Bayern “fluturon” me dyshen Kane-Diaz, por tani i sfidon Real Madrid (VIDEO)

6 ndryshime në raport me formacionin titullar, por sërish Bayern shënon 4. Kompany ka ndërtuar një makineri të vërtetë, një skuadër spektakolare që kalon në fazën çerekfinale të Champions League me 10 gola të shënuar në total. Atalanta dorëzohet sërish pa kushte, e kishte shumë të vështirë të konkurrente Bayern, për më tepër që Kompany nuk kurseu Harry Kane duke aktivizuar “bomberin” anglez nga minuta e parë.

Kane ishte protagonisti kryesor, ku fillimisht realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, në tentativën e tij të dytë, ndërsa në minutën e 54-ët realizoi një gol fantastik duke dyfishuar shifrat. Kapiteni i “Tre Luanëve” vijon sezonin e tij të shkëlqyer duke hedhur kandidaturën jo vetëm për “Këpucën e Artë”, por edhe për “Topin e Artë”, edhe pse ky trofe këtë edicion varet shumë edhe nga Kupa e Botës. Atalanta e kishte të vështirë të reagonte, për më tepër që dy minuta më vonë, talenti Karl me një goditje perfekte realizoi golin e tretë për Bayern.

Jo vetëm Harry Kane, një formë të shkëlqyer po kalon edhe Luis Diaz, me kolumbianin që realizoi një kryevepër të vërtetë në minutën e 70-të, një finalizim plot klas që kompletoi “pokerin” e golave. Luis Diaz rezultoi një goditje e vërtetë për Bayern në merkato pasi deri në këtë pikë të sezonit ka realizuar 24 gola dhe ka dhuruar 19 asiste. 43 gola/asiste në 45 ndeshje.

Të paktën në fund, Atalanta realizoi golin e nderit me Samardzic. Bayern kualifikohet me spektakël dhe me stofin e një ekipi favorit në këtë edicion të Champions League, por në çerekfinale tani i pret Real Madrid, një klasike e futbollit Evropian që premton shumë, pa diskutim një finale e parakohshme.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×