“Qeveria digjitale jep vetëm ERROR 404”, Tabaku: e-Albania jashtë funksionit fut biznesin në kolaps dhe bllokon profesionistët e lirë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka denoncuar përmes një videoje në rrjetet sociale kolapsin e shërbimeve digjitale të qeverisë shqiptare, duke theksuar se situata është veçanërisht dramatike për biznesin dhe profesionistët e lirë.

Sipas Tabakut, sot i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania. “Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër,” thekson ajo.

Deputetja rikujtoi betejën e fituar në Gjykatën Kushtetuese për profesionet e lira, ku mbi 20 mijë profesionistë u dëgjuan dhe fituan të drejtën e tyre. Por, sipas saj, për një pjesë të tyre, që nuk gjetën zgjidhje të plotë nga vendimi i Gjykatës, sot problemi është përkeqësuar për shkak të një sistemi të pezulluar dhe jofunksional.

Tabaku shpjegon se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care. “Imagjinoni një profesionist të lirë, një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë, dhe nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme,” thekson ajo.

Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues të rregullt, njerëz korrektë me shtetin, të cilët paguajnë taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal në këmbim. “Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota,” deklaron Tabaku, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.

Në përfundim, ajo e cilëson realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri e shpallur ‘digjitale’, që nuk ofron dot as certifikata për biznesin dhe që ndaj sipërmarrjes shqiptare përgjigjet vetëm me “ERROR 404”. Sipas saj, ky kolaps digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×