën e dytë, ekipi i Slot nuk e uli ritmin ku Salah, Ekitike dhe sërish Wirtz gjetën rrugën e rrjetës. Në fund ishte Chiesa, me sulmuesin “azzurr” që sigloi shifrat në 6-0. Falë këtij suksesi, Liverpool e mbyll këtë fazë në vendin e tretë me 18 pikë, një më shumë se Tottenham.

“Gjelat” triumfuan 0-2 në transfertë përballë Frankfurt. Kolo Muani dhe Solanke ishin autorët e golave. Një fitore të madhe siguroi edhe Chelsea, me londinezët që triumfuan 3-2 në transfertë përballë Napolit. Enzo Fernandez realizoi golin e parë për Chelsea-n, por ekipi i Conte-s reagoi fuqishëm ku brenda pjesës së parë, Vergara dhe Hojlund realizuan dy herë duke përmbysur rezultatin në 2-1. Në fraksionin e dytë stafetën e mori Joao Pedro me brazilianin që realizoi një “dopietë” golash duke përmbysur shifrat në 2-3.

Kalon në “Top8” edhe Man.City me ekipin e Pep Guardiola që fitoi 2-0 përballë Gallatasary. Haaland dhe Cherki ishin autorët e golave.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×