
Samiti IV i Diasporës ka nisur mbrëmjen e djeshme në një ceremoni zyrtare ku morën pjesë personalitete nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Ky aktivitet i rëndësishëm kombëtar ka bërë bashkë shqiptarë nga të gjitha kontinentet, në një platformë që synon forcimin e bashkëpunimit, promovimin e identitetit kombëtar dhe nxitjen e zhvillimit shumëpalësh.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale një videokartolinë nga mbrëmja e mirëseardhjes, duke ndarë momentet më të veçanta të hapjes së samitit. Samiti ka nisur më 14 prill dhe do të vijojë edhe në datat 15 dhe 16 prill, nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Ai përfaqëson një bashkim simbolik dhe praktik të diasporës shqiptare me institucionet shtetërore, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, me synim forcimin e lidhjeve me Shqipërinë.
Gjatë tre ditëve janë parashikuar 18 panele diskutimi që do të trajtojnë tema si fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e diasporës, promovimi i turizmit dhe imazhit të vendit, si dhe transferimi i njohurive në arsim, shkencë dhe inovacion.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet ruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor, përfshirjes së të rinjve të diasporës në jetën shoqërore dhe politike, si dhe krijimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes profesionistëve shqiptarë në mbarë botën.
Panelet do të trajtojnë gjithashtu sfidat e digjitalizimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të politikave për diasporën, me synimin për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
and then