
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një mbledhje me kolegjin e kryetarëve, ku ka dhënë porosi të drejtpërdrejta për drejtuesit e partisë lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek aktiviteti i ulët, sipas tij, i disa drejtuesve të Partisë Demokratike në platforma si Facebook, duke thënë se qytetarët demokratë kërkojnë më shumë angazhim publik nga përfaqësuesit e tyre.
“Lexojnë statuse kurajoze të disa demokratëve… bëjnë statuse kritike ndaj qeverisë dhe më çojnë mua fjalë. Demokratët më thonë pse drejtues të PD nuk bëjnë statuse të tilla në Facebook-un e tyre,” u shpreh ai.
Berisha theksoi se përdorimi i rrjeteve sociale duhet të jetë i detyrueshëm për drejtuesit e partisë, duke shtuar se kjo është pjesë e betejës politike që po zhvillon opozita.
“Tani që të jemi të hapur, përdorimi i rrjeteve sociale do kontrollohet. I përdorni apo nuk i përdorni. Është detyrim për atë që drejton dhe ka një post. Përndryshe, të rrijë i heshtur,” deklaroi ai.
Sipas tij, opozita ndodhet në një betejë të vështirë dhe duhet të përdorë çdo mjet legjitim për të komunikuar me qytetarët dhe për të kundërshtuar qeverinë.
and then