
Ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me çmime që rriten, reagimi i kryeministrit të vendit Edi Rama është i njëjti: fjalë shumë, arrogancë, mungesë ndjeshmërie dhe veprime zero.
Në kushtet kur lufta në Lindjen e Mesme po rrit në mënyrë të shpejtë çmimin e karburanteve, Rama del dhe thotë se “nuk duhet t’i hidhet e gjithë barra konsumatorit”, por në fund është pikërisht qytetari ai që paguan çdo qindarkë më shumë në pompën e naftës dhe benzinës.
Asnjë ulje taksash. Asnjë lehtësim për konsujmatorët. Vetëm justifikime pa zgjidhje. Madje Rama shkon edhe më tej kur thotë se “askush nuk duhet të kërkojë më shumë se sa i takon”, sikur është ai që vendos çfarë na takon, apo sikur qytetarët po kërkojnë luks, dhe jo thjesht të mos mbyten nga çmimet.
Në anën tjetër, Giorgia Meloni kryeministrja italiane së cilës Rama i ulet në gjunjë sa herë ka rastin ta takojë para kamerave, nuk humb kohë me fjalime. Ajo ul taksat e karburantit me 25 cent për litër. Kaq e thjeshtë!
E kupton që kur ka krizë, shteti duhet të futet në lojë dhe të mbajë një pjesë të barrës, jo të bëjë spektatorin.
Diferenca është brutale. Njëra qeveri heq nga vetja për t’i dhënë qytetarit, tjetra mban fort çdo taksë dhe iu kërkon njerëzve të kuptojnë “realitetin” dhe të durojnë se s’ka rrugë tjetër.
Rama flet për “ekuilibër tregu”, por në realitet fiton shteti dhe humbet qytetari. Rama nuk prek taksat, nuk prek barrën fiskale, nuk prek asgjë. Vetëm flet për kriza globale, sikur Shqipëria të mos kishte asnjë hapësirë për të vepruar.
Po nëse Italia mund të ulë taksat, pse Shqipëria jo?
Përgjigjja po bëhet çdo ditë më e qartë. Këtu nuk mungojnë mundësitë, mungon vullneti. Dhe kur një qeveri zgjedh të mos veprojë, ajo nuk është më thjesht e paaftë. Është kundër qytetarëve të vet!
and then