
Ëndrra Amerikane mbetet e tillë, një ëndërr, shuhet përfundimisht në Varshavë. Për fat të keq, objektivi historik, dëshira për të shkuar në Botëror, ngec në Poloni, aty ku Lewandowski me shokë përmbysën kuqezinjtë. Keqardhje pafund për mënyrën se si eliminohemi, jo vetëm për faktin që kaluam të parët në avantazh, por brenda 10 minutash u dorëzuan pa kushte, pësuam dy gola, mbase të evitueshëm, ndërsa bëmë shumë pak për t’u rikthyer edhe një herë në lojë.
Sylvinho nuk befasoi as këtë herë, hodhi në fushë, lojtarët e tij të preferuar në këtë cikël 3-vjeçarë, edhe pse një pjesë vinim me pak minuta në këmbë. Në fundin e pjesës së parë, Arbër Hoxha u shkëput shpejt, shmangu edhe daljen e portierit duke realizuar një gol shumë të bukur.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 63-të, një dalje jo e studiuar e Strakoshës dhe një keq pozicionim i Hysajt në shtyllën e dytë, i dha mundësinë Robert Lewandowski-t të ndëshkonte Shqipërinë. Ky gol futi në kaos kuqezinjtë pasi 10 minuta më vonë, ylli tjetër i Polonisë, Zielinski karikoi të djathtën e tij dhe me një predhë nga distanca mposhti për herë të dytë Strakoshën.
Sylvinho tentoi edhe kartën Muçi, në minutën e 82-të, por ishte shumë vonë, me Poloninë që mbrojti me fanatizëm rezultatin duke siguruar një biletë për në finalen e “play-off” aty ku do të përballet me Suedinë.
and then