(VIDEO) Absurdi me projektin e “Zgjerimi i “Elbasan-Qafë Thanë”/ “Në Shënjestër” zbulon skandalin: Si skualifikoi ARRSH nga gara kompanitë me përvojë për studim e projektim rrugësh

Në emisionin “Në Shënjestër”, me autore Klodiana Lala në News24, u publikuan të dhëna nga projekti i zgjerimit të rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” i cili nisi të marrë jetë në vitin 2020.

“Në Shënjestër” ka zbuluar absurdin me këtë projekt që ka të bëjë me skualifikimin nga gara të kompanive të cilat kishin një CV serioze për të kryer një projekt me standarde të autostradës që është pjesë e Korridorit 8.

Madje, këto kompani edhe pse dorëzuan gjithashtu një listë me inxhinierët më të mirë të fushës për studim projektim rrugësh në vend, përsëri nuk u morën parasysh as nga ARRSH dhe as nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Kështu më 27 tetor 2020, Jonaid Myzyri dhe katër vartës të tij, vendosën të rrëzonin ankesën e bërë nga bashkimi i katër operatorëve, që kërkuan të projektojnë zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Fakti që katër kompani paraqitën ankesë për këtë tender dhe ofruan të gjithë eksperiencën e tyre për projektimin e një rruge me standarde bashkëkohore, tregon nivelin e seriozitetetit të këtyre kompanive.

Madje, ankesa tyre u legjitimua edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, por përsëri ky i fundit zgjodhi vlerësim subjektiv duke skualifikuar nga gara kompani të cilat mund të kryenin studim më serioz për një rrugë, e cila kalon në një terren të vështirë.

Pas përfundimit të procedurës së ankesës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, më 31 dhjetor 2020, lidh kontratën me shoqërinë ‘InfrasKonsult’ shpk dhe ‘HMK Consulting’ me vlerë financiare 610 mijë euro, ndërsa brenda 9 muajve këto kompani do të duhet të kryenin studim-projektimin e zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafën Thanë.

Koha e studimit dhe projektimit për një rrugë me gjatësi totale 54 km, duke e pamjaftueshme, duke marrë si referencë faktin  se për studime të këtij niveli, po vetë ARRSH ka lënë si afate minimalisht një periudhë kohore nga 20 deri në 24 muaj.

Pas shpalljes së tenderit nga ARRSH, më 29 korrik 2020, me fond limit 530 mijë euro, koha e dorëzimit të dokumentacionit nga kompanitë e interesuara do të ishte vetëm  dy javë kohë.

Pra brenda datës 12 gusht të atij viti duhet të dorëzonin ofertat financiare për studimin dhe projektimin e kësaj rruge.

Në garë morën pjesë 8 kompani apo bashkime operatorësh, ndërsa fitues u shpall bashkimi i operatorëve ‘InfrasKonsult’ Shpk dhe ‘HMK Consulting’.

Por tenderi për projektimin e zgjerimit të korridorit 8 segmenti Elbasan-Qafë Thanë, ankimohet në Komisionin e Prokurimit Publik, institucion që në atë kohë drejtohej nga Jonaid Myzyri.

Ankimi u bë nga bashkimi i operatorëve ‘47EK79 & Iliriada’ P.K.S shpk & ‘SRP Albanian Engeneering’ shpk & ‘C.E.C’ Group shpk ka paraqitur ankesë pranë autoritetit kontraktor,  me pretendimet si më poshtë:

“Nga ana e KVO-së jemi vlerësuar me pikë si më poshtë: Totali i pikëve mësatare 87.967 pikë e ndarë në; Përvoja në punë të ngjashme (mesatare) 9.000 pikë; Metodologjia e propozuar (mesatare) 22.800 pikë.

Kualifikimet e stafit kryesor të propozuar (mesatare) 56.167 pikë.

Bazuar në përvojën në punë të ngjashme metodologjinë e propozuar dhe kualifikmet e stafit kryesor të propozuar nga ana jonë ne kundështojmë vlerësimin e bërë nga KVO-ja pasi ‘47EK79 & Iliriada P.K.S’ shpk & ‘SRP Albanian Engeneering’ shpk & ‘C.E.C’ Group shpk duhej të vlerësohej me pikët maksimale për: Përvojë për punë të ngjashme (vlerësimi nuk duhet të jetë subjektiv, por objektiv, bazuar në Dokumentet Standarde të Tenderit dhe në Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në ankesën e depozituar nga nga bashkimi i operatorëve ‘47EK79 & Iliriada’ P.K.S shpk & ‘SRP Albanian Engeneering’ shpk & ‘C.E.C’ Group shpk.

Madje, duke u nisur edhe nga ajo çfarë ndodhi në fillim të këtij viti me rrëshkitjen e rrugës në Librazhd, në dokumentin e ankesës që bën kompanitë për tenderin e projektimit, gjenden të dhëna që tregojnë se pikërisht këto shoqëri kishin eksperiencë të mëparshme edhe me segmente ku kishte pasur rrëshqitje rrugësh.

Një prej tyre ishte  projektimi i stabilizimit të rrëshqitjes në segmentin Tiranë-Krrabë, në autostradën Tiranë-Elbasan apo stabilizimi i rrëshqitjes në segmentin Romanat-Plepa Durrës.

Në faqen 13 të vendimit, studimi i kësaj rrëshqitje jepet si pjesë e CV së kompanive, të cilat nëpërmjet këtyre të dhënave dëshmonin se kishin gjithashtu eksperiencën për të projektuar rrugë që kishin rrezik rrëshqitjesh.

Por pavarësisht se operatorët ekonomik dorëzuan një Cv me dhjetëra projekte të ngjashme për studim dhe projektim rrugësh, ankesa e tyre nuk u mor parasysh.

Absurdi qëndron pikërisht në vlerësimin e Komisionitt të Prokurimit Publik.

Ku në faqen 19 të vendimit, shkruhet se:

“Në këtë kontekst Komisoni gjykon se vlerësimi i KVO-së për këtë komponent të rëndësishëm të propozimit teknik prej 9 pikësh është i mjaftueshëm ndërsa argumenti i operatorit ekonomik ankimues për një vlerësim maksimal nga shqyrtimi në tërësi i dokumentacionit nuk rezulton të jetë i bazuar.

Komisioni gjykon se vlerësimi i kryer nga KVO është kryer në përputhje me dokumentacionin e paraqitur nga ankimuesi, një vlerësim i arsyeshëm për të cilin Komsioni gjykon të mbetet i pandryshuar. Procesi i pikëzimit në procedurat e konsulencës duhet të bëhet në përputhje dhe në proporcion me dokumentacionin e paraqitur nga secili ofertues,  i cili nga ana tjetër duhet të jetë sa më afër kërkesave dhe kritereve të përcaktuara nga autoriteti kontraktor në dokumentat e tenderit.

Fryma e LPP është e tillë që çdo operator duhet të përgatisë ofertën e tij në përputhje me kriteret dhe kërkesat e parashikuara në dokumentat e tenderit.

Sa më sipër pretendimet e BOE ankimues nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×