
Juristi Jordan Daci, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar shqyrtimin nga Gjykata e Lartë të një çështjeje kyçe që lidhet me ndryshimin e praktikës gjyqësore për masat e sigurisë.
Sipas Dacit, vendimi që po diskutohet për t’u ndryshuar daton që nga viti 2011 dhe, sipas tij, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka çuar në burgosjen masive të qytetarëve.
“Ky vendim ka tejkaluar frymën e ligjit dhe të Kodit të Procedurës Penale, sidomos në lidhje me masën e arrestit në burg. Ka qenë i gabuar që në atë kohë dhe duhej ndryshuar me kohë,” u shpreh ai.
Megjithatë, juristi paralajmëroi se ndryshimet që po diskutohen aktualisht mund të përkeqësojnë situatën, nëse nuk shoqërohen me një arsyetim të qartë që do të udhëzojë gjykatat në zbatim.
Ai theksoi se ligji shqiptar nuk është i paqartë për masat e sigurisë, pasi parashikon që ato të bazohen në “dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova”, por problemi qëndron te qasja e gjykatave dhe mungesa e kujdesit ndaj lirisë individuale.
“Liria është një parim i shenjtë, por ne e kemi tregtuar për hir të sigurisë apo dënimit të krimit,” tha Daci, duke shtuar se kjo qasje është reflektuar edhe në vendime të mëparshme që janë kritikuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Duke folur për funksionimin e Gjykatës së Lartë, ai theksoi se deri para dy vitesh institucioni nuk kishte numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të mbledhur Kolegjet e Bashkuara, ndërsa sot ndodhet në kushte të plota funksionimi.
“Diskutime të tilla do të ishin luks para dy vitesh për shkak të ngarkesës dhe mungesës së gjyqtarëve. Sot nuk është më e tolerueshme që të mos trajtohet standardi i masave të sigurisë,” u shpreh ai.
Daci ngriti shqetësime serioze për përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, duke theksuar se ai është kthyer në një problem sistemik, që për shumë vite ka kaluar pa reagim publik.
“Paraburgimi u bë problem vetëm kur filloi të prekë njerëz me pushtet. Kur arrestoheshin qytetarë për çështje banale, nuk kishte reagim,” tha ai, duke shtuar se Shqipëria renditet ndër vendet me standarde problematike në drejtësinë penale.
Sipas tij, sistemi shqiptar shpesh krenohet me numrin e dënimeve, ndërkohë që duhet të vlerësohet më shumë pafajësia dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
“Njerëzit kënaqen kur dikush arrestohet dhe dënohet, por duhet të kënaqemi kur dikush shpallet i pafajshëm. Nuk mund të fusësh dikë në burg për t’i bërë gjyqin dhe pastaj ta lirosh. Kjo nuk ndodh në botën demokratike,” theksoi juristi.
Në fund, ai shtoi se problemi lidhet edhe me formimin e gjyqtarëve përmes sistemit të Shkollës së Magjistraturës, ndërsa nënvizoi se roli i SPAK shpesh keqkuptohet.
“SPAK është palë në proces dhe bën detyrën e tij. Gjykata është ajo që duhet të mbajë ekuilibrin. Nëse ky ekuilibër mungon, problemi nuk është te SPAK,” përfundoi Daci.
and then