
Kjo frazë tingëllon disi e çuditshme, si një lajm i pamundur, por në fakt është një diagnozë politike.
Nuk është fjala për ndonjë shtetas hungarez, i cili ka ndërruar jetë, por për një figurë që sot ka trazuar politikën hungareze dhe më tej, Peter Magyar – një “ish” i sistemit në Hungari, që vendosi të dalë hapur kundër tij, duke sfiduar në zgjedhje Viktor Orbán, modelin e tij të pushtetit dhe mekanizmat që e mbanin në këmbë.
Pra, “hungarezi” më shumë se një person është një tipar. Është guximi për t’u përballur me pushtetin.
Dhe këtu ka vend krahasimi. Në Partinë Socialiste, “hungarezi” ka vdekur. Jo sepse mungojnë njerëzit, por sepse mungon forca për ta bërë hapin vendimtar, për të thënë “mjaft”!
Përjashtimi i vetëm mbetet vetë Edi Rama, i cili në vitin 2005 u përball dhe mori drejtimin e partisë nga Fatos Nano, një akt që mbeti rast i izoluar dhe nuk u bë një kulturë brenda partisë. Ndërkaq, gjatë viteve në pushtet, Edi Rama ka spostuar, larguar apo zbehur jo pak figura.
Problemi nuk është vetëm ky. Problemi është se asnjëri prej tyre nuk u ngrit në nivelin e përballjes. Asnjëri nuk kreu një akt politik. Asnjëri nuk tregoi se kishte peshë edhe jashtë ombrellës së liderit. Dhe kjo nuk është rastësi. Një pjesë nuk e kanë atë guxim. Nuk janë aq të fortë sa të përballen me njëshin dhe sistemin që i ka ngritur. Të tjerë janë të kapur në interesa, në të shkuarën e tyre, apo në dosje që ndoshta nuk i kontrollojnë më vetë. E mbi të gjitha, janë të lexueshëm. Rama i njeh mirë.
I ka ndërtuar, i ka përdorur dhe di saktësisht kufijtë e secilit. Prandaj nuk ka rebelim të vërtetë. Ka vetëm tërheqje të heshtura. Duke u kthyer te “hungarezi”, ai, një ishpjesëtar i sistemit, del dhe sfidon liderin e fortë të vendit, madje një nga figurat më autoritare në vendet e BE-së. Në Shqipëri, “të mërziturit” bëjnë maksimumi ndonjë status në “Facebook”, zakonisht të matur, të vonuar, ose aq të kujdesshëm sa nuk kuptohet nëse është kritikë apo thjesht një mënyrë për të mos u dukur plotësisht dakord.
Përveçse çështje guximi personal, kjo është edhe çështje klime. Sepse kur pushteti bëhet i gjatë, kur besnikëria shpërblehet më shumë se mendimi ndryshe, atëherë edhe ata që mund të kishin zë, zgjedhin të heshtin. Ose detyrohen të heshtin.
Sot flitet, dëshirohet dhe kërkohet dalja e figurave të reja për një frymë tjetër si në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Media dhe shoqëria janë të gatshme t’i mbështesin. Por deri tani, askush nuk ka bërë hapin e përballjes reale me sistemin.
Prandaj, edhe pse tingëllon si batutë, është e vërtetë: Për momentin, në PS, në Shqipëri, “hungarezi” ka vdekur!
Panorama
and then