Debati i Ramës me magjistratët për pagat, juristi Gjermeni shpjegon përplasjen: Kërkesa logjike! GJK s’mund të korrigjojë vendimin e 2022-shit

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat në distancë me prokurorët dhe gjyqtarët për çështjen e rritjes së pagës së magjistratëve.

Juristi Artan Gjermeni, në Programin e drekës në News24, komentoi debatin në fjalë.

“Në termin ‘magjistrat’ përfshihen si gjyqtarët, ashtu edhe prokurorët. Ata janë të barabartë në përfitime të natyrës ekonomike dhe jo vetëm. Në vitin 2016 u tha se magjistratët do të kishin një rritje page. Kur nisi reforma në drejtësi dhe vettingu, u mendua që gjyqtarët dhe prokurorët të kishin një dinjitet, duke nisur nga paga. Shteti reflektoi atëherë për pagat e gjyqtarëve, ku disa merrnin 30 mijë lekë të reja rrogë. Ky vendim u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2019, duke e konsideruar si diskriminues. Më vonë, KLSH bëri një kontroll rutinë të aktëve administrative dhe konstatoi se pagat e gjyqtarëve jepeshin gabim, jo sipas ligjit. Ato vende pune sipas VKM-së nuk ekzistonin. KLGJ analizoi raportin e KLSH-së dhe arriti në përfundimin se referenca e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të jetë e barabartë me një drejtor të përgjithshëm në Kryeministri. Këtu nis historia.

Në vitin 2021, në zbatim të urdhrave të KLGJ-së dhe KLSH-së, ligjvënësi miratoi një ligj të ri për referencat e pagave. Analiza tregoi se pagat e reja ishin më të ulëta se më parë. Në vitin 2022, pagat e gjyqtarëve, sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi, rezultuan më të ulëta. Gjykata Kushtetuese tha se nuk mund të ulet paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por vetëm mund të rritej. Në referencat e pagave të vitit 2023, nuk u reflektua ai qëndrim i Gjykatës Kushtetuese për punonjësit e Shërbimit Civil, si të një drejtori në Kryeministri. Prandaj, ligji që po zbatohej ishte i tillë. Ky arsyetim i GJK-së nuk u reflektua. Në vitin 2023, Kuvendi ndryshoi ligjin e vitit 2016 dhe përcaktoi si reference pagën e presidentit të Republikës, duke e vendosur në 36% të saj. Kjo përkthehet në një pagë prej 430 mijë lekësh të reja. Paga referuese e gjyqtarëve është 36% e pagës së presidentit,” tha Gjermeni.

Duke u ndalur te fakti që SPAK nuk është pjesë e kësaj kërkese për rritjen e pagave, ai shtoi:

“Në gjykimin tim, SPAK nuk është jashtë kësaj kërkese. Kërkesa bëhet nga Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Gjyqtarët nuk janë alogjikë në kërkesat e tyre; janë në logjikë. Nëse kanë të drejtë apo jo, kjo është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të korrigjohet vendimi i vitit 2022. Se u dhanë disa diferenca pagash, nuk do të thotë që duhet të kthejnë më shumë. Në këtë definicion, kërkesa e magjistratëve nuk është alogjike”, tha ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×