“Te tenderat e Belindës fshihet dora e Ramës”, Këlliçi: Janë të dy në çdo aferë korrupsioni, duhet të largohen si bashkëautorë

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e Edi Ramës për Belinda Ballukun, deputeti i PD i akuzon të dy si bashkëpërgjegjës për aferat korruptive që, sipas tij, lidhen me tenderat dhe përdorimin e taksave të shqiptarëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi u shpreh se “kudo ku Belinda Balluku ka pasur rol vendimmarrës në tendera shtetërorë, fshihet realisht edhe dora e kryeministrit Edi Rama”. Sipas tij, Balluku ka ndërtuar karrierën dhe ka marrë pushtet të madh falë zbatimit me besnikëri dhe shpejtësi të urdhrave të shefit të qeverisë.

“Dita po vjen që Rama ta braktisë bashkëpunëtoren e tij më të afërt, por askush nuk mund të mashtrohet se ajo ka vepruar pa dijeninë e tij. Ata kanë qenë bashkë në çdo aferë dhe duhet të largohen bashkë si bashkëautorë”, u shpreh Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, sa kohë Edi Rama vazhdon të qëndrojë në krye të qeverisë, edhe Belinda Balluku mbetet pjesë e pushtetit.

Në këtë kontekst, Këlliçi bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt, para asaj që ai e cilësoi si “zyra e krimit dhe korrupsionit”, me qëllim rritjen e presionit politik kundër qeverisë.

Reagimi i Këlliçit
Kudo ku Belinda Balluku ka futur duart në tendera dhe taksat e shqiptarëve, fshihen në fakt gjymtyrët e paturpshme të Edi Ramës! Balluku bëri karrierë dhe mori shumë pushtet sepse realizonte me besnikëri dhe shpejtësi kërkesat e shefit. Dita po vjen që ai ta lëshojë bashkëpunëtoren më të afërt, por askush nuk mund të gënjehet më se ajo hëngri dardha pas krahëve të tij.

Ata kanë qënë bashkë në çdo aferë. Dhe të dy duhet të largohen si bashkëautorë. Sa kohë Rama qendron ende në zyrë, aty është dhe Belinda. Ndaj duhet më të vendosur, më me pasion e dashuri për Shqipërinë, të mblidhemi me 10 shkurt, para zyrës së krimit dhe korrupsionit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×