
Vëllai i Muçi Shaljanit alias Sheqerit agjentit të Agjencisë së Mbikqyrjes policore, i cili mbeti i vrarë në atentatin mafioz në afërsi të aeroportit të Rinasit, bashkë me ish të dënuarin Gilmando Dani, është vënë në pranga nën akuzën e dhunës në familje.
News24 mëson se ndaj Shemsi Shaljanit, gjykata e Tiranës caktoi me datë 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg” pasi dyshohet se ka dhunuar të vejën e vëllait të vrarë.
Burime konfirmuan se me 13 mars në polici u paraqiti e veja e Muçi Shaljanit alias Sheqerit e cila ka pretenduar se pas vdekjes së bashkëshortit të saj, vëllezërit e këtij të fundit kanë ngritur pretendime në lidhje me pronësinë e objektit 4 (katër) katësh, ku ata jetojnë në rrugën “Spiro Deda”, si dhe të 2 (dy) ambienteve bar-kafe që janë administruar nga bashkëshorti i saj.
Më tej, ajo i ka thënë policisë se Denis Morina, vëllai nga ana e nënës i shtetasit Muçi Shaljani, Morina, i kishte marrë çelësin e hyrjes së këtij objekti, me pretendime lidhur me pronën.
Fillimisht ajo nuk ka bërë kallëzim, por ka kërkuar ndihmën e policisë që vëllezërit e bashkëshortit të ndjerë t’i dorëzonin çelësin e objektit dhe ka paraqitur edhe dokumentacionin përkatës lidhur me pronësinë.
Policia ka thirrur Denis Morinën, vëllain e Muçi Shaljanit dhe mes palëve është arritur marrëveshje dhe i është dorëzuar çelësi 40-vjecares, ndërsa lidhur me pretendimet që mund të kishin palët për pronësinë e godinës janë orientuar që t’i drejtoheshin gjykatës.
Një ditë më vonë, bashkëshortja e agjentit të vrarë është paraqitur në komisariat dhe ka kallëzuar për dhunë kunatin e saj Shemsi Shaljani, duke pretenduar se ky i fundit i ka shkuar te dera e banesës, duke goditur me grushte derën dhe i ka kërkuar të largohet nga prona së bashku me fëmijët e saj. Në kallëzim ajo ka pretenduar se është kërcënuar me jetë.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, e fill më pas ka plotësuar urdhër të menjëhershëm mbrojtje për gruan.
Shemsi Shaljani është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim për akuzën e dhunës në familje.
Mesditën e 11 nëntorit të 2025 Muçi Shaljani alias Sheqeri sapo ishte kthyer nga Spanja bashkë me Gilamndo Danin që njihej si i besuari i Emiljano Shullazit, kur në drejtim te tyre tek rreth rrotullimi i Rinasi u qëllua me breshëri kallashnikovi.
Dani mbeti i vrarë në vend, ndërsa Shaljani ndërroi jetë më vonë te spitali i Traumës. hetimet për atentatin mafioz po kryhen nga Prokuroria e Posaçme. Ndërkohë lidhur me punësimin e paligjshëm të Shaljanit si agjent janë marrë të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artjol Saliasi, si dhe drejtori iburimeve njerëzore Gëzim Sala.
and then