
Dinamo po kalon momentin më të vështirë në Superiore jo vetëm për këtë sezon, por ndoshta në dy apo 3 sezonet e fundit.Skuadra e drejtuar nga Daja nuk ka fituar asnjë ndeshje në fazën e tretë, kur janë luajtur plot 6 prej tyre dhe përveç faktit se vendet e para janë shkëputur, tashmë rrezikon seriozisht pozitat e saj në “Final 4”. Të besuarit e Dajës nuk morën më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit në “Elbasan Arena”, me kuqezinjtë që vinin në këtë sfidë si vend i fundit por që arritën të merrnin një pikë që për ta mund ketë vlera të shumta për luftën për mbijetesë.
Veç momentit të keq me pikët, Dinamo ka humbur edhe qetësinë para portës dhe nuk është më ajo skuadër që di të shënojë rregullisht, e madje edhe gola të shumtë pasi deri para vitit të ri, Dinamo ishte skuadra me sulmin më të mirë në Superiore. Nga ana tjetër, as mbrojtja nuk po e jep garancinë e dikurshme, duke qenë tashmë një skuadër që po pëson thuajse në çdo ndeshje të kampionatit.
KLASIFIKIMI- Aktualisht, Dinamo e sheh veten në vendin e katërt në klasifikim, duke qenë plot 12 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Vllaznia. Pikërisht këta të fundit ishin skuadra e parë ndaj së cilës fitoi Dinamo këtë edicion, por dy fitoret e tjera të shkodranëve dhe forma e mirë e tyre, ka krijuar një hendek të madh në klasifikim. Nga ana tjetër, Partizani po kalon një moment shumë të mirë dhe fitorja e fundit në derbi, e ka afruar skuadrën e kuqe me vetëm 3 pikë larg Dinamos. Nëse deri më tani Dinamo kishte presionin e vendeve të para, “nëndetësja” duhet të bëjë edhe llogarinë e vendit të katërt duke qenë se çdo hap i gabuar që mund të hedhë në të ardhmen, mund t’i kushtojë shumë dhe kampionati po shkon drejt fundit e shanset për rikuperim, janë çdo javë e më të pakta.
KALENDARI- Tashmë kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga mbyllja e kësaj faze dhe Dinamon e pret një kalendar shumë i vështirë. Blutë do të përballen këtë javë me kampionët e Egnatias në transfertë, e më pas do të kenë një transfertë tjetër, këtë herë kundër Vorës. Para se të luajnë derbin e kryeqytetit me Partizanin që mund të përcaktojë shumë, blutë do të përballen me Tiranën në Kupën e Shqipërisë.
and then