
Analisti Agim Baçi ka komentuar situatën e opozitës në prag të protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike në Tiranë, duke theksuar mungesën e mbështetjes së gjerë qytetare dhe problemet e brendshme të lidershipit.
I ftuar në News24, Baçi u shpreh se nëse protestat nuk arrijnë të mobilizojnë qytetarët, atëherë opozita nuk po përmbush rolin e saj. “Nëse qytetarët nuk mbushin sheshet të zemëruar, atëherë kemi një situatë tjetër. Nëse opozita është e kënaqur me kaq, unë nuk besoj se kjo është opozita”, tha ai.
Baçi theksoi se lideri i PD-së, Sali Berisha, ndodhet në një situatë të vështirë politike, pasi sipas tij, nuk ka përmbushur premtimet e bëra pas rikthimit në krye të partisë.
“Ai premtoi se nuk do të lejonte manipulimin e zgjedhjeve, por ka disa pika që e penalizojnë para qytetarëve”, u shpreh analisti, duke shtuar se këto faktorë kanë ndikuar në rënien e besimit ndaj opozitës.
Sipas Baçit, opozita ka nevojë për figura të reja politike që nuk mbartin “peshën e së shkuarës” apo akuza për pazare politike. Ai nënvizoi se situata aktuale kërkon një rifreskim të lidershipit për të rikthyer besueshmërinë tek qytetarët.
Ai përmendi gjithashtu rastin e proceseve gjyqësore dhe statusit “non grata”, duke theksuar se edhe nëse këto çështje janë të diskutueshme, ato kanë ndikim negativ në imazhin e opozitës.
Baçi u ndal edhe te tensionet brenda PD-së, veçanërisht përplasjet me ish-deputetin Ervin Salianji. Ai kritikoi akuzat e pabazuara, duke theksuar se çdo pretendim për lidhje me krimin duhet të mbështetet me fakte.
“Nuk shikoj një Magyar brenda PD-së. Nëse është situata këtu, kanë faj ata që nuk flasin në forume dhe që janë në kryesi, etj. Salianji për hir të vërtetës e tha në kryesi dhe sot kemi një situatë absurde. Në politikë nuk ka fjalë, ka akte publike. Nëse Salianji ka komunikuar me krimin kjo duhet faktuar. Ta faktojnë dhe ta thonë. Për sa kohë e thua dhe nuk ka asnjë fakt është e rëndë”, deklaroi ai.
Sipas tij, në kushtet aktuale, Berisha “nuk ka luksin të përjashtojë askënd nga opozita”, duke nënvizuar nevojën për unitet dhe debat të brendshëm.
and then