
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Duke iu referuar raportimeve se nëntë vende të Bashkimit Europian nuk kanë miratuar raportin e IBAR për Shqipërinë, Xhixho theksoi se narrativa e qeverisë ka ndryshuar, duke e zhvendosur përgjegjësinë jashtë vendit.
“Sot dëgjojmë një tjetër narrativë nga kryeministri Rama, që integrimi nuk është në dorën tonë,” u shpreh ajo.
Sipas Xhixhos, një nga momentet kyçe që ka ndikuar negativisht në këtë proces ishte votimi në Kuvend për çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku sipas saj mazhoranca përdori votat për të penguar drejtësinë.
“83 vota u përdorën për të bllokuar drejtësinë dhe kjo përbën një pengesë të drejtpërdrejtë për integrimin europian,” deklaroi ajo.
Deputetja iu referua edhe deklaratave të eurodeputetëve, mes tyre David McAllister, i cili sipas saj e ka cilësuar rastin Balluku si një test për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.
“Jo vetëm që u krijua një mburojë politike për Ballukun, por po bëhen edhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur kryeministrin dhe qeverinë nga ndjekja penale,” theksoi Xhixho.
Ajo shtoi se disa vende anëtare të BE-së kanë ngritur pikëpyetje serioze për progresin e Shqipërisë, duke u fokusuar jo vetëm te raportet zyrtare të Komisionit Europian, por edhe te zhvillimet konkrete në vend.
“Në këtë fazë vlerësohet zbatimi i të drejtave të njeriut dhe elementë të tjerë të rëndësishëm të raportit IBAR. Vetëm pas miratimit të këtij raporti mund të ecet përpara me mbylljen e kapitujve, të cilët janë sfidues për Shqipërinë,” u shpreh ajo.
Në përfundim, Xhixho theksoi se skepticizmi i vendeve anëtare lidhet edhe me informacionet që ato disponojnë për situatën reale në Shqipëri, përtej dokumenteve zyrtare, duke nënvizuar se procesi i integrimit kërkon standarde konkrete dhe zbatim real të reformave.
and then