“Portet turistike strategjike nuk janë për shqiptarët”, Tabaku: Ligji cenon konkurrencën dhe bie ndesh me procesin e integrimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë seancës plenare u shpreh kundër propozimit ligjor për portet turistike që parashikon dhënien e tyre në kuadër të investimeve strategjike.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se projektligji nuk duhet parë si një nismë teknike, por si pjesë e një modeli vendimmarrjeje që, sipas saj, ka zëvendësuar konkurrencën me përjashtime dhe interesin publik me favore të përqendruara.

“Problemi nuk është tek formulimi i një neni, por tek logjika dhe modeli mbi të cilin funksionon ky sistem”, u shpreh ajo, duke shtuar se ligji është pjesë e një serie nismash që, sipas opozitës, kanë favorizuar interesa të caktuara.

Tabaku argumentoi se përmes këtij projektligji formalizohet një praktikë ku investimet strategjike përfitojnë asete publike, lehtësi fiskale dhe tashmë edhe akses në infrastrukturë strategjike, pa procedura konkurruese.

Sipas saj, kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe me angazhimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian. Ajo përmendi se projektligji prek disa kapituj të acquis communautaire, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të flitet për integrim europian ndërkohë që ndërtohen mekanizma që përjashtojnë konkurrencën dhe përqendrojnë vendimmarrjen”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD ngriti gjithashtu shqetësimin për procedurën e miratimit të ligjit, duke theksuar se ai është shqyrtuar dhe miratuar në një kohë shumë të shkurtër, pa një debat të gjerë parlamentar.

Në përfundim, ajo theksoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme, duke paralajmëruar se modeli aktual, sipas saj, rrezikon të dëmtojë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×