Shqiptarët përballë rritjes së çmimeve për produktet bazë, eksperti Gjokutaj: Disa tregje nuk po ndjekin rregullat e kërkesë-ofertës!

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, i ftuar në News24, ka analizuar rritjen e fundit të çmimeve në Shqipëri, duke theksuar se efektet po ndihen ndjeshëm në ekonominë e familjeve shqiptare.

Sipas Gjokutajt, rritja e çmimeve të produkteve bazë nuk është homogjene, por ndikohet nga disa faktorë. Ai theksoi se përtej karburantit, i cili ka pasur një inflacion të importuar, një pjesë e mirë e shtrenjtimit të produkteve po ndodh brenda vendit.

“Inflacioni i produkteve bazë për familjet është një inflacion i brendshëm, që po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të disa artikujve”, u shpreh ai.

Eksperti u ndal edhe te mënyra se si operon tregu i karburanteve, duke e cilësuar atë si një oligopol që ka ndikuar në deformimin e çmimeve. Sipas tij, rritjet në bursë reflektohen menjëherë në tregun vendas, ndërsa uljet nuk përcillen me të njëjtin ritëm.

Gjokutaj nënvizoi se rritja e çmimeve është rezultat i një kombinimi faktorësh, ku përfshihen si ndikimet reale nga shtrenjtimi i karburanteve, ashtu edhe niveli i informalitetit në treg, i cili shpesh nuk respekton rregullat e kërkesë-ofertës.

Në këtë situatë, ai kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, duke propozuar politika afatshkurtra mbështetëse për shtresat më të prekura.

“Duhet të ketë masa subvencionuese për shtresat më të prekura, përmes çmimeve të energjisë apo edhe rritjes së pagës minimale, pasi kjo kategori po goditet më fort nga rritja e çmimeve”, theksoi eksperti.

Gjithashtu, ai apeloi për një kontroll më të fortë të tregjeve bazë, në mënyrë që të parandalohet abuzimi me çmimet dhe të garantohet një funksionim më i drejtë i ekonomisë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×