
Ka vijuar procesi gjyqësor i njohur si “Plumbi i Artë”, ku këtë herë ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxha. Gjatë seancës, Hoxha ka dhënë detaje mbi porositë për vrasje, mbikëqyrjen e objektivit dhe mënyrën e organizimit të atentatit ndaj Lulzim Mashës. Sipas Hoxhës, porosia fillestare e dhënë nga Nuredin Dumani nuk kishte të bënte me Lulzim Mashën, por me djalin e tij. Ai deklaroi se Dumani i kishte treguar foto, shtëpinë dhe shkollën private ku mësonte djali i Mashës në Tiranë, ndërsa shtoi se i riu ndodhej shpesh në Maqedoni, çka e bënte të vështirë gjetjen e tij. “Nuredini më tha se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni. Ne nuk po e gjenim dot, ndaj më pas u diskutua vrasja e të atit, me idenë që djali të vinte në varrim dhe të goditej aty,” dëshmoi Hoxha.
Ai deklaroi se fillimisht ishte diskutuar një shumë prej 150 mijë eurosh për atentatin, ndërsa më pas për Lulzim Mashën shuma zbriti në 100 mijë euro. Mbikëqyrja e Mashës, sipas tij, zgjati gati një vit, ndërsa për sigurimin e informacionit u angazhua edhe një person i quajtur “Sakati”, i cili do të njoftonte nëse djali i Mashës hynte në Shqipëri. Hoxha rrëfeu se bashkë me Skerdi Tasin kishin ndjekur disa herë Lulzim Mashën me motor, duke studiuar lëvizjet e tij, por për ditën e ngjarjes u përdor një automjet tip “Golf 4”, për të mos rënë në sy. Për realizimin e atentatit, ai deklaroi se kishte përdorur një person që punonte si menaxher në lokalin e tij në Tiranë, të cilit i kishte kërkuar ta njoftonte sapo të shihte Mashën, duke i thënë se i kishte borxh para. Pas njoftimit, Hoxha tha se shkoi në vendngjarje bashkë me Skerdi Tasin, por u pozicionua në një zonë pa kamera sigurie.
“Goditjen nuk e dëgjova sepse arma kishte silenciator. Kisha radio policie dhe dëgjoja komunikimet e tyre,” deklaroi ai, duke shtuar se pas ngjarjes u takua me Skerdi Tasin në zonën e njohur si “21-shi”. Sipas dëshmisë, Skerdi Tasi i kishte thënë se kishte qëlluar dy herë, por arma i ishte bllokuar. Hoxha shtoi se një ditë para ngjarjes kishte shkrepur një karikator të plotë me të njëjtën armë, por ditën e atentatit ajo ishte bllokuar. Ai deklaroi gjithashtu se përmes radios së policisë kishte dëgjuar përshkrimet që po jepeshin për autorin e dyshuar, të cilat përputheshin me karakteristikat e Skerdi Tasit.
Henrik Hoxha: Lulzim Masha, në dijeninë time, ka një shkollë private në Tiranë. Shtëpinë e ka te Blloku. Unë kisha porosi nga Nuredin Dumani për djalin e Mashës, jo për Lulzimin. Nuk e mbaj mend emrin e djalit, por Nuredini më tregoi një foto, më tregoi shtëpinë dhe shkollën. Djalin nuk po e gjenim dot.
Njëri nga vëllezërit Dizdari ka qenë i fejuar me vajzën e Mashës. Dhëndri ka hedhur disa prona në emër të vjehrrit dhe kunatit. Më pas u nda nga vajza dhe këta nuk ia kanë kthyer ato lekë apo prona. Ne nuk po e gjenim dot djalin e Mashës, sepse rrinte në Maqedoni. Në fillim diskutuam për 150 mijë euro. Më pas, për Lulzim Mashën, për 100 mijë euro. Mbikëqyrja e Lulzimit zgjati gati një vit, sepse e lamë pak pas dore. Djalin nuk e gjenim dot, prandaj u angazhua “Sakati”, i cili do të na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri. Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni. Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa që të vrisnim të atin, me qëllim që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim aty. Bashkë me Skerdin e kemi ndjekur Mashën disa herë me motor. E kemi ndjekur në rrugën që bënte.
Për ngjarjen përdorëm një “Golf 4” të lodhur. Nuredini na e gjeti makinën, sepse me motor mund të binim në sy. Për ngjarjen unë përdora një menaxher që kisha te lokali në Tiranë. I thashë të më lajmëronte kur ta shihte këtë person, duke i thënë se më kishte borxh lekë. Na njoftoi. Unë shkova atje bashkë me Skerdi Tasin. E lashë Skerdin dhe vetë u vendosa diku ku nuk kishte kamera. Më pas lëviza. Goditjen nuk e dëgjova, sepse arma kishte silenciator.
Kisha radio policie dhe dëgjoja gjithçka që po ndodhte. Më pas u takuam me Skerdin te “21-shi”. Skerdi më tha: “I qëllova dy herë, por më ngeci arma”. Një ditë më parë unë kisha shkrepur një karikator me atë armë, por atë ditë ajo u bllokua. Unë i dëgjoja në radio komunikimet e policisë, kur thoshin: “Një person kështu e ashtu, me karakteristikat e Skerdit”.
and then