
Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin e protestës së djeshme.
Salianji u shpreh se protesta mbetet një instrument i domosdoshëm i qytetarëve për të reaguar ndaj keqqeverisjes dhe pakënaqësive që, sipas tij, prodhon qeverisja aktuale. Ai theksoi se çdo qytetar që proteston duhet vlerësuar, duke shtuar se aktualisht ka arsye të shumta për të dalë në protestë.
Sipas tij, ndër çështjet më të fundit që kanë rritur pakënaqësinë është ajo që ai e cilësoi si “skandal i bllokimit të drejtësisë” në rastin e Belinda Ballukut, si dhe problematikat që, sipas tij, lidhen me AKSHI-n dhe pasojat që po ndjehen në jetën e përditshme të qytetarëve.
Salianji deklaroi se ekziston një revoltë legjitime qytetare, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama ndodhet, sipas tij, në një “rrënim moral dhe ligjor”, duke iu referuar faktit që persona të rëndësishëm të partisë në pushtet po përballen me drejtësinë.
Ai theksoi se revolta qytetare nuk duhet të zbehet nga lidershipi politik dhe se, sipas tij, zëri duhet t’u jepet qytetarëve që përballen drejtpërdrejt me problemet. Salianji përmendi si shembuj protestuesit e Rrjollit në Velipojë, qytetarët që kundërshtojnë projektin TID në Durrës, qytetarët e Kamzës që preken nga rritja e çmimeve të biletave të urbanit, si dhe pacientët në spitalet e vendit.
Megjithatë, ai kritikoi strategjinë e lidershipit të Partisë Demokratike, duke theksuar se, sipas tij, ajo ka probleme, por shtoi se kjo nuk ul vlerën e qytetarëve që protestojnë.
Në fund, Salianji u shpreh se protestat nuk duhen parë si instrument për rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë, por si reagim i qytetarëve ndaj keqqeverisjes.
and then