
Shqipëria synon që të shkruajë historinë, duke u kualifikuar në Botëror për herë të parë. Ndërkaq, kuqezinjtë mësuan edhe rivalët në Nations League, me ekipin e Sylvinhos që në Ligën C do të sfidojnë ekipe si Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.
Ish sulmuesi kuqezi, Alban Bushi, në një intervistë për Trevisa Tufën në Sport News në News 24, flet për ëndrrën shumëvjeçare të kualifikimit në një eveniment të madh si Botërori. Trajneri i Shpresave nuk heziton të analizojë gjithashtu edhe kundërshtarët në Nations League.
Bushi, ëndrra Botëror ka marrë vëmendjen e çdo turneu, eventi, apo çdo gjë ndodh rreth futbollit shqiptar. A është ky kulmi, pra pika më e lartë që kemi arritur?
Mendoj që po, botërori ka qenë ëndërr për të gjithë shqiptarët. Është plotësisht e merituar ëndrra për Botëror.
Në mars luajmë ndeshjet më të rëndësishme në histori, por një tjetër event i rëndësishëm është edhe Liga e Kombeve. Një ditë më parë njohëm rivalët. Shqipëria ndodhet në Ligën C, ndërsa shorti na vendosi në një grup me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Si ju duket ky short?
Shorti më duket i mirë, në Ligën C nuk ka ekipe të forta apo më të mira se ne. Finlanda do jetë rivali që do rivalizojmë për vendin e parë. Bjellorusia ekip i mirë, por që mundet. San Marino, nuk ka nevojë për koment. Mendoj që Shqipëria do testojë veten, mendoj që Nations League nuk kemi bërë mirë në vitet e fundit dhe tani kemi të gjitha mundësitë për të marrë vendin e parë.
A është Finlanda rivali më i fortë që kemi? Në të shkuarën në 7 ndeshje të luajtura kemi marrë 2 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Nga ana tjetër me Bjellorusinë në 6 ndeshje kemi raport të barabartë, 2 fitore. 2 humbje dhe dy barazim, San Marino 4 fitore.
Unë kam marrë pjesë në ndeshjet ndaj Finlandës, është ekip i vështirë. Është ekip që qëndron në mesin e ujërave, nuk rri as lart, as poshtë. Nuk ka arritur majat akoma. Para dy viteve ka qenë goxha mirë me lojtarë të ri. Ne kemi luajtur me U21 të Finlandës dhe kishim brez të mirë. Tani ata kanë kaluar te A-ja. Do jetë Finlandë me e mirë se e viteve të tjera. Sa i takon Bjellorusisë, faktet tregojnë që jemi më të mirë se ata. Gjithsesi, duhen vlerësuar.
A është vendi i parë në këtë Ligë një kusht, objektiv i padiskutueshëm?
Kjo ligë të jep mundësi për të testuar ekipin dhe për të krijuar atmosferë. Është ligë e mirë, shumë ishin spektikë por mori shumë vëmendje. UEFA hoqi miqësoret dhe vendosi këto ndeshje.
Në fakt ishe pyetje deri diku retorike, pasi Duka i vendosi kusht Sylvinhos kualifikimin në Botëror, minimumi play off-in, e jo më vendin e parë në këtë grup të Ligës së Kombeve.
Objektivat, tani Shqipëria ka arritur në nivel të lartë, jemi në momentin më të mirë, si në anën e potencialit, ashtu edhe te infrastruktura. Tani mendoj që ndaj Polonisë, shanset janë 50/50 për të realizuar ëndrrën e të gjithëve.
Është interesant fakti që Liga e Kombeve luhet në shtator, ndërkohë Sylvinho rinovoi deri në qershor. Duket sikur gjithçka rrotullohet rreth Botërorit, edhe kontrata besoj flet qartë?
Për kontratën gjete personin e duhur për të folur (Qesh). Trajneri është i fokusuar te ndeshja e marsit. Ne aty jemi në federatë dhe e shikojmë. Mbase tani nuk i hyn në sy as shorti i Nations League.
Bushi, vitet e fundit, Liga e Kombeve është përdorur si Ligë testuese, në funksion të kualifikueseve. Nëse trajneri Sylvinho largohet kam frikë se do të shihet sërish kështu. A mendon se ka ardhur koha që Liga e Kombeve të luhet për të fituar, si një rrugë e dytë për të shkuar në Evropian?
Pavarësisht se nuk bëmë mirë njëherë dhe më pas bëmë mirë, ne duhet të vlerësojmë ndeshjet. Rritesh edhe duke humbur, pasi mësohesh. Ne nuk kemi luksin t’i marrim lehtshëm. Është tjetër gjë të jesh në vendin e parë në Nations League dhe të shkosh në Europian, është tjetër gjë të shkosh në Europian edhe pse je në vendin e fundit. Nuk është njësoj motivimi. Kemi lojtarë të mirë, por jo të atij niveli që të luajnë kur të duan ata. Futbolli është vazhdimësi. Tani është krijuar një ambient i mirë, i përshtatshëm.
Një short i fortë për Kosovën, e cila në këtë edicion luan në Ligën B. Goglat e vendosën në grup Izraelin, Austrinë dhe Irlandën. Si e sheh grupin e Kosovës, sa shanse ka për të fituar?
I gëzuar për Kosovën, pasi u ngrit një Ligë më lart. Fakti që do përballesh me ekipe të forta të bën mirë. Në momentin që përballesh me të fortë, bëhesh i fortë. Edhe Kosova është e fortë. Shanset janë të barabarta për të katërta skuadra.
Do kemi kohë deri në shtator për të folur për Ligën e Kombeve. Por dua të di, a po ndihet atmosfera e ndeshjeve të marsit? Apo është ende herët, janë edhe zgjedhjet përpara…
Mendoj që vëmendja është te ndeshja ndaj Polonisë me 26 mars. Atmosfera e lojtarëve është atje, pasi ata e manifestojnë dhe jetojnë atë pjesë. Te publiku është pak më e ftohtë. Kur afrohet, 10-15 ditë përpara, bëhet e nxehtë. Stafi e ka mendjen te Polonia.
Për fat të keq, legjionarët nuk po kalojnë një moment të mirë, Berisha, Ismajli të dëmtuar, Bajrami, Broja, Hysaj, thuajse nuk luajnë farë, Asllani po kalon një moment të vështirë, a të shqetësojnë këto detaje?
Këto probleme Shqipëria i ka patur gjatë gjithë kohës. Lojtarët tanë luajnë në nivele të larta, por nuk janë lojtarë të niveleve të larta. Marrin minuta nga pak dhe ky është problem. Është meritë e tyre që kanë arritur atje, por problem minutazhi. Ndeshja ndaj Polonisë është ndeshje për t’u fituar ose le të themi, duhet barazuar që të shkosh në shtesë. Sido që të jenë lojtarët në klubet e tyre, do ta nxjerrin veten me zemër dhe shpirt.
Ndërkohë, po kalon super formë Ernest Muçi. A beson se do të përfshihet këtë herë nga Sylvinho? Flas për një rol aktiv, jo thjesht i përfshirë në listë?
Muçi ka qënë lojtar me cilësi të mëdha, ka patur përher potencial. Gjeti veten te Trabzon, trajnerin e skuadrës e njoh mirë pasi kemi luajtur bashkë. Muçi? Është lojtar që Shqipëria e ka të nevojshëm. Duhet dhënë mundësia lojtarëve që janë në formë, pasi ata të bëjnë “gjëmën”. Patjetër që do jetë me kombëtaren, por edhe mund të luajë. Trajneri e di më mirë se kushdo tjetër.
Meqë the që keni qënë bashkë dhe keni luajtur me trajnerin, të ka pyetur për Muçin?
Nuk kam kontaktuar. Nëpërmjet një gazetari që ishte live në TV, mora edhe unë pjesë në bisedë. Diskutimi ishte te ana defensive e Muçit. Ishte shumë e rëndësishme, faktikisht, Muçin ia kam sugjeruar edhe kur ishte te Tirana skuadrës së Trabzonsporit, por trajneri nuk e pëlqeu dhe iku te Legia e Varshavës.
Çfarë duhet të bëjë Muçi për të qënë pjesë e kësaj kombëtarje?
Trajneri Sylvinho e ka thënë mirë, që do edhe anën difensive, jo vetëm ofensive. Seferi për një kohë të gjatë në formacion, ishte ngaqë tërhiqej edhe mbrapa. Ti duhet të bësh atë që trajneri kërkon. Unë mendoj që pjesë e kombëtares do jetë, pastaj nuk e di nëse Muçi do jetë. Nuk kemi lojtarë tjetër më në formë se sa Muçi. Trabzonspor është ekip i vështirë për të luajtur, nëse nuk luan mirë të përzejnë.
Një diskutim i ngjashëm është edhe me Anis Mehmetin, apo nuk është koha për të eksperimentuar? A mendon se Sylvinho mund të ndryshojë diçka kundër Polonisë?
Ai do dojë të ndryshojë diçka, por mbetet e vështirë. Nuk është ndeshje për eksperimente. Mbase, trajneri do një ekip që njeh lojën e tij. Është ndeshje e vështirë me Poloninë dhe do që të jetë në ekuilibër. Ndoshta do ndryshojë në formacion, por e shikoj të vështirë.
Pyes për Muçin, për Mehmetin, pasi lojtarë si Broja e Bajrami nuk luajnë, ndërsa Asani nuk preferohet më. A mund të kemi elementë të rinj për ndeshjet e marsit?
Mund të kemi patjetër, por do jetë gjithçka në ekuilibër. Ndeshja është deçizive. Mund të merren shumë lojtarë, pasi janë dy ndeshje. Një pjesë e atyre mund të rrinë në tribunë. Edhe mund të ketë ndonjë prurje të re, por formacioni do jetë 80-90% ai që ka qënë gjithmonë.
Sylvinho të vlerëson shumë, të përmend shpesh në deklarata. Keni furnizuar ekipin A me elementë cilësorë, kemi bërë gati ndonjë dhuratë tjetër, ndonjë element të ri?
Unë kam por nuk i kam treguar. Kemi 2-3 lojtarë shumë të mirë. Kemi katër le të themi, por dy janë 100 % që do vijnë. Mendoj që do jenë shpejt te ekipi kombëtar A dhe jam i lumtur që do jenë te ne. Emra nuk them por bëhet fjalë për mbrojtës i djathtë, sulmues, mesfushor, prap një sulmues, është edhe një mbrojtës i datëlindjes 2009.
Të shqetëson Polonia, Bushi në këtë pikë, më thuaj të drejtën, çfarë ndjesie ke? A mund të shkojmë në Botëror?
Me Poloninë jam i bindur dhe e sigurt që e kalojmë. Pastaj ndeshjen e dytë, nuk dua të flas, pasi nuk e di nëse do jetë Ukraina apo Suedia. Shumë mirë që do luajmë atje. Ekipi polak na ka frikë. Nuk ndjehen mirë me ne. Jemi dhe ne që kemi pretendimet tona. Barazimi është i mirë për atë që është i dobët në letër.
Kë do në finale?
Do doja Ukrainën, pasi luan në fushë asnjanëse.
and then