
Studiuesja Ledi Shamku ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët kërkojnë zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
Në reagimin e saj, Shamku thekson se gjuha shqipe nuk mund të jetë objekt negociatash, duke e cilësuar atë si një element thelbësor të identitetit kombëtar.
“SHQIPJA NUK NEGOCIOHET” dhe “GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË OPCION, ËSHTË IDENTITET”, shprehet ajo, duke mbështetur hapur studentët shqiptarë që kanë dalë në protestë.
Sipas studiueses, situata e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar prej kohësh. Ajo sjell në vëmendje përvojat nga ekspeditat albanologjike në Dibër të Madhe, ku, sipas saj, janë evidentuar problematika serioze, si mungesa e përfaqësimit në institucionet arkivore, ndryshimi i emrave të objekteve të kultit dhe vështirësitë për akses në arkiva, edhe për studiuesit.
Shamku ngre alarmin veçanërisht për çështjen e gjuhës, duke theksuar se ekzistojnë ligje dhe marrëveshje të nënshkruara që duhet të zbatohen.
Ajo i bën thirrje Shqipëria që të reagojë në mënyrë konkrete dhe të menjëhershme, përtej deklaratave simbolike.
“Sot Shqipëria ka detyrimin zyrtar, patriotik dhe kombëtar t’u dalë në krah studentëve dhe gjithë shqiptarëve në RMV, jo me hashtag-e apo deklarata në Facebook, por me veprime të qarta diplomatike, madje edhe duke përfshirë arbitrin ndërkombëtar,” thekson ajo.
Shamku nënvizoi rëndësinë jetike të gjuhës shqipe për identitetin kombëtar, duke e mbyllur mesazhin e saj me një thirrje të fortë për veprim të menjëhershëm: “Sot! Sot, jo nesër.”
and then