“Vendosja në krah të Vuçiçit është shtrembërim i interesave euroatlantike”, Mediu: Rama s’ka kuptuar se BE për shqiptarët nuk është vetëm treg i përbashkët

Artikulli i botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i dyshes Rama-Vucic është paqyra e pushtetit dominimit të pushtetit korruptiv mbi të ardhmen Europiane të shqiptarëve.

A është pranimi i një statusi “të nivelit të dytë” një zgjedhje për pushtetin e RAMËS” apo për të ardhmen e shqiptarëve?

1- Nuk ka shqiptar që do besonte se fatin e shqiptarëve në Europë do ta përcaktonte Vucic dhe Serbia.

2- Sharlatanizmi politik kërkon të shfaqet si pragmatizëm, por ka qëllim t’i shërbejë pushtetit dhe parasë.

3-Vendosja në krah të Vuçiçit është shtrembërim i interesave euroatlantike të shqiptarëve si komb, por edhe një dëm për forcimin e NATO-s në rajon përballë kërcënimeve të Rusisë, Kinës dhe aleatit të tyre Serbisë.

4- Rama s’ka kuptuar se BE për shqiptarët, nuk është vetëm treg i përbashkët, por edhe politikë e jashtme dhe të sigurisë në të njëjtën linjë me BE, politikë të cilën Serbia s’e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë përballë interesave pro-ruse, të cilat për të janë sa historike, aq edhe aktuale.

5- Sot kur për BE siguria dhe partneriteti me SHBA në NATO janë jetike, të kërkosh të krijosh CAVEAT të tillë me anëtarësimin e Serbisë në BE, me të njëjtin status si Shqipëria, është t’i hapësh rrugën interesave ruse dhe kineze në rajon, të cilat janë qartësisht kundër BE dhe NATOs.

Rama edhe njëherë tjetër nuk surprizon asgjë në marrëdhënien e tij me Vuçiçin, duke marrë përsipër të njësojë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë të Shqipërisë dhe shqiptarëve me Serbinë dhe serbët, të cilat janë jo vetëm diametralisht të kundërta, por për më tepër politika e Vuçiçit është hapur e deklaruar kundër Kosovës dhe për rrjedhojë kundër shqiptarëve.

Thirrjet patriotike të Ramës janë një demagogji e hapur për të mbuluar qartësisht një orientim të marrëdhënieve shtetërore të politikës së jashtëme, në mardhënie private të ngushta ndërmjet tij dhe Vuçiçit, Shqipërisë dhe Serbisë dhe jo ndërmejt Shqipërisë si vend I NaTOs me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së në Ballkan, të cilat ndajnë të njëjtin qëndrim për çështjet e demokracisë, tregut ekonomik, lëvizjes së lirë dhe sigurisë me NATO dhe BE.

Po ashtu Rama, duke besuar se askush nuk mund ta ndalë në marrëzinë e pushtetit të tij, njësoj si me Ballkanin e Hapur, del kundër një procesi të formëzuar prej një politike shtetërore dhe kombëtare të anëtarësimit të plotë në BE të Shqipërisë.

Tregu i përbashkët dhe Schengeni janë një nga stacionet e anëtarësimit deri në anëtarësimin e plotë. Ndalimi në këtë stacion, siç ka deklaruar edhe ish-kryenegociatori Mazi, do ta bënte të pamundur anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe padyshim do të krijonte probleme të mëdha për Kosovën dhe shqiptarët në rajon, ata në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të cilët BE-në e shohin si mundësinë për të realizuar qëllimet dhe të drejtat e tyre të plota.

Ne de facto nuk jemi republikë kushtetuese parlamentare, por as republikë kryeministrore, por shtet i një njeriu që beson se është mbi gjithçka dhe sillet si monark absolut; për të s’ka as Parlament, as Presidencë, as Këshill të Sigurisë Kombëtare, por thjesht dëshirë për pushtet të pakufizuar.

Sipas tij, ai është i vetmi dhe i pazëvendësueshmi.

Debati mbi një integrim të pjesshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përmes përfshirjes vetëm në Tregun e Përbashkët dhe në hapësirën Schengen, pa anëtarësim të plotë institucional, nuk është një çështje teknike. Kjo ka qenë dhe është një zgjedhje strategjike për Ramën dhe jo për Shqipërinë dhe shqiptarët; ajo prek sovranitetin politik, relevancën tonë gjeopolitike dhe identitetin demokratik të vendit. Ajo zhbën përpjekjet për më shumë se tre dekada të një konsensusi mbarëshqiptar, Rama sillet me vendin dhe kombin sikur të ishin pronë personale e tij.

Thelbi është se: “Pranimi i statusit ‘të vendit të nivelit të dytë në BE, nuk është interes kombëtar, por një kalkulim meskin për interesin politik të pushtetit të Edi Ramës dhe Vuçiçit”

Një model i tillë, justifikohet me ofrimin e përfitimeve ekonomike afatshkurtra, por krijon rrezikun e një statusi të përhershëm periferik: zbatim rregullash pa përfaqësim në vendimmarrje, akses ekonomik pa zë institucional. Në terma politikë, kjo do të nënkuptonte pranimin e një pozite të kategorisë së dytë në Evropë përgjithmonë.

Në një kohë sfidash të thella euroatlantike, sigurie dhe nevojës për një NATO të fuqishme në Ballkan përballë sfidave të qarta nga agresioni rus deri te penetrimi ekonomik i Kinës në Ballkan, Shqipërisë nuk mund t’i tolerohet paqartësi strategjike, për më tepër pozicionimi i tyre i qartë kundër Kosovës dhe pavarsisë së saj dhe mbështetjes pa kushte të Serbisë.

INTEGRIMI I PJESSHËM: PAK PËRFITIME EKONOMIKE, KOSTO POLITIKE.

Çfarë pretendohet se mund të fitohet nga propozimi I dyshes Rama-Vucic?

  • Akses në Tregun e Përbashkët, presupozon zgjerim i flukseve tregtare, harmonizim rregullator, përmirësim i klimës së investimeve.

Megjithëse në dukje joshëse, realiteti është krejt ndryshe sepse faktikisht Shqipëria nuk vuan nga pamundësia ekonomike, por nga mungesa e qeverisjes, korrupsioni endemik, krimi i organizuar, pastrimi i parave, pasiguria juridike, qeverisja klienteliste, njësimi i shtetit me pushtetin.

Pjesëmarrje në Schengen garanton, lëvizje më e lirë për qytetarët dhe bizneset brenda BE, por a është ky problemi kryesor që ka Shqipëria.

Sot Shqipëria përballet me plagën më të madhe sociale, ekonomike dhe politike: emigracionin masiv, sepse askush nuk beson se Shqipëria do të bëhet apo ka një standard evropian. Askush nuk mendon se në Shqipëri mund të ndërtojë të ardhmen dhe lumturinë e tij dhe të familjes së tij. Lëvizja e lirë e shqiptarëve është siguruar në vitin 2011.

Problemi ynë nuk është qëndrimi pa limit në vendet e BE-së apo kontrolli i kufijve; problemi ynë është largimi masiv i të rinjve dhe të rejave, trurit të shoqërisë shqiptare, dhe një mplakje e shoqërisë me ritme galopante, e cila po e kthen shoqërinë shqiptare në një shoqëri pa zë dhe pa forcë ndryshimi që i shërben qëllimit të pushtetit të përjetshëm të Edi Ramës.

Prandaj edhe pretendimi për stabilitet ekonomik nga kjo politikë Rama–Vuçiç është i gënjeshtërt, sepse Ne nuk vuajmë nga mungesa e mundësive, por nga shkatërrimi i tyre nga korrupsioni dhe krimi qeveritar, për më tepër që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka rregullat dhe detyrimet e veta, të cilat pa një ekonomi funksionale dhe shtet ligjor nuk do të kishin asnjë përfitim kombëtar.

Po çfarë humbet nga propozimi Rama-Vucic?

– Mungesa e përfaqësimit në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin Evropian, politikat e përbashkëta të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Një aneks i pavlerë në vendimmarrjen evropiane dhe pa asnjë rol në interesin kombëtar. Shqiptarët nga një faktor euroatlantik në katër vende të rajonit kthehen në një komb irrelevant.

Ideja e një Evrope me dy nivele vendimmarrjeje ka ekzistuar prej vitesh. Megjithatë, Bashkimi Evropian nuk ka hequr dorë nga parimet e tij themelore:

Demokracia përfaqësuese

– Shteti i së drejtës

– Ndarja e pushteteve

– Llogaridhënia institucionale

Vlera e BE-së qëndron në arkitekturën demokratike dhe barazinë e shteteve anëtare në vendimmarrje, respektimin e lirive dhe të drejtave.

NATO DHE SIGURIA RAJONALE

Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka detyrimin për koherencë të plotë me arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Në kontekstin e agresionit rus dhe ndikimit kinez në rajon, një pozicionim i paqartë institucional në BE dobëson kredibilitetin strategjik të vendit.

Serbia ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë në fushën e sigurisë, inteligjencës dhe politikës së jashtme dhe është partneri kryesor i Kinës në Ballkan.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe, përveç belbëzimeve politike si pjesë e kësaj aleance, asnjëherë nuk ka ndërtuar një dimension real bashkëpunimi me vendet e NATO-s në Ballkan, por përkundrazi e ka bërë me Serbinë, e cila është vend kundër NATO-s dhe partner i Rusisë.

Ky qëndrim vjen ndesh edhe me NDAA (National Defense Authorization Act) të miratuar nga Kongresi Amerikan dhe firmosur nga Presidenti Trump, i cili kërkon angazhim nga vendet e Ballkanit për të luftuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkan, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Po ashtu Presidenti Trump dhe vetë Evropa në mënyrë unanime kanë kërkuar që të investohet në siguri dhe mbrojtje, në infrastrukturë dhe teknologji, e cila kërkon investime të përbashkëta të vendeve të NATO-s në Ballkan për të garantuar një deterrencë ushtarake dhe bashkëpunim ushtarak në rajon, duke e kthyer edhe në një mundësi partneriteti me SHBA dhe BE dhe jo me Kinën dhe Rusinë, siç ka bërë Serbia duke shpenzuar mbi 3% të buxhetit për mbrojtjen, duke u pozicionuar hapur kundër NATO-s në Ballkan dhe sigurisë së Ballkanit.

Ka një ngjashmëri të plotë të pushtetit të Vuçiçit dhe Ramës në shkatërrimin e institucioneve, kushtetutës, ligjit dhe opozitës, duke krijuar një pushtet të një njeriu të mbështetur nga korrupsioni dhe krimi.

Ata ndajnë të njëjtin qëllim pushtet për para dhe para për pushtet.

Narrativa që kërkon t’i paraqesë dyshen Rama–Vuçiç si liderë rajonalë vizionarë, që garantojnë stabilitet, bie ndesh me realitetin e të dy vendeve, kritikave për kontroll dhe autoritarizëm, korrupsion dhe krim, dhe kjo është sa antikombëtare, aq edhe antishqiptare.

Për Shqipërinë, raporti me Kosovën është jetik, komponent i sigurisë kombëtare dhe i balancës rajonale, jo element taktik.

KUSHTËZIMI DEMOKRATIK

Procesi i anëtarësimit të plotë në BE është mekanizëm kyç për forcimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Integrimi i pjesshëm që propagandon Rama–Vuçiç rrezikon shmangien e qëllimshme nga filtrat e standardeve demokratike që kërkon Evropa dhe Gjermania.

Rama, duke parë qartë se BE ka kuptuar se problemi është korrupsioni qeveritar, krimi i organizuar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkon bashkë me Vuçiçin të na bind dhe të shohim problemin te Evropa dhe jo te mungesa e standardeve dhe moszbatimi i detyrimeve evropiane.

Ai kërkon t’u shesë shqiptarëve gënjeshtrën e radhës se problemi nuk është ai dhe qeveria e tij, por Evropa.

Përfundimisht, zgjedhja për Shqipërinë është midis sovranitetit të plotë institucional brenda BE-së ose margjinalizimit strukturor në periferi të tij. Interesi kombëtar kërkon anëtarësim të plotë, konsolidim demokratik dhe harmonizim të palëkundur me NATO-n.

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×