
Prej disa ditësh, liqenet karstike të Belshit janë kthyer në një skenë të jashtëzakonshme natyrore. Tufa të shumta të Pelikanit kaçurrel kanë mbushur sipërfaqen e ujërave, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe duke ofruar pamje të rralla si për vendasit, ashtu edhe për vizitorët e kësaj qyteze turistike që po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të dashur për adhuruesit e natyrës.
I konsideruar si një nga shpendët më të mëdhenj në Evropë dhe në botë, pelikani kaçurrel mahnit me përmasat e tij gjigante: hapja e krahëve arrin nga 270 deri në 320 centimetra, ndërsa lartësia varion nga 170 në 190 centimetra. Të rriturit dallohen për puplajën në nuanca të bardha dhe gri, këmbët gri dhe sidomos për ngjyrën e kuqe të theksuar që merr pjesa e poshtme e sqepit gjatë periudhës së folezimit. Është një shtegtues i distancave të shkurtra, që lëviz në kërkim të kushteve më të favorshme ushqimore.
Në liqenet e Belshit, këta shpendë madhështorë shihen shpesh duke gjuajtur vetëm, e rrallëherë në grup. Dieta e tyre përbëhet kryesisht nga lloje të ndryshme peshqish, çka e bën praninë e tyre një tregues të rëndësishëm të cilësisë së ekosistemit ujor.
Pelikani kaçurrel folezon në koloni të mëdha dhe preferon zona ligatinore si liqene, lumenj dhe delta. Në Shqipëri, ai folezon vetëm në Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, ndërsa përdor si zona ushqimi dhe pushimi Liqenin e Shkodrës, kompleksin e Vjosë-Nartë dhe Liqenin e Prespës. Prania e tyre në Belsh shihet si një lëvizje e përkohshme për ushqim dhe qetësi, duke e kthyer zonën në një pikë të rëndësishme ndalese për këtë specie të rrallë.
Ky shpend përfaqëson një ndër llojet më të rrezikuara në Shqipëri, me status “i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje”. Prej vitit 2014, organizata PPNEA, në bashkëpunim me ADZM Fier dhe me mbështetjen e Noe Conservation dhe Euronatur, ka ndërmarrë masa konkrete për rimëkëmbjen e popullatës, përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e ishullit të pelikanit si dhe ndërtimin e platformave folezuese për të krijuar hapësira të reja riprodhimi.
and then