
Armand Kullau | Vetting
“Edhe këto rrjedhin. Ne s’kemi hyrë këtu brenda, ku do rrimë këtu brenda ne? Ato dy divane kanë qenë aty, po rrinë aty kot. Ne s’kemi… ku do të hysh këtu? Shtëpia e re kjo është, por halli është që çatia rrjedh. Ja! Shi, edhe ka pikuar! Kur ka rënë shi, që pikojnë të gjithë!” tha për “Vetting” Nexhmie Halili, banore nga fshati Sinaballaj i Bashkisë Rrogozhinë.
Nexhmia nuk është e vetmja banore që kompania private nuk i ka përfunduar shtëpinë dhe rri në kasolle, por ajo ka rastin më të rëndë sepse shtëpia e re, kur bie shi, çatia rrjedh. Pra, kompania nuk ka bërë punime cilësore ndërkohë që Bashkia e ka lejuar firmën të kryejë punimet në një kohë që nuk ka patur licencë profesionale.
“Problemi jonë është këtu se ne na u dëmtuan shtëpitë nga tërmeti dhe fituam, domethënë këtë ndërtesën për shtëpiat e reja. Edhe një firmë tani që mori përsipër këto, na i shembi shtëpitë që ishin dëmtuar shumë rëndë nga tërmeti, edhe i la punimet gjysëm”, tha për “Vetting” Ledi Sula, njëri nga banorët të cilit i ka ngelur shtëpia pa përfunduar, ashtu si Nexhmia.
Në fakt, rasti i Bashkisë Rrogozhinë zbulon një skemë mashtrimi, ku përgjegjësinë kryesore e ka vetë institucioni që ka lejuar një kompani pa licencë të ndërtojë shtëpitë e banorëve në fshatin Sinaballaj.
“Kërkoj shtetit të na bëjë shtëpiat, edhe kaq. I kanë lënë gjysëm. Lekët i morën ata, le të bëjnë shtëpiat pra. Ngaqë është muhabeti që shtëpiat të mbarojnë, çelësat në dorë, me dyer, me pllaka, me të gjitha, edhe çelësat në dorë. Ngelëm tani me nënën, gjysëm”, u shpreh e shqetësuar Nexhmie Halili, e cila pret në ankth se kur do të strehohet.
Edhe pse Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë Edison Memollaj u kishte premtuar banorëve se do tu siguronte shtëpi të reja, skema e rindërtimit me grante individuale do të rezultonte në një skemë mashtrimi, ku përgjegjësi nuk mban askush.
Historia e kompanisë pa licencë që mori përsipër Rindërtimin
Në fakt e gjithë historia e Rindërtimit me grante individuale në njësinë administrative Sinaballaj të Rrogozhinës ka filluar në 30 mars 2023, kur administratorja Arta Danaj do të regjistronte kompaninë “Duka Tr Construction” me veprimtari në fushën e ndërtimit në kryeqytet.
Këtu do të nisnin edhe dyshimet e para sepse për të realizuar një projekt si Rindërtimi, do të duhej eksperienca dhe realizimi i disa punimeve të tjera. Madje duke parë që banorët ishin të pastrehë, këto punime duheshin kryer sa më shpejt për të shmangur bonus qiratë dhe për t’i akomoduar banorët në shtëpitë e reja.
Një element thelbësor që del nga dëshmitë e banorëve është fakti se përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese u janë paraqitur atyre duke deklaruar se firma ishte “e zgjedhur nga bashkia”.
“Kjo çështje është pak e ngatërruar. Firma na ka ardhur, na ka kontaktuar, na tha ne kemi marrë shtëpitë e tërmetit dhe ne firmosëm kontratat”, deklaroi për “Vetting” Ledi Sula.
Sipas ligjit, bashkia nuk zgjedh dhe nuk ndërmjetëson kompaninë ndërtuese në këtë rast. Ligji është ndërtuar në mënyrë të tillë që paratë t’i jepen banorit, ndërsa vendimi se me kë do të ndërtojë shtëpinë i takon vetë përfituesit. Kontratat private dhe mënyra si kanë rrjedhur veprimet në terren ngrenë pikëpyetje për rolin real të zyrave vendore në informimin dhe orientimin e banorëve gjatë procesit. Kjo do të thotë se banori mban rrezikun, sepse banori ka bërë zgjedhjen.
Në skemën e grantit individual, bashkia shfaqet me rol administrativ dhe verifikues, ndërsa marrëdhënia me kompaninë ndërtuese formalizohet nga vetë banori me kontratë private.
Ky fakt bie në kundërshtim me qëllimin e skemës së grantit individual, e cila bazohet në zgjedhjen e lirë të operatorit nga përfituesi dhe në mosndërhyrjen e bashkisë në marrëdhënien private. Nëse ky prezantim ka ndodhur me dijeninë ose tolerimin e strukturave bashkiake, atëherë skema e grantit, edhe pse formalisht e ligjshme, është deformuar në zbatim.
Për të zbuluar më shumë, “Vetting” kontaktoi administratoren e kompanisë “Duka Tr Construction” Arta Danaj për ta pyetur në lidhje me këtë pikë.
“Nuk më ka zgjedhur Bashkia Rrogozhinë, kam patur marrëdhënie vetëm me individët”, u shpreh për “Vetting” administratorja Danaj.
Përsa i përket deklaratave të banorëve që ishte prezantuar si kompani që do merrej me Rindërtimin në Sinaballaj, për “Vetting” Danaj tha se nuk ishte në dijeni se çfarë thonë banorët.
“Unë kam patur marrëdhënie vetëm me individët, nuk kam pasur asnjëherë marrëdhënie që të më ketë zgjedhur Bashkia”, u shpreh administratorja Danaj duke mohuar se ishte përzgjedhur nga Bashkia Rrogozhinë.
Edhe pse bashkia Rrogozhinë “lan” duart nga skema e grantit individual, përsëri roli dhe përgjegjësia për problemet që u kanë ndodhur banorëve ngelen mbi institucionin që drejtohet nga Edison Memolla.
Ky i fundit është nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Posaçme e ka dënuar me një vit heqje lirie dhe e ka ndaluar që për 5 vite të ushtrojë funksione publike. Avokati i kryebashkiakut ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.
Teksa kryetari i Bashkisë Rrogozhinë ka probleme me SPAK-un, banorët e njësisë administrative Sinaballaj thonë se kanë mbetur në qiell të hapur dhe dyshojnë për mënyrën si është zhvilluar procesi.
Në 14 shkurt 2024, Memolla do të firmoste kontratat individuale me banorët e Sinaballaj, të cilët kishin detyrimin që me fondet e marra të realizonin banesat sipas formatit të përshkruar nga Bashkia Rrogozhinë. Disa ditë më pas, në fund të shkurtit 2024, këta banorë do të firmosnin kontratat me kompaninë “Duka Tr Construction” në pronësi të Arta Danaj.
Këto kontrata janë akte private, të noterizuara, ku bashkia nuk figuron si palë kontraktuese dhe në to parashikohet që kompania ndërtuese të kryejë punimet e rindërtimit kundrejt shumës së grantit të përfituar nga banori.
Sipas dokumenteve evidentohet se fondet janë shpërndarë nëpërmjet dy fazave, përkatësisht 60% në fillim dhe 40% pas verifikimit të përfundimit të karabinës ose të fazës përkatëse të ndërtimit. Por kryerja e pagesave nëpërmjet kësteve kushtëzohet nga verifikimet e strukturave të bashkisë, të cilat duhet të analizojnë progresin real të punimeve. Kontratat e grantit parashikojnë gjithashtu detyrimin e bashkisë për mbikqyrje dhe të drejtën për të kërkuar kthimin e fondeve dhe aplikimin e penaliteteve në rast mospërmbushjeje.
Në fakt, që nga fillimi Bashkia e drejtuar nga Edison Memolla ka lejuar që kompania pa licencë profesionale, të shemb dhe rindërtojë banesat në shkelje të ligjit. Duke certifikuar fazat e punimeve dhe duke lejuar disbursimin e granteve publike, institucioni ka dështuar në detyrimin ligjor të mbikëqyrjes dhe kontrollit të procesit të rindërtimit.
Sipas regjistrave zyrtarë të shoqërive të zbatimit për punime ndërtimi, ‘Duka Tr Construction’ nuk rezulton i listuar në këto dokumente.
Pyetjes së “Vetting” se mbi ç’bazë ligjore ka lidhur kontrata ndërtimi me banorët, administratorja Danaj u përgjigj duke thënë se për banesat një katëshe nuk është konditë.
“Për ndërtimin 1-katësh nuk është konditë ligjore. Unë kam një inxhinier aty, që e le që ndjek punimet”, tha juristja Danaj.
Edhe pse i sollëm në vemendje parashikimet e ligjit, administratorja e kompanisë këmbënguli se për ndërtimin e godinave një katëshe nuk është konditë.
“Unë kam teknik ndërtimi, inxhinier ndërtimi që e kam paguar atëhere dhe ka ndjekur punimet”, u shpreh administratorja e “Duka Tr Construction”.
Por kompania ka shkelur ligjin duke marrë përsipër punime rindërtimi pa qenë e pajisur me licencë profesionale për zbatim punimesh ndërtimi. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 16.01.2008 parashikon se punimet e ndërtimit kryhen vetëm nga subjekte të licencuara, pa përjashtim për banesa njëkatëshe apo rindërtim pas tërmetit. Po ashtu, ligji nr. 107/2014, neni 45 përcakton se punimet e ndërtimit dhe zbatimi i lejes së ndërtimit mund të kryhen vetëm nga subjekte të licencuara. Marrja përsipër e kontratave të rindërtimit nga një subjekt që nuk figuron në Regjistrin e Shoqërive të Zbatimit përbën shkelje nga ana e kompanisë.
Administratorja Danaj nuk mohoi problemet e shtëpisë së re që kishte Nexhmie Halili, e cila ankohej për çatinë e shtëpisë.
Gazetari: Po mirë, çeshtja e zonjës Nexhmie Halili?
Administratorja Arta Danaj: Nexhmia ka vetëm dyert dhe dritaret dhe ia kam porositur unë dhe do t’ja sjell.
Gazetari: Pra, nuk e keni përfunduar atë si projekt?
Administratorja Arta Danaj: Vetëm dyert edhe dritaret ka dhe është në përfundim ajo.
Gazetari: Por kur do mbarojnë punimet e Nexhmies?
Administratorja Arta Danaj: Brenda një muaji do t’i përfundojmë, i kam porositur unë dyer dhe dritare në varësi të atij djali që bën dyer dhe dritare.
Gazetari: A e dini që shtëpia e Nexhmies ka probleme me çështjen e soletës me ujin, me shirat?
Administratorja Arta Danaj: E kam rregulluar njëherë unë, e kam izoluar dhe do e izolojë prapë. Ka ndodhur nga betoni, unë nuk e di, por do ta izoloj përsëri.
Gazetari: Këto të tjerat sipas jush keni patur probleme me këtë zotërinë, po me çështjen e Nexhmies, pse është zvarritur kaq gjatë procesi kur i keni marrë pagesat?
Administratorja Arta Danaj: Nga borxhet që u ndërtuan nga Tomori, që u mori lekët, unë kam bërë një pjesë të ndërtimeve të tjerëve dhe i kam zvarritur… i kam zvarritur se i kam bërë një cikë ngadalë.”
Përplasjet midis Arta Danaj dhe Tomor Myftaraj, akuzat për mashtrim
Banorët kanë deklaruar se shtëpitë e tyre kanë ngelur pa përfunduar dhe në skenë do të dilte edhe Tomor Myftaraj, që nga banorët shihej si bashkëpunëtor i saj. Një problem tjetër që kanë hasur banorët është se për të mbyllur punimet e shtëpive, ata kanë filluar të investojnë vetë, duke i detyruar të shkrijnë kursimet apo në rastin më të keq të marrin borxh.
“Tani ne kemi shkuar te bashkia, jemi ankuar te bashkia, edhe problemi është i firmës se janë dy bashkëpunëtorë, një grua edhe një burrë, se nuk dua të jap emrat për momentinm, por…nejse do i them dhe emrat. Një e quajnë Tomor, kurse zonjën e quajnë Arta, edhe këta gjithmonë me gisht te njëri-tjetri, “jo i mori ky lekët” ose “jo i mori kjo lekët”. Domethënë faji mbetet jetim, edhe pasojat i paguajnë banorët tani për të mbyllur shtëpiat. Tani çfarë shikon poshtë instalime, pllaka, dyert, të gjitha këto i kemi bërë nga xhepi ynë. Edhe firma nuk na përgjigjet”, u shpreh Ledi Sula.
Të njëjtën gjë deklaron edhe një banor tjetër në Sinaballaj Shërbet Halili, i cili i ka mbyllur vetë punimet.
“Po një herë në fillim, i bënë foto banesës. Ishte e nevojshme për shembje dhe i shembën. Edhe filluan punimet. Pasi morën 60%-in. Iku 60%-i me solete, me të gjitha. Ishte për t’u marrë 40%-i. Para dreke vjen kjo zonja. Pasdite vjen ai zotëriu, se u përçanë këta. Nuk u përçanë për të humbur gjurmë, nuk e di si kishin thënë se ne jemi dhe njerëz të afërt. Një thoshte mos ia jep kësajt. Kur pashë unë te letra, thoshte administratore Arta Danaj. Sollën nja 12 metra rërë, çimento, 13 kasta, këto janë. Edhe filloi punën, i la gjysëm”, u shpreh për “Vetting” Shërbet Halili.
Nga tabloja që paraqesin banorët është e qartë se Bashkia Rrogozhinë ka shmangur përgjegjësitë dhe detyrimet sipas ligjit për programin e Rindërtimit. Për të ballafaquar deklaratat e banorëve dhe të administratores, “Vetting” komunikoi me këtë të fundit për punimet e papërfunduara dhe çështjes së monitorimit nga Bashkia.
“Ato kanë rezultuar që janë ndjekur nga Bashkia deri në fazën 60% dhe i ka ndjekur Bashkia, madje më kanë thërritur mua, më ka thënë “Art, i ke marrë paratë atyre (banorëve)? Jo, Nuk e di kujt ia kanë dhënë, një pjesë thonë “ia kanë dhënë Tomorit”, një pjesë…tre banesa janë ato, në fakt 4”, u shpreh administratorja Danaj.
Në lidhje me shtetasin Tomor Myftaraj, pronarja e “Duka Tr Construction” dha disa sqarime për shkak të akuzave nga banorët.
Gazetari: Ju keni nënkontraktuar person, kompani tjetër për kryerjen e punimeve?
Administratorja Arta Danaj: Jo, jo absolutisht jo dhe nuk i kam dhënë as prokurë, as kontratë, asgjë tjetër dhe ato pa vënë mua në dijeni, nuk kanë respektuar kontratën, por janë marrë me dikë tjetër aty dhe ia kanë kaluar paratë atij dhe unë kam bërë më shumë se sa kam pasur në kontratë.
Gazetari: Po mirë, mqs dolët te kjo çështje, cili është raporti juaj me Tomor Myftaraj? E keni kontaktuar, e keni prezantuar ju për të kryer punimet?
Administratorja Arta Danaj: Jo! Ai ka qenë i punësuar aty.
Gazetari: Ku?
Administratorja Arta Danaj: Ka qenë i punësuar në kompani (Duka Tr Construction) deri vjet në tetor dhe ato para i ka marrë duke mashtruar ato, biles i ka marrë pa dijeninë time fare, absolutisht pa dijeninë time fare.
Gazetari: Po keni marrë masa ndaj këtij personi?
Administratorja Arta Danaj: E kam hequr menjëherë nga puna.
Sipas administratores së kompanisë Arta Danaj, Tomor Myftaraj ka marrë paratë nga banorët pa dijeninë e tij dhe nuk është përgjegjësi e saj.
Dokumenti i siguruar nga “Vetting” tregon se Tomor Myftaraj dhe administratorja Danaj kanë patur një përplasje, e cila ka përfunduar në Komisariatin e Kavajës.
Më 7 nëntor 2024, inspektori i zonës do të merrte në pyetje Tomor Myftaraj përsa i përket mosmarrëveshjeve që Arta Danaj kishte me këtë të fundit. Në letër Myftaraj deklaron se ka një biznes ndërtimi dhe ka lidhur kontratë për disa familje për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që ka një kontratë të cilën e ka lidhur me znj.Danaj. Në fund të letrës, Myftaraj pranon se pasi ka kontaktuar administratoren Danaj, ka gjetur gjuhën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me këtë të fundit.
Nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tomor Myftaraj nuk rezulton të ketë ndonjë biznes të vetin, por i ka llogaritë e bllokuara dhe ngelet mister se me cilën kompani ka vepruar për ndërtimin e këtyre shtëpive.
Prokuroria ka nisur hetimet për Sinaballaj
Rasti i Rrogozhinës është një tragjedi që vazhdon të ndodhë sepse për një pjesë të kohës, banorët në Sinaballaj janë detyruar të zëvendësojnë shtëpinë me kasollet. Madje disa prej tyre flenë akoma nëpër baraka ku për shiun dhe të ftohtin nuk ka asnjë mbrojtje.
Servet Jusufi është një tjetër banor në Sinaballaj që nuk i ka filluar akoma shtëpia pasi sipas tij, firma ka bërë gërmimet në një tokë të re, por nuk ka filluar punimet për ndërtimin e saj.
“Ja kjo është shtëpia që ka bërë firma, ndërtesa, që ka dy vite, me gënjeshtra, me mashtrime, mos u mërzit. Si mos të mërzitem? Unë jetoj aty me llamarina, ja ku është shtëpia me llamarina dhe kur vjen puna e hesapit, deri më sot, asnjë lloj materiali nuk kanë sjellë”, shprehet me ironi Jusufi sepse shtëpia e re nuk është ndërtuar, por ai jeton në një barakë.
Problemi me Servetin është se si çdo banorë, ai ka njoftuar institucionet për problemin, si edhe vetë kompaninë por deri më sot nuk ka marrë asnjë zgjidhje.
Për problemin e Servet Jusufit, administratorja Danaj tha se nuk ishin realizuar punimet për shkak të problemeve të pronësisë që kishte banori.
“Unë e kam pasur atë, kur i nxorrëm dhe lejen, aplikuam nxorrëm lejen. Serveti kishte probleme pronësie me dikë tjetër, edhe nuk i është miratuar fondi nga Bashkia për arsye sepse ka pasur problem me një person, kanë bërë këmbim pasurie, ai është ankuar dhe ka marrë avokat tjetër ai Serveti”, deklaroi administratorja Danaj.
Ndërkohë që Jusufi ka firmosur kontratën me Bashkinë, ngelet mister se si institucioni i ka dhënë lejen e ndërtimit. Por Jusufi zbulon detaje të tjera nga institucioni dhe kompania private.
“Po leja e ndërtimit, gjithmonë, më tha mos shko ti, e marr unë tha ajo zonja. Do të ta marr unë lejen, duke qenë se certifikata e pronësisë ka dalë thashë unë. Do ta marr unë lejen, jo më tha mos u mërzit se na prish punë. Pse çfarë planesh do prish unë? Unë do shkoja për banesën time, për shtëpinë time. Si përfundim, unë nuk vajta. Pardje shkova unë atje, gjeta ata punonjësit atje, me këta të hipotekës të shtëpisë. Edhe më thonë çfarë halli ke? Kam ardhur thashë unë, për të bërë pyetje, a ka dalë leja e shtëpisë? Tha të gjitha kanë dalë, më tha mua ky, ka dalë ajo certifikata, ka dalë ajo aplikimi i shtëpive më tha mua, por leja më tha do të bisedojmë ta marri administratori, se ajo është që merret me këto punë, të dy ata. Edhe unë u nisa sot. Dje isha, nuk i gjeta, nuk ishte asnjë në punë, përveç kryetarit. Edhe kryetari mos ka dalë andej në terren. Thashë a je kryetar ti?! Po. Po si dilke ti në terren? Po, kaq di unë”, shprehet i zhgënjyer Jusufi.
Rasti i Servetit është më i veçanti sepse ai është i vetmi banor që është kontaktuar nga Prokuroria, duke zbuluar detaje për këtë rast.
“Po, prokurori mua më thirri për punën e atyre shtëpive atje, edhe më tha mua si është puna? Po thashë unë, është këtu puna.
Po dëshmitarë më tha mua, i ke marrë? Po, i kam marrë dëshmitarë i thashë.
I thirri dhe dëshmitarët, aplikimet e shtëpive i pa, në rregull më tha mua.
Kush është firma? Kjo! Dakord më tha mua. Ashtu de. Mbaroi punë me mua, me gjithë dëshmitarë, dakord më tha mua, ti mos u mërzit më tha mua, do vi t’i verifikoj vetë. Se ai zotëria e kishte shënuar aty, që kishin bërë atë denoncimin, gjoja si punë denoncimi, e kishte shënuar gjoja ia kam dhënë për mirëmbajtje. E verifikojmë me kryetarin e zonës, kryetari që ka qenë kryetar komune, me gjithë punonjësit e komunës. Edhe erdhën atje, e panë, ti më tha mua ky, mos u mërzit. Më tha shtëpiat do i bësh aty matanë, më tha prokuroria. Tani këtë kam unë, ti më tha mos u mërzit më tha mua se t’i gëzosh një herë me fëmijë e me gjithë grua, edhe tokë në fushë që e ke me gjithë ligjin, atij tha, punën e tij që ka blerë shtëpinë, atë e dimë ne, por shtëpinë tënde do e bëjë firma. Prit, e prit, shtatë muaj, asnjë lloj veprimi firma. Asnjë lloj veprimi. E marr në telefon, u mërzit, mos mu mërzit. Po si të mos mërzitem?”, shprehet i indinjuar Servet Jusufi.
Në dallim nga banorët e tjerë, ai nuk ka asnjë strehë ku të qendrojë sepse shtëpia e dëmtuar ishte shembur plotësisht dhe tani ai rri në pritje.
Në këtë rast, përveç problematikave të raportuara nga banorët për zbatimin e punimeve, mbetet edhe çështja e reagimit institucional. “Vetting” i ka dërguar një kërkesë për informacion Prokurorisë së Durrësit për të marrë një sqarim, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucioni.
Problemi është se një pjesë e banorëve janë pa shtëpi dhe një pjesë kanë vendosur para nga xhepi për ti përfunduar, ndërkohë që ata duhet të ishin të gjithë të strehuar.
“Vetting” kontaktoi në linjë telefonike kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla për arsyet që e kanë lejuar kompaninë “Duka Tr Construction” të kryejë punimet për Rindërtimin kur nuk ka patur licencë, pse nuk kanë bllokuar punimet, por deri në publikimin e këtij materiali Memolla nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
and then